YouVersion Logo
Search Icon

Luka 3:7-18

Luka 3:7-18 AL1

Gjoni u thoshte turmave që vinin për t'u pagëzuar tek ai: «Pjellë nepërkash! Kush ju mësoi t'i ikni zemërimit që po vjen? Jepni fryte të denja pendimi e mos filloni t'i thoni vetes: kemi për atë Abrahamin. Unë po ju them se Perëndia mund t'i japë bij Abrahamit edhe nga këta gurë. Që tani pemëve u është vënë sëpata në rrënjë. Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë, pritet e hidhet në zjarr». Turmat e pyetën: «Ç'duhet të bëjmë, atëherë?». Gjoni u përgjigj: «Kush ka dy tunika, le t'ia japë njërën atij që nuk ka. Ai që ka për të ngrënë, le të veprojë po kështu». Erdhën për t'u pagëzuar edhe tagrambledhësit e i thanë: «Mësues, ç'duhet të bëjmë?». Ai u tha: «Mos mblidhni më shumë nga ç'ju është ngarkuar». Edhe disa ushtarë e pyetën: «Po ne, ç'duhet të bëjmë?». Gjoni u tha: «Mos i merrni askujt gjë me dhunë e duke mashtruar, por kënaquni me pagën tuaj». Populli ishte në pritje dhe të gjithë mendonin në zemrat e tyre se mos Gjoni ishte Krishti. Atëherë Gjoni u tha: «Unë po ju pagëzoj me ujë, por po vjen dikush më i fuqishëm se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t'i zgjidh sandalet. Ai do t'ju pagëzojë me Shpirtin e shenjtë e me zjarr. Ai e mban në dorë terploten për ta ndarë grurin nga kashta. Grurin do ta mbledhë në grunarin e tij, ndërsa kashtën do ta djegë në zjarrin që nuk shuhet kurrë». Gjoni ia shpallte lajmin e mirë popullit edhe me shumë porosi të tjera.