Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 54:2-13

Isaia 54:2-13 AL1

Zgjeroje vendin e tendës sate, shtriji pa kursim pëlhurat e banesës sate, zgjati litarët e tendës sate, hunjtë e saj përforcoji, se do të përhapesh në të djathtë e në të majtë, pasardhësit e tu do të zotërojnë kombet, qytetet e shkretuara do t'i popullojnë. Mos ki frikë, se nuk do të turpërohesh, mos u skuq, se nuk do të çnderohesh. Turpin e rinisë do ta harrosh, çnderimin e vejërisë më s'do ta kujtosh. Krijuesi yt do të jetë bashkëshorti yt, ZOT i ushtrive është emri i tij. Shpenguesi yt është i shenjti i Izraelit, Perëndi i mbarë tokës quhet ai. Se si një grua të lënë, të lënduar në shpirt, të thirri ZOTI. «Gruaja e viteve të rinisë a hidhet poshtë?», thotë Perëndia yt. «Për pak kohë të lashë, por nga dhembshuria e madhe po të marr sërish. Kur më shpërtheu zemërimi, e fsheha për një çast fytyrën prej teje, por nga mirësia e amshuar pata dhembshuri për ty», thotë ZOTI, shpenguesi yt. «Si në ditët e Noeut është tani për mua, kur u betova se ujërat e Noeut s'do të vërshonin më mbi tokë. Po ashtu betohem se s'do të zemërohem më me ty e më nuk do të të kërcënoj. Malet mund të tunden vendit e kodrat mund të tranden, por mirësia ime për ty s'do të tundet dhe besëlidhja e paqes sime s'do të trandet», thotë ZOTI që ka dhembshuri për ty. O e pikëlluar, e rrahur prej stuhive, e pangushëlluar! Ja, me gurë të çmuar do të të ndërtoj, themelet e tua mbi safirë do t'i vendos. Muret e tua prej rubini do t'i bëj, portat e tua me gurë berili, gjithë rrethimin tënd me gurë të çmuar. Të gjithë bijtë e tu do të mësojnë prej ZOTIT, e madhe do të jetë paqja e bijve të tu!