Mateu 16 ALBB [abbreviation] brought to you by [publisher] Learn more

Devotional

Versions

Cancel
 
16
1Pastaj iu afruan farisenjtë dhe saducenjtë dhe, për ta tunduar, i kërkuan që t'u tregojë një shenjë nga qielli.
2Por ai iu përgjigj atyre dhe tha: ''Në mbrëmje ju thoni: "Do të jetë mot i mirë, sepse qielli është i kuq".
3Dhe në mëngjes thoni: "Sot do të jetë stuhi, sepse qielli është i kuq dhe i vranët". Hipokritë, pra, ju dini të dalloni dukuritë e qiellit, por nuk arrini të kuptoni shenjat e kohës?
4Një brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, por nuk do t'i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së profetit Jona''. Dhe i la ata dhe shkoi.
5Kur dishepujt e vet arritën në bregun tjetër, ja që kishin harruar të marrin bukë me vete.
6Dhe Jezusi u tha atyre: ''Kini kujdes dhe ruhuni nga majaja e farisenjve dhe e saducenjve!''.
7Dhe ata arsyetuan ndërmjet tyre duke thënë: ''Se nuk kemi marrë bukë''.
8Por Jezusi i vuri re e iu tha atyre: ''O njerëz besimpakë, përse diskutoni ndërmjet jush që nuk keni marrë bukë?
9Nuk e keni kuptuar akoma dhe nuk kujtoni të pesë bukët për pesë mijë burrat dhe sa kosha keni mbledhur?
10Dhe të shtatë bukët për katër mijë burra dhe sa kosha keni mbushur?
11Si nuk kuptoni që nuk e kisha fjalën për bukën kur ju thashë të ruheni nga majaja e farisenjve dhe saducenjve?''.
12Atëherë ata e kuptuan se ai nuk u kishte thënë të ruheshin nga majaja e bukës, por nga doktrina e farisenjve dhe të saducenjve.
13Pastaj Jezusi, mbasi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti dishepujt e vet: ''Kush thonë njerëzit se jam unë, i Biri i njeriut?''.
14Dhe ata thanë: ''Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, të tjerë Jeremia, ose një nga profetët''.
15Ai u tha atyre: ''Po ju, kush thoni se jam unë?''.
16Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: ''Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë''.
17Dhe Jezusi duke përgjigjur u tha: ''I lum je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej.
18Dhe unë po të them gjithashtu se ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë.
19Dhe unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve; gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej''.
20Atëherë i urdhëroi dishepujt e vet që të mos i thoshin askujt se ai ishte Jezusi, Krishti.
21Që nga ai çast Jezusi filloi t'u sqarojë dishepujve të vet se i duhej të shkonte në Jeruzalem, të vuante shumë për shkak të pleqve, të krerëve të priftërinjve dhe të skribëve, se do të vritej dhe do të ringjallej të tretën ditë.
22Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe nisi ta qortojë duke thënë: ''O Zot, të shpëtoftë Perëndia; kjo nuk do të të ndodhë kurrë''.
23Por ai u kthye dhe i tha Pjetrit: ''Shporru prej meje, o Satan! Ti je një skandal për mua, sepse s'ke ndër mend punët e Perëndisë, por punët e njerëzve''.
24Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: ''Në qoftë se dikush do të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë.
25Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë.
26Ç'përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet? Ose çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet?
27Sepse Biri i njeriut do të vijë në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e tij; dhe atëherë ai do të shpërblejë secilin sipas veprës së tij.
28Në të vërtetë ju them se disa nga ata që janë të pranishëm këtu nuk do të vdesin pa e shikuar më parë Birin e njeriut duke ardhur në mbretërinë e vet''.