YouVersion Logo
Search Icon

2 i Samuelit 11

11
1Me fillimin e vitit të ri, në kohën kur mbretërit shkojnë të luftojnë, Davidi dërgoi Joabin me shërbëtorët e tij dhe me tërë Izraelin për të shkatërruar vendin e bijve të Amonit dhe për të rrethuar Rabahun; por Davidi mbeti në Jeruzalem.
2Një mbrëmje u ngrit nga shtrati i tij dhe filloi të shëtisë në tarracën e pallatit mbretëror. Nga tarraca pa një grua që po bënte banjo; dhe gruaja ishte shumë e bukur.
3Kështu Davidi dërgoi të kërkojë informata për gruan; dhe i thanë: "Është Bath-Sheba, bija e Eliamit, bashkëshortja e hiteut Uriah".
4Davidi dërgoi lajmëtarë për ta marrë; kështu ajo erdhi tek ai dhe ajo ra në shtrat me të; pastaj u pastrua nga papastërtia e saj dhe u kthye në shtëpinë e vet.
5Gruaja mbeti me barrë dhe ia njoftoi Davidit, duke i thënë: "Jam me barrë".
6Atëherë Davidi dërgoi t'i thotë Joabit: "Dërgomë hiteun Uriah". Dhe Joabi dërgoi Uriahun te Davidi.
7Kur Uriahu arriti tek ai, Davidi e pyeti për gjendjen shëndetësore të Joabit dhe të popullit, dhe si shkonte lufta.
8Pastaj Davidi i tha Uriahut: "Zbrit në shtëpinë tënde dhe laji këmbët". Uriahu doli nga shtëpia e mbretit dhe i nisën një dhuratë nga ana e mbretit.
9Por Uriahu fjeti te porta e shtëpisë së mbretit bashkë me tërë shërbëtorët e zotërisë së tij dhe nuk zbriti në shtëpinë e tij.
10Kur e njoftuan Davidin për këtë gjë dhe i thanë: "Uriahu nuk zbriti në shtëpinë e tij". Davidi i tha Uriahut: "A nuk vjen vallë nga një udhëtim? Pse, pra, nuk zbrite në shtëpinë tënde?".
11Uriahu iu përgjigj Davidit: "Arka, Izraeli dhe Juda banojnë në çadra, zotëria im Joab dhe shërbëtorët e zotërisë tim e kanë ngritur kampin e tyre në fushë të hapur. Si mund të hyj unë në shtëpinë time për të ngrënë dhe për të pirë? Ashtu siç është e vërtetë që ti rron dhe që rron shpirti yt, unë nuk do ta bëj këtë gjë!".
12Atëherë Davidi i tha Uriahut: "Qëndro edhe sot këtu, nesër do të të lë të shkosh". Kështu Uriahu qëndroi në Jeruzalem atë ditë dhe ditën tjetër.
13Davidi e ftoi pastaj të hajë e të pijë bashkë me të dhe e dehu. Por në mbrëmje Uriahu doli për të shkuar në shtrojën e tij bashkë me shërbëtorët e zotërisë së tij dhe nuk zbriti në shtëpinë e tij.
14Të nesërmen në mëngjes, Davidi i shkroi një letër Joabit dhe ia dërgoi me anë të Uriahut.
15Në letër kishte shkruar kështu: "Vendoseni Uriahun në vijë të parë, ku beteja është më e ashpër, pastaj tërhiquni nga ai, me qëllim që të goditet dhe të vdesë".
16Ndërsa rrethonte qytetin, Joabi e vuri Uriahun në vendin ku e dinte se kishte njerëz trima.
17Banorët e qytetit bënë një dalje dhe sulmuan Joabin, disa nga shërbëtorët e Davidit ranë dhe vdiq edhe hiteu Uriah.
18Atëherë Joabi dërgoi një lajmëtar për t'i njoftuar Davidit tërë ngjarjet e luftës,
19dhe i dha lajmëtarit këtë urdhër: "Kur të kesh mbaruar së treguari mbretit tërë ngjarjet e luftës,
20në qoftë se ai zemërohet dhe të thotë: "Pse iu afruat qytetit për të luftuar? A nuk e dinit që do të gjuanin nga muret lart?
21Kush e vrau Abimelekun, birin e Jerubeshethit? A nuk qe një grua që i hodhi një gur nga muret, dhe kështu ai vdiq në Thebets?. Sepse ju jeni afruar te muret?", atëherë ti do të thuash: "Vdiq edhe shërbëtori yt hiteu Uriah"".
22Kështu lajmëtari u nis dhe, kur arriti, i tregoi Davidit të gjitha ato që Joabi e kishte ngarkuar të thoshte.
23Lajmëtari i tha Davidit: "Armiqtë patën epërsi mbi ne dhe bënë një dalje kundër nesh në fushë të hapur, por ne i sprapsëm deri në hyrjen e portës;
24atëherë harkëtarët gjuajtën mbi shërbëtorët e tu nga lartësia e mureve dhe disa shërbëtorë të mbretit vdiqën, dhe vdiq edhe shërbëtori yt, hiteu Uriah".
25Atëherë Davidi i tha lajmëtarit: "Do t'i thuash kështu Joabit: "Mos u hidhëro për këtë gjë, sepse shpata ha o njërin o tjetrin; lufto me forcë më të madhe kundër qytetit dhe shkatërroje". Dhe ti jepi zemër".
26Kur gruaja e Uriahut dëgjoi që burri i saj kishte vdekur, ajo mbajti zi për bashkëshortin e saj.
27Me të mbaruar zija, Davidi dërgoi ta marrë dhe e priti në shtëpinë e tij. Ajo u bë gruaja e tij dhe i lindi një djalë. Por ajo që Davidi kishte bërë nuk i pëlqeu Zotit.

Currently Selected:

2 i Samuelit 11: ALBB

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy