Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Kënga e këngëve 4:1-16

Kënga e këngëve 4:1-16 AL1

Sa e bukur je, o mikja ime, sa e bukur je! Si pëllumba sytë e tu për nën vellon tënde, flokët e tu si tufë dhish, shpatit të Gileadit, dhëmbët e tu si tufë delesh të qethura, të gjitha dalë nga larja, mbarsur me binjakë, se asnjëra s'mbet pa pjellë. Porsi fije të kuqe janë buzët e tua e joshëse goja jote. Porsi thelë shege janë mollëzat e tua për nën vellon tënde. Qafa jote, si kulla e Davidit, ndërtuar me shtresa, ku varen një mijë shqyte me tërë mburojat e burrave trimoshë. Dy gjinjtë e tu si dy kaproj binjakë të drenushës, kullotës ndër lilakë. Pa pushuar era e ditës e para se të zhduken hijet, do të shkoj mbi malin e mirrës e mbi kodrën e temjanit. Krejt e bukur je, o mikja ime, e asnjë të metë ti s'ke. Me mua, o nuse, me mua nga Libani eja, zbrit nga maja e Amanasë, nga majat e Senirit e Hermonit, nga strofujt e luanëve, nga malet e leopardëve. Ti ma vodhe zemrën, motërza ime, nuse, ti ma vodhe zemrën veç me një shikim, veç me njërin varg të gushores sate. Sa të këndshme janë ato dhelet e tua, o motërza ime, nuse! Më dehëse se vera janë dhelet e tua. Të mermë vajrat e tu mbi të gjitha erëzat. Buzët e tua si hoje pikojnë, o nuse, nën gjuhë mjaltë ke e qumësht, porsi erë Libani era e petkut tënd. Kopsht i ndryrë je ti, o motërza ime, nuse, kopsht i ndryrë je ti e gurrë e vulosur. Njomëzat e tua janë kopsht shegësh me fryte të zgjedhura, me këna e nard, me nard e shafran, shavar e kanellë, me çdo bimë temjani, mirre, aloeje e me tëra kryeerëzat. Burimi i kopshtit, gurra e ujit të gjallë që rrjedh nga Libani! Ngrihu, o murrlan, eja ti, o jugë, fryni në kopshtin tim, që t'i përhapen erëzat e brenda kopshtit të vet të vijë i shtrenjti im e t'i hajë ai frytet më të mira.