Ata që u binin borive dhe këngëtarët këndonin në një zë, duke i thurur himne ZOTIT e duke falënderuar me tingujt e borive, cimbaleve e veglave të tjera muzikore, e duke thënë:
«Përlëvdoni ZOTIN, se është i mirë,
se mirësia e tij mbetet përjetë».
Atëherë, tempulli i ZOTIT u mbulua nga një re. Priftërinjtë nuk mundën të qëndronin më në tempull e të kryenin shërbesën për shkak të resë. Tempullin e Perëndisë e kishte mbushur lavdia e ZOTIT.