51
1Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembshurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë.
2Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im,
3Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara.
4Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon.
5Ja, unë jam mbrujtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat.
6Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës.
7Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora.
8Bëj që të ndiej gëzim dhe ngazëllim; bëj që kockat që ke thyer të kremtojnë edhe ato.
9Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia.
10O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.
11Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë.
12Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkrahmë me frymë dashamirës.
13Atëherë do t'u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje.
14Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde.
15O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd.
16Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as holokausti.
17Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.
18Bëj të mirën Sionit për dashamirësinë tënde, ndërto muret e Jeruzalemit.
19Atëherë do të gëzohesh në flijimet e drejtësisë, në holokaustet dhe në ofertat që digjen tërësisht; atëherë do të ofrohen dema të rinj mbi altarin tënd.
Loading reference in secondary version...