Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 22

22
Të ftuarit në dasmë
(Lk 14.15-24)
1Jezui filloi t'u fliste përsëri me shëmbëlltyra: 2«Mbretëria e qiejve i ngjan mbretit që bëri dasmë për të birin. 3Ai dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur ata që ishin ftuar në dasmë, por këta nuk donin të vinin. 4Përsëri dërgoi shërbëtorë të tjerë e u tha: “U thoni të ftuarve se gostia është gati. Demat e bagëtitë e majme i kam therur dhe gjithçka është përgatitur. Ejani në dasmë”. 5Por këta nuk u vunë vesh e shkuan kush në arën e vet e kush për punët e veta, 6ndërsa të ftuarit e tjerë i kapën shërbëtorët, i rrahën dhe i vranë. 7Mbreti u zemërua dhe dërgoi ushtarët e vet, që i vranë ata vrasës dhe i vunë zjarrin qytetit të tyre. 8Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: “Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë, 9prandaj dilni nëpër udhëkryqe e ftoni në dasmë këdo që të gjeni”. 10Shërbëtorët dolën nëpër rrugë dhe mblodhën të gjithë ata që gjetën, të këqij e të mirë. Kështu dhoma e dasmës u mbush plot. 11Por, kur hyri për të parë të ftuarit, mbreti pa një njeri që nuk ishte i veshur si për dasmë 12e i tha: “Mik, si ke hyrë këtu pa rrobën e dasmës?”. Ai nuk e hapi gojën. 13Pastaj mbreti u tha shërbëtorëve: “Lidheni këmbë e duar e hidheni përjashta në errësirë. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh”.
14Shumë janë të thirrur, por pak të zgjedhur».
Taksa e Cezarit
(Mk 12.13-17; Lk 20.20-26)
15Pastaj farisenjtë shkuan e u këshilluan si ta zinin Jezuin në kurth për ndonjë fjalë. 16Kështu dërguan te Jezui dishepujt e tyre dhe disa herodianë që i thanë: «Mësues, e dimë se je i vërtetë dhe se u mëson të tjerëve me vërtetësi udhën e Perëndisë, pa pyetur për njeri e pa u ndikuar nga askush. 17Na thuaj, pra, çfarë mendon, a është e lejueshme t'i paguhen taksat Cezarit, apo jo?». 18Por Jezui, duke e njohur ligësinë e tyre, u tha: «Përse më vini në provë, o hipokritë? 19Ma tregoni monedhën e taksës». Ata i sollën një monedhë. 20Jezui u tha: «E kujt është kjo figurë e ky mbishkrim?». 21Ata i thanë: «Të Cezarit». Atëherë Jezui u tha: «Jepini, pra, Cezarit ç'është e Cezarit dhe Perëndisë ç'është e Perëndisë». 22Kur e dëgjuan këtë, ata u mrekulluan. Pastaj e lanë Jezuin dhe ikën që andej.
Diskutimi për ngjalljen
(Mk 12.18-27; Lk 20.27-40)
23Po atë ditë erdhën te Jezui disa saducenj. Këta thonë se nuk ka ngjallje, prandaj e pyetën: 24«Mësues, Moisiu ka thënë: nëse një njeri vdes pa lënë fëmijë, vëllai i tij duhet të martohet me të venë për t'i dhënë trashëgimtarë të vëllait. 25Na ishin shtatë vëllezër. I pari u martua, vdiq pa lënë fëmijë dhe i la të venë vëllait të vet. 26Kështu ndodhi me të dytin, të tretin, e deri te i shtati. 27Pas të gjithëve vdiq edhe gruaja. 28Pas ngjalljes, gruaja e cilit prej të shtatëve do të jetë ajo, meqenëse të gjithë e patën për grua?». 29Por Jezui u përgjigj: «Gaboheni, se nuk njihni as Shkrimet, as fuqinë e Perëndisë. 30Pas ngjalljes njerëzit as nuk do të martohen, as nuk do të martojnë, por do të jenë si engjëjt në qiell. 31Për sa i përket ngjalljes së të vdekurve, a nuk e keni lexuar çfarë ju ka thënë Perëndia: 32unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit. Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve».
33Dhe turmat mahniteshin kur dëgjonin mësimin e tij.
Urdhërimi i madh
(Mk 12.28-34; Lk 10.25-28)
34Kur dëgjuan se Jezui ua kishte mbyllur gojën saducenjve, farisenjtë u mblodhën 35dhe njëri prej tyre, një mësues i ligjit, e pyeti për ta zënë në kurth: 36«Mësues, cili është urdhërimi më i madh i ligjit?». 37Jezui i tha: «Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde. 38Ky është urdhërimi më i madh dhe i pari. 39Dhe urdhërimi i dytë, i ngjashëm me këtë, është: duaje të afërtin si veten. 40Nga këto dy urdhërime varen tërë ligji dhe profetët».
Biri i Davidit
(Mk 12.35-37; Lk 20.41-44)
41Ndërsa farisenjtë ishin të mbledhur së bashku, Jezui i pyeti: 42«Çfarë mendoni për Krishtin? Biri i kujt është?». Ata i thanë: «Biri i Davidit». 43Jezui u tha: «Si vallë, Davidi përmes Shpirtit e quan atë Zot kur thotë:
44 i tha Zoti Zotit tim:
ulu në të djathtën time
derisa t'i vë armiqtë e tu
nën këmbët e tua.
45Nëse Davidi e quan Krishtin Zot, si mund të jetë ai Biri i Davidit?». 46Askush nuk mundi t'i përgjigjej qoftë edhe me një fjalë. Që nga ajo ditë askush nuk guxoi ta pyeste më.

Aktualisht i përzgjedhur:

Mateu 22: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë