2 i Mbretërve 6:8-17
2 i Mbretërve 6:8-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Mbreti i Aramit i shpalli luftë Izraelit. Ai u këshillua me shërbëtorët e tij dhe vendosi: «Ushtria ime do të fushojë në atë vend». Njeriu i Perëndisë i dërgoi lajm mbretit të Izraelit e i tha: «Bëj kujdes se mos kalon nëpër atë vend, sepse atje kanë zënë pritë luftëtarët e Aramit». Atëherë mbreti i Izraelit dërgoi luftëtarë te vendi që i tregoi njeriu i Perëndisë. Kjo u përsërit më shumë se dy herë. Eliseu e paralajmëronte mbretin dhe mbreti bënte kujdes për t'u mbrojtur. Shumë i tronditur në zemër nga kjo ngjarje, mbreti i Aramit thirri shërbëtorët e tij e u tha: «A mund të më thoni kush nga ju mban anën e mbretit të Izraelit?». Një nga shërbëtorët iu përgjigj: «Askush, imzot mbret, por profeti Elise që është në Izrael ia tregon mbretit të Izraelit të gjitha fjalët që ti thua në dhomën e gjumit». Mbreti tha: «Shkoni e shihni ku gjendet, që të dërgoj njerëz për ta kapur». E lajmëruan e i thanë se Eliseu gjendej në Dotan. Atëherë mbreti i Aramit dërgoi kalorës, karroca lufte dhe shumë luftëtarë, që mbërritën natën dhe rrethuan qytetin. Të nesërmen, shërbëtori i njeriut të Perëndisë u ngrit herët dhe, kur doli jashtë, pa një ushtri me kuaj e karroca lufte, që kishte rrethuar qytetin. Shërbëtori i tha Eliseut: «Ah, imzot, çfarë do të bëjmë?». Eliseu iu përgjigj: «Mos ki frikë, sepse ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta». Pastaj Eliseu u lut e tha: «O ZOT, të lutem, hapi sytë e shërbëtorit tim, që të shikojë!». Atëherë ZOTI ia hapi sytë shërbëtorit të Eliseut dhe, ja, përreth Eliseut pa malin të mbushur me kuaj e me karroca të zjarrta.
2 i Mbretërve 6:8-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ndërsa mbreti i Sirisë ishte në luftë kundër Izraelit, duke u këshilluar me shërbëtorët e tij, ai tha: "Kampi im do të jetë në filan vend". Atëherë njeriu i Perëndisë dërgoi t'i thotë mbretit të Izraelit: "Mos trego pakujdesi për filan vend, sepse aty po zbresin sirët". Prandaj mbreti i Izraelit dërgoi njerëz në vendin që njeriu i Perëndisë i kishte treguar dhe e kishte paralajmëruar të tregohej i kujdesshëm. Kështu ai u tregua vigjilent ndaj këtij vendi dhe kjo ndodhi jo vetëm një a dy herë. Shumë i tronditur në zemër të tij për këtë gjë, mbreti i Sirisë mblodhi shërbëtorët e tij dhe u tha: "A dini të më thoni se kush nga tanët mban anën e mbretit të Izraelit?". Një nga shërbëtorët e tij u përgjigj: "Asnjeri, o mbret, imzot, por Eliseu, profeti që ndodhet në Izrael, i bën të njohur mbretit të Izraelit bile edhe fjalët që ti thua në dhomën e gjumit". Atëherë mbreti tha: "Shkoni të shihni se ku është, që të mund të dërgoj njerëz për ta marrë". I bënë këtë njoftim: "Ja, ndodhet në Dothan". Kështu mbreti dërgoi aty kuaj, qerre dhe një ushtri të madhe; këta arritën natën dhe rrethuan qytetin. Të nesërmen shërbëtori i njeriut të Perëndisë u ngrit në mëngjes dhe doli; dhe ja, qyteti ishte rrethuar nga një ushtri me kuaj dhe kalorës. Atëherë shërbëtori i tij i tha: "Oh, ç'do të bëjmë, imzot?". Ai u përgjigj: "Mos ki frikë, sepse ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta". Pastaj Eliseu u lut dhe tha: "O Zot, të lutem, hap sytë e tij që të mund të shohë". Atëherë Zoti ia hapi sytë të riut dhe ai pa; dhe ja, mali ishte plot me kuaj dhe me qerre të zjarrta rreth e qark Eliseut.