Logo de YouVersion
Ícono Búsqueda

Çdo ditë me radhëMuestra

Çdo ditë me radhë

DÍA 190 DE 366

«...më kanë caktuar të ruaj vreshtat, por vreshtin tim nuk e kam ruajtur» (Kënga e Këngëve 1:6b).

Vëllezërit e vashës shulamite e kishin dërguar të punonte në vresht. Ajo ishte aq e zënë duke punuar vreshtat, që kishte lënë pas dore vreshtin e saj, domethënë, pamjen personale. Lëkura i ishte bërë e zeshkët dhe e thatë dhe, me siguri, flokët i kishte të pakrehur.

Ekziston gjithmonë rreziku i lënies pas dore të vreshtit tonë duke u zënë tepër me atë të dikujt tjetër. Për shembull, ekziston rreziku që të angazhohemi kaq shumë me ungjillëzimin e botës, që familja tonë të humb. Nëse Perëndia na jep fëmijë, ata fëmijë janë fusha e misionit tonë numër një. Kur të qëndrojmë para Zotit, një nga gëzimet më të mëdha do të jetë që të jemi në gjendje të themi: «Ja unë, dhe fëmijët që m’i dha Perëndia» (Heb. 2:13). Jo të gjitha shpërblimet e auditorëve vlerësues do të dëmshpërblejnë humbjen e bijve dhe bijave tona.

Shohim nga Shkrimi që përgjegjësia fillon në shtëpi. Mbasi Jezusi kishte nxjerrë demonët nga Legjioni, Ai e porositi atë: «Shko në shtëpinë tënde, te të tut dhe u trego atyre çfarë gjërash të mëdha bëri Zoti dhe si pati mëshirë për ty» (Marku 5:19). Me sa duket vendi më i vështirë për të ungjillëzuar është shpesh oborri ynë, por ai është vendi ku duhet të fillojmë.

Prapë, kur Zoti i autorizoi dishepujt e Vet, Ai tha: «...në Jerusalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut» (Veprat 1:8). Fillo në «Jerusalem» (në bazën e shtëpisë)!

Andrea ishte i vendosur që të mos e linte pas dore vreshtin e vet: «Ky gjeti më të parin vëllanë e vet, Simonin, dhe i tha: «E gjetëm Mesian që përkthyer do të thotë: "Krishti"» (Gjoni 1:41).

Sigurisht, ka raste kur një besimtar është besnik në përpjekjet për të fituar të afërmit për Zotin Jezus dhe, prapëseprapë, ata ngulin këmbë në mosbesimin e tyre. Ne nuk mund të garantojmë shpëtimin e përjetshëm të të afërmve dhe miqve tanë. Por ajo nga e cila duhet të ruhemi është mundësia që të jemi aq shumë të zënë duke u shërbyer të tjerëve, që e lëmë pas dore rrethin tonë familjar. Vreshti ynë, në raste të tilla, duhet të ketë përparësi.

Escrituras

Acerca de este Plan

Çdo ditë me radhë

Kjo është mënyra si duhet ta jetoni jetën: Çdo ditë me radhë. Por ajo që e bën tërë ndryshimin është se si e jetoni çdo ditë. Një mënyrë për t’u siguruar që ditët tona mbi tokë kanë vlerë për Perëndinë është ta mbushim mendjen dhe zemrën tonë me “Fjalën e rrënjosur” që të mund të rritemi me anë të saj. Ky është një libër me përsiatje gjallëruese mbi vargjet e Biblës nga shkrimet e freskëta dhe që e lartësojnë Krishtin nga autori William MacDonald.

More

Ky plan leximi u krijua nga Willian MacDonald. http://asamblejabiblike.al