YouVersion Logo
Search Icon

Mateu 27

27
Dorëzimi te Pilati
(Mk 15.1; Lk 23.1-2; Gjn 18.28-32)
1Në mëngjes herët të gjithë kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit vendosën së bashku ta dënonin Jezuin me vdekje. 2Pasi e lidhën, e morën e ia dorëzuan Pilatit, qeveritarit.
Vdekja e Judës
(Vp 1.18-19)
3Kur pa Juda, ai që e tradhtoi, se Jezuin e dënuan, u pendua, ia ktheu kryepriftit e pleqve tridhjetë monedhat e argjendta 4e u tha: «Kam mëkatuar se tradhtova gjakun e pafajshëm». Ata i thanë: «E ç'na duhet neve! Kjo është punë për ty». 5Pasi i hodhi monedhat e argjendta në tempull, u largua dhe shkoi e vari veten.
6Kryepriftërinjtë morën monedhat e argjendta e thanë: «Nuk është e lejueshme t'i vëmë këto para në thesarin e tempullit, sepse janë para gjaku». 7Atëherë vendosën të blinin me to arën e një poçari për ta bërë varrezë të huajsh. 8Për këtë arsye ajo arë është quajtur deri më sot «Ara e Gjakut». 9Kështu u përmbush çfarë qe thënë nga profeti Jeremi:
i morën tridhjetë monedhat e argjendta,
çmimi që kishin dhënë bijtë e Izraelit,
10 e blenë me to Arën e Poçarit,
siç më kishte urdhëruar Zoti.
Te Pilati
(Mk 15.2-5; Lk 23.3-5; Gjn 18.33-38)
11Jezui qëndronte para qeveritarit dhe ai e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?». Jezui i tha: «Ti vetë po e thua». 12Por, kur e padisnin kryepriftërinjtë dhe pleqtë, nuk jepte asnjë përgjigje. 13Atëherë Pilati i tha: «A nuk dëgjon sa gjëra po dëshmojnë kundër teje?». 14Por Jezui nuk iu përgjigj asnjë padie, gjë që e çuditi shumë qeveritarin.
Dënimi me vdekje
(Mk 15.6-15; Lk 23.13-25; Gjn 18.39—19.16)
15Për çdo festë Pashke qeveritari e kishte bërë zakon të lironte një të burgosur sipas kërkesës së turmës. 16Në atë kohë kishin në burg një të burgosur shumë të njohur që quhej Jezu Baraba. 17Kur u mblodh turma, Pilati u tha: «Cilin doni t'ju liroj, Jezu Barabën apo Jezuin që quhet Krisht?». 18Sepse e dinte se Jezuin e kishin dorëzuar nga smira.
19Ndërsa Pilati ishte i ulur në fronin e gjykatësit, e shoqja i çoi fjalë: «Mos u ngatërro me atë njeri të drejtë, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij». 20Por kryepriftërinjtë e pleqtë ia mbushën mendjen turmës që të kërkonin Barabën e të vrisnin Jezuin. 21Qeveritari u tha përsëri: «Cilin nga të dy doni t'ju liroj?». Ata iu përgjigjën: «Barabën!». 22Pilati i pyeti: «Atëherë çfarë të bëj me Jezuin që quhet Krisht?». Të gjithë i thanë: «Të kryqëzohet!». 23Ai u tha: «Përse, ç'të keqe ka bërë?». Por ata thirrën edhe më fort: «Të kryqëzohet!». 24Kur Pilati e pa se nuk po arrinte asgjë, por përkundrazi, po fillonte rrëmuja, mori ujë, lau duart para turmës e tha: «Unë nuk kam faj për gjakun e këtij njeriu. Është puna juaj!». 25I gjithë populli u përgjigj: «Gjaku i tij rëntë mbi ne e mbi fëmijët tanë!». 26Atëherë Pilati liroi Barabën, ndërsa Jezuin, pasi e fshikulluan, e dorëzoi që ta kryqëzonin.
Tallja
(Mk 15.16-20; Gjn 19.2-3)
27Atëherë ushtarët e qeveritarit e futën Jezuin në pretorium dhe mblodhën tek ai tërë kohortën. 28E zhveshën dhe e mbështollën me një petk të kuq. 29Pastaj thurën një kurorë me gjemba e ia vunë në kokë. Në dorë i dhanë një kallam dhe, duke rënë në gjunjë para tij, talleshin me të e i thoshin: «Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!». 30E pështynë, morën një kallam dhe e godisnin në kokë. 31Pasi e tallën, ia hoqën petkun, e veshën me rrobat e veta dhe e çuan për ta kryqëzuar.
Kryqëzimi
(Mk 15.21-32; Lk 23.26-43; Gjn 19.17-27)
