Çdo ditë me radhëBeispiel

Çdo ditë me radhë

Tag 340 von 366

«Kur kundërshtari do të vijë si një lumë i furishëm, Fryma e Zotit do të lartoj kundër tij një flamur» (Isa. 59:19b).

Vijnë kohë krizash të skajshme në jetë kur Satani lëshon tërë artilerinë e tij më të rëndë kundër popullit të Zotit. Qielli është i errët, toka dridhet dhe nuk duket asnjë rreze e vetme shprese. Por Perëndia ka premtuar se do t'i dërgojë popullit të tij përforcime në çastet e gjendjes ekstreme. Fryma e Zotit ngre një flamur kundër djallit në kohën e duhur.

Të skllavëruar nga tirania egjiptiane, e ardhmja për popullin e Izraelit ishte e pashpresë. Ata ishin strukur nga fshikullimat e kryeintendentëve. Por Perëndia nuk ishte moskokëçarës ndaj rënkimeve të tyre. Ai ngriti Moisiun për të përballur faraonin dhe, përfundimisht, për të çuar në liri popullin e Tij.

Në kohën e Gjyqtarëve, pushtuesit e huaj i mbanin në skllavëri fiset e Izraelit. Por në orën më të errët Zoti ngriti çlirues ushtarak për të zmbrapsur armikun dhe për të sjellë një periudhë qetësie.

Kur Senakeribi e drejtoi ushtrinë asiriane kundër Jerusalemit, robëria e Judës dukej e pashmangshme. Nga ana njerëzore nuk kishte asnjë mënyrë për të ndaluar forcën e madhe pushtuese. Megjithëkëtë, engjëlli i Zotit kaloi natën përmes kampit të asirianëve dhe vrau 185.000 burra.

Kur Esteri ishte mbretëreshë në Persi, armiku erdhi si një lumë i furishëm, duke kaluar një dekret të pandryshueshëm që të gjithë judenjtë e mbretërisë të ekzekutoheshin. A u zu Perëndia shah mat nga ky dekret i medasve dhe persëve? Jo, Ai i rregulloi punët në atë mënyrë që të kalohej një dekret tjetër, që u lejonte judenjve të mbronin veten në atë ditë të fatale. Judenjtë, sigurisht, ishin jashtëzakonisht fitimtarë.

Kur Savonarola pa varfërinë, shtypjen dhe padrejtësinë në Florence, ai u bë një flamur në duart e Frymës për të sjellë reforma.

Kur Martin Luteri filloi të gjëmojë kundër shitjes së indulgjencave dhe kundër mëkateve të tjera të kishës, ishte sikur u ndez një dritë në një epokë errësire.

Mbretëresha Maria po i bënte kërdi besimit të vërtetë të krishterë në Angli dhe Skoci. Por Perëndia ngriti një burrë të quajtur Xhon Noks (John Knox) në një kohë nevoje të skajshme. «Duke e hedhur veten me fytyrën në pluhur para Perëndisë, Noksi iu përgjërua Perëndisë gjatë natës që të hakmerrej për të zgjedhurit e Tij dhe t'i jepte atij Skocinë ose ai do të vdiste. Zoti i dha atij Skocinë dhe e hoqi mbretëreshën nga froni».

Ndoshta tani ju jeni duke u përballur me një nga krizat më të mëdha në jetën tuaj. Mos druaj kurrë. Fryma e Zotit do të dërgojë përforcime në kohën e duhur dhe do të të udhëheqë drejt një vendi të gjerë. Vetëm besoji Atij!

Die Heilige Schrift

Über diesen Leseplan

Çdo ditë me radhë

Kjo është mënyra si duhet ta jetoni jetën: Çdo ditë me radhë. Por ajo që e bën tërë ndryshimin është se si e jetoni çdo ditë. Një mënyrë për t’u siguruar që ditët tona mbi tokë kanë vlerë për Perëndinë është ta mbushim mendjen dhe zemrën tonë me “Fjalën e rrënjosur” që të mund të rritemi me anë të saj. Ky është një libër me përsiatje gjallëruese mbi vargjet e Biblës nga shkrimet e freskëta dhe që e lartësojnë Krishtin nga autori William MacDonald.

More

Ky plan leximi u krijua nga Willian MacDonald. http://asamblejabiblike.al