Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Lartësitë e MiaShembull

Lartësitë e Mia

DITA 1 NGA 4

Jeta shpesh na vendos para maleve që duken të pakapërcyeshme, por fjala e Zotit na kujton se Ai na jep këmbë si të drerit për të ngjitur lartësitë tona.

Zoti, Zoti, është forca ime; ai do t'i bëjë këmbët e mia si ato të drerëve dhe do të më bëjë të eci mbi lartësitë e mia. Habakuku 3:19 ALBB

Habakuku na jep një imazh të fuqishëm: Perëndia është Ai që forcon këmbët tona si të drerit, duke na bërë të aftë të ngjitemi në vende që duken të paarritshme. Dreri ka këmbë të forta që e mbajnë në shpatet më të rrezikshme. Po kështu, Perëndia na jep forcë për të përballuar sfida dhe për të ngjitur lartësi të reja.

Sot ndalemi tek dy praktika themelore: lutja dhe agjërimi. Këto janë dy çelësa që hapin dyert për të ecur më lart me Perëndinë.

Pse është lutja kaq e rëndësishme?

Jezusi u tha dishepujve në Gjetsemani: “A nuk mundët të rrinit një orë duke u lutur?”. Shpesh edhe ne mendojmë se nuk dimë si të lutemi gjatë, por lutja nuk është një recitim monoton – është bisedë me Atin.

Ja pesë udhëzime praktike për një jetë lutjeje më të thellë:

1. Bëje lutjen prioritet.
Filloje ditën me Perëndinë. Para se të hapësh telefonin apo të nisesh për punë, thuaj një fjali të thjeshtë: “Ati im, këtë ditë e vendos në duart e Tua.” Kur i japim Atij të parit, Ai bekon gjithçka tjetër.

2. Gjej një vend të veçantë për t'u lutur.
Jezusi shpesh tërhiqej në vende të qeta për t’u lutur. Edhe ne kemi nevojë për një hapësirë ku mund të fokusohemi dhe të dëgjojmë zërin e Tij.

3. Bëj një plan lutjeje.
Efesianëve 6:18 na nxit të lutemi “në çdo kohë dhe me çdo lloj lutjeje”. Planifiko kohën dhe temat për të cilat do të lutesh.

4. Lutu me gjithë zemër.
Jakobi 5:16 na kujton se “lutja e të drejtit ka fuqi të madhe kur bëhet me gjithë shpirt”. Nuk ka të bëjë me zë të lartë, por me pasion dhe përkushtim.

5. Drejtoju Trinisë.
Ati na do, Biri na jep hir, Fryma e Shenjtë na udhëheq (2 Korintasve 13:14). Mëso të përjetosh marrëdhënie me secilin Person të Perëndisë.

Lutja nuk është mjet i fundit kur gjithçka tjetër dështon, por është reagimi ynë i parë.

Agjërimi: heq për të marrë më shumë

Andrew Murray e përshkruan bukur: “Lutja është të kërkosh atë që nuk shikohet; agjërimi është të lëshosh atë që shihet.”

Agjërimi na ndihmon të largohemi nga gjërat që na shpërqendrojnë dhe të afrohemi më shumë me Zotin. Ai është një disiplinë që na kujton se ne kemi më shumë nevojë për Perëndinë sesa për gjithçka tjetër.

Bibla na tregon se agjërimi ishte pjesë e vendimeve të mëdha dhe të jetës së kishës së parë (Veprat 13:2-3). Sot edhe ne mund të agjërojmë për arsye të ndryshme: për mrekulli, për shërim, për të dëgjuar më qartë zërin e Zotit, për të thyer një varësi, apo për të kërkuar drejtim të ri.

Ka disa forma agjërimi:

I plotë (vetëm ujë për një kohë të caktuar, gjithmonë duke marrë këshillë mjekësore).

Me përzgjedhje (si agjërimi i Danielit, vetëm me perime dhe ujë).

Me pjesë (heqja e një vakti në ditë).

Shpirtëror (heqja dorë nga diçka që të merr kohë dhe e zëvendëson me lutje e lexim të Biblës, p.sh. rrjete sociale, TV, lojëra).

Cilindo agjërim të zgjedhësh, qëllimi është i njëjtë: ta përdorësh atë kohë për të kërkuar fytyrën e Perëndisë. Jo thjesht të heqësh dorë nga diçka, por ta mbushësh atë kohë me Zotin.

Lutja e Zotit: model për çdo ditë

Dishepujt i thanë Jezusit: “Zot, na mëso të lutemi” (Luka 11:1). Ai iu dha një model – jo një recitim të thatë, por një strukturë që përfshin shtatë elemente:

1. Lidhu me Perëndinë si Atë ("Ati ynë që je në qiej").

2. Adhuro emrin e Tij ("U shenjtëroftë emri yt").

3. Kërko së pari vullnetin dhe mbretërinë e Tij ("Ardhtë mbretëria jote").

4. Beso për furnizimin e përditshëm ("Bukën tonë të përditshme…").

5. Kërko falje dhe jep falje ("Na i fal fajet tona…").

6. Kërko mbrojtje nga tundimi dhe nga i ligu. ("Mos na lejo të biem në tundim...")

7. Mbyll me lavdërim ("Jotja është mbretëria dhe fuqia…").

Ky model na kujton se lutja është marrëdhënie e gjallë me Atin. Ajo na forcon, na pastron, na pajton dhe na mbush me shpresë.

Lutje: "Ati im, faleminderit që je forca ime dhe më jep këmbë si të drerit për të ecur në lartësitë që ke për mua. Më ndihmo të bëj lutjen prioritet, të afrohem me Ty në çdo ditë dhe të heq dorë nga çdo gjë që më mban larg Teje. Dua të të njoh më shumë dhe të përjetoj dashurinë Tënde çdo ditë. Në emrin e Jezusit, amen.”

Rreth këtij plani

Lartësitë e Mia

A dëshiron të ecësh më lart me Perëndinë dhe të përjetosh fuqinë e Tij në jetën tënde? Ky plan të udhëheq përmes lutjes, Fjalës së Tij, bashkësisë dhe adhurimit, duke të ndihmuar të forcosh besimin dhe të mbushësh jetën me gëzim. Çdo ditë përmban mësime praktike, vargje biblike dhe lutje që të afrojnë më pranë Zotit. Zbulo si Perëndia të jep “këmbë si të drerit” për t'u ngjitur në lartësitë që Ai ka caktuar për ty.

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al