Marku 13:14-19
Marku 13:14-19 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
«Por kur të shihni tmerrin e shkretimit që qëndron atje ku nuk i takon, “kush lexon le ta kuptojë”, atëherë ata që janë në Jude le të arratisen maleve. Ai që do të ndodhet mbi çati, të mos zbresë e të mos hyjë brenda për të marrë gjë nga shtëpia e tij! Ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë gunën! Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë! Lutuni që kjo të mos ndodhë në dimër, sepse në ato ditë do të bjerë një mjerim i paparë ndonjëherë deri më sot, që kur Perëndia krijoi gjithçka, e të tillë mjerim nuk do të ketë më kurrë.
Marku 13:14-19 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe kur të shihni neverinë e shkatërrimit, të parathënë nga profeti Daniel, e cila qëndron atje ku nuk duhej të ishte (ai që lexon le ta kuptojë), atëherë ata që do të jenë në Jude, le të ikin maleve. Dhe ai që ndodhet mbi çatinë e shtëpisë, të mos zbresë, dhe as të hyjë në shtëpi për të marrë ndonjë gjë nga shtëpia e vet. Dhe ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë rrobën e vet. Tani mjerë gratë shtatzëna dhe ato me fëmijë në gji në ato ditë! Dhe lutuni që ikja juaj të mos ndodhë në dimër. Sepse në atë ditë do të jetë një mundim i madh, më i madhi që ka ndodhur që nga zanafilla e krijimit që kreu Perëndia deri më sot, dhe të tillë nuk do të ketë më kurrë.