32Kur dolën përjashta, ndeshën një njeri nga Kirena, që quhej Simon, të cilin e detyruan të mbartte kryqin e Jezuit. 33Kur arritën te një vend që quhet Golgota, që do të thotë «Vendi i Kafkës», 34i dhanë të pijë verë me një përzierje të hidhur, por kur e provoi, Jezui nuk deshi ta pijë.
35Pasi e kryqëzuan, hodhën short për të ndarë rrobat e tij. 36Pastaj u ulën e po e ruanin. 37Mbi kokë i vunë shkrimin me shkakun e dënimit: «Ky është Jezui, mbreti i judenjve». 38Bashkë me të kryqëzuan edhe dy kusarë, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë.
39Kalimtarët e fyenin, tundnin kokën 40e thoshin: «Ti që do ta shkatërroje tempullin e do ta ndërtoje për tri ditë, shpëto veten nëse je Biri i Perëndisë e zbrit nga kryqi!». 41Edhe kryepriftërinjtë me shkruesit dhe pleqtë e tallnin e thoshin: 42«Të tjerët i shpëtoi, ndërsa veten nuk e shpëtuaka dot. Ky që qenka mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi e atëherë do t'i besojmë. 43Ky ka besuar në Perëndinë e ka thënë se është Biri i Perëndisë! Atëherë le ta shpëtojë Perëndia nëse e do». 44Edhe kusarët që ishin kryqëzuar bashkë me të e përqeshnin në të njëjtën mënyrë.
Vdekja
(Mk 15.33-41; Lk 23.44-49; Gjn 19.28-30)
45Që nga mesdita e deri në orën tre pasdite u bë errësirë në gjithë tokën. 46Rreth orës tre pasdite Jezui thirri me zë të lartë: «Eli, Eli, lema sabakthani?» që do të thotë: «Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise?». 47Disa nga ata që ishin aty kur e dëgjuan, thanë: «Ky po thërret Elinë». 48Njëri prej tyre vrapoi, mori një sfungjer, e ngjeu në uthull, e vuri në një kallam e ia dha për ta pirë. 49Të tjerët thoshin: «Prisni të shohim nëse do të vijë Elia për ta shpëtuar».
50Jezui thirri përsëri me zë të lartë e dha shpirt. 51Atëherë veli i tempullit u gris më dysh nga lart deri poshtë, toka u drodh e shkëmbinjtë u çanë. 52Edhe varret u hapën e shumë trupa të shenjtësh që kishin vdekur u ngjallën 53dhe, pasi dolën nga varret pas ngjalljes së tij, shkuan në qytetin e shenjtë e iu shfaqën shumë njerëzve.
54Kryeqindësi dhe të tjerët që ishin me të për të ruajtur Jezuin, kur panë tërmetin dhe gjithçka që ndodhi, u frikësuan shumë e thanë: «Me të vërtetë ky qenka Biri i Perëndisë».
55Aty gjendeshin edhe shumë gra që kishin shkuar pas Jezuit që nga Galilea dhe i kishin shërbyer. Ato po shikonin nga larg. 56Ndër to ishte Maria Magdalena, Maria, nëna e Jakobit dhe Jozefit, si dhe nëna e bijve të Zebedeut.
Varrimi
(Mk 15.42-47; Lk 23.50-56; Gjn 19.38-42)
57Në mbrëmje erdhi një njeri i pasur nga Arimateja me emrin Jozef. Edhe ai kishte qenë dishepull i Jezuit. 58Ai shkoi te Pilati e i kërkoi trupin e Jezuit. Atëherë Pilati urdhëroi t'ia jepnin.
59Jozefi e mori trupin e Jezuit, e mbështolli me një pëlhurë të pastër prej liri 60dhe e vendosi në varrin e ri që kishte hapur për vete në shkëmb. Pastaj rrokullisi një gur të madh te gryka e varrit e u largua.
61Maria Magdalena dhe Maria tjetër po rrinin përballë varrit.
Rojat te varri
62Të nesërmen ishte e shtunë#27.62 ose: një ditë pas së premtes. Kryepriftërinjtë dhe farisenjtë u mblodhën te Pilati 63e i thanë: «Zotëri, na kujtohet se ai mashtrues, kur ishte ende gjallë, pati thënë: “Pas tri ditësh do të ngjallem”. 64Prandaj jep urdhër që të sigurohet varri deri ditën e tretë, që të mos shkojnë dishepujt e tij për ta vjedhur trupin e pastaj t'i thonë popullit: “U ngjall prej të vdekurve”. Kështu mashtrimi i fundit do të jetë më i madh se i pari». 65Pilati u tha: «Merrni roja dhe shkoni e siguroni varrin sa më mirë». 66Ata shkuan dhe pasi e vulosën gurin e vendosën roja, e siguruan varrin.

Currently Selected:

Mateu 27: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy