Eksodi 21 ALBB [abbreviation] brought to you by [publisher] Learn more

Devotional

Versions

Cancel
 
21
1"Tani këto janë ligjet që do t'u vësh para tyre:
2Në rast se blen një skllav hebre, ai do të të shërbejë gjashtë vjet; por vitin e shtatë do të shkojë i lirë, pa paguar asgjë.
3Në rast se ka ardhur vetëm, do të shkojë vetëm; po të kishte grua, e shoqja do të shkojë bashkë me të.
4Në qoftë se zotëria e tij i jep grua dhe kjo i lind bij e bija, gruaja dhe fëmijët e saj do të jenë të zotërisë, dhe ai do të shkojë vetëm.
5Por në qoftë se skllavi thotë haptazi: "Unë e dua zotërinë time, gruan time dhe fëmijët e mi, dhe nuk dua të shkoj i lirë",
6atëherë pronari e tij do t'ia afrojë Perëndisë dhe do ta avitë te dera ose te shtalka; pastaj pronari e tij do t'i shpojë veshin me një fëndyell; dhe ai do t'i shërbejë përgjithnjë.
7Në rast se dikush shet bijën e tij si shërbëtore, ajo nuk do të shkojë ashtu si shkojnë skllevërit.
8Në qoftë se ajo nuk i pëlqen zotërisë së saj, që e kishte marrë për vete, ai do ta lërë të shpengohet; por nuk do të ketë të drejtën tua shesë njerëzve të huaj, sepse kjo do të ishte ta trajtosh me mashtrim.
9Dhe në qoftë se e marton me birin e tij, do ta trajtojë në bazë të së drejtës të të bijave.
10Në rast se merr një grua tjetër, ai nuk do të pakësojë ushqimin dhe veshmbathjen e saj, as edhe bashkëbanimin e saj.
11Në rast se nuk bën këto tri gjëra për të, ajo do të shkojë pa dhënë asgjë, pa paguar çmim.
12Kush rreh një njeri dhe për këtë shkak ky vdes, do të dënohet me vdekje.
13Në qoftë se nuk i ka ngritur kurrfarë prite, por Perëndia ka bërë që t'i bjerë në dorë, unë do të caktoj një vend ku ai mund të gjejë strehë.
14Në qoftë se ndokush vepron me paramendim kundër të afërmit të tij për ta vrarë me mashtrim, ti do ta shkëputësh edhe nga altari im, për të siguruar vdekjen e tij.
15Kush rreh atin ose nënën e tij do të dënohet me vdekje.
16Kush rrëmben një njeri dhe e shet, ose gjendet në duart e tij, do të dënohet me vdekje.
17Kush mallkon të atin ose të ëmën do të dënohet me vdekje.
18Në qoftë se dy njerëz zihen dhe njëri prej tyre godet tjetrin me gur ose me grusht dhe ky nuk vdes, por duhet të qëndrojë në shtrat,
19dhe në se pastaj ngrihet dhe ecën jashtë duke u mbështetur me bastun, ai që e ka goditur do të nxirret i pafajshëm; do ta zhdëmtojë vetëm për kohën e humbur dhe do ta kurojë deri në shërim të plotë.
20Në qoftë se dikush rreh skllavin ose skllaven e tij me bastun, dhe ai ose ajo i vdesin në dorë, zotëria do të dënohet;
21por në rast se mbijeton një ose dy ditë, nuk