Mateu 9:9-13
Mateu 9:9-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Si u largua prej andej, Jezui pa një njeri që rrinte ulur në bankën e tagrave. Ai quhej Mate. Jezui i tha: «Më ndiq!». Ai u ngrit e i shkoi pas. Ndërsa ishin ulur për të ngrënë në shtëpinë e Mateut, erdhën shumë tagrambledhës e mëkatarë, që u ulën në tryezë me Jezuin dhe me dishepujt e tij. Kur panë këtë gjë, farisenjtë u thanë dishepujve: «Përse mësuesi juaj ha me tagrambledhës e me mëkatarë?». Por kur e dëgjoi këtë, Jezui tha: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. Shkoni e mësoni çfarë do të thotë: dua mëshirë e jo flijime. Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët».
Mateu 9:9-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj Jezusi, duke shkuar tutje, pa një burrë që rrinte në doganë, i quajtur Mate, dhe i tha: ''Ndiqmë!''. Dhe ai u çua dhe e ndoqi. Dhe ndodhi që, kur Jezusi u ul në tryezë në shtëpi, erdhën shumë tagrambledhës dhe mëkatarë dhe u ulën në tryezë bashkë me të dhe me dishepujt e tij. Farisenjtë, kur e panë këtë, u thanë dishepujve të tij: ''Pse Mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhësit dhe me mëkatarët?''. Jezusi, mbasi i dëgjoi, u tha atyre: ''Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. Tani shkoni dhe mësoni ç'do të thotë: "Unë dua mëshirë dhe jo flijime". Sepse unë nuk erdha për të thirrur në pendim të drejtët, por mëkatarët''.