Solid Joys ShqipShembull

Të ngazëllosh në dhimbje
“Lum ju kur do t’ju fyejnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë çdo lloj fjale të keqe kundër jush, për shkakun tim. Gëzohuni dhe ngazëllehuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej.” (Mateu 5:11-12)
Hedonizmi i krishterë thotë se ka mënyra të ndryshme për t’u ngazëlluar në të vuajturit si i krishterë. Që të gjitha duhet të ndiqen si një shprehje e hirit të gjithëmjaftueshëm dhe plotësisht të kënaqshëm të Perëndisë.
Një mënyrë për të ngazëlluar në vuajtje vjen kur e ngulitim mendjen fort në madhështinë e shpërblimit që do të na vijë në ringjallje. Efekti i një përqendrimi të tillë është se e bën dhimbjen tonë të tanishme të duket e vogël në krahasim me atë që po vjen: “Sepse unë mendoj, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të zbulohet në ne” (Romakëve 8:18; krahaso me 2 e Korintasve 4:16-18). Duke e bërë vuajtjen të përballueshme, ngazëllimi për shpërblimin tonë do ta bëjë të mundur edhe dashurinë.
“Por ju t’i doni armiqtë tuaj, bëni të mirë dhe jepni hua pa pasur shpresë për asgjë, dhe shpërblimi juaj do të jetë i madh” (Luka 6:35). Jini bujarë me të varfrit “dhe do të jesh i lum, sepse ata nuk kanë se si të ta kthejnë; por shpërblimi do të të jepet në ringjallje të të drejtëve” (Luka 14:14). Siguria në këtë shpërblim të premtuar i këput litarët e frymës së botës dhe na çliron për ta përqafuar çmimin e dashurisë.
Një mënyrë tjetër për të ngazëlluar në vuajtje vjen nga efektet që vuajtja ka mbi sigurinë tonë të shpresës. Gëzimi në vuajtje nuk është i rrënjosur vetëm në shpresën e ringjalljes dhe shpërblimit, por edhe në mënyrën se si vetë vuajtja vepron për ta thelluar atë shpresë.
Për shembull, Pali thotë: “Dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngime duke ditur që shtrëngimi prodhon durimin, durimi përvojën dhe përvoja shpresën” (Romakëve 5:3-4).
Me fjalë të tjera, gëzimi i Palit nuk është thjesht i rrënjosur në shpërblimin e tij të madh, por edhe në efektin e vuajtjes që e përforcon shpresën e atij shpërblimi. Shtrëngimi prodhon durimin dhe durimi prodhon një ndjesi që besimi ynë është real dhe i vërtetë, dhe kjo e forcon shpresën tonë se me të vërtetë ne do të fitojmë Krishtin.
Prandaj, pavarësisht nëse përqendrohemi te pasuritë e shpërblimit apo tek efektet rafinuese të vuajtjes, qëllimi i Perëndisë është që gëzimi ynë në vuajtje të përforcohet.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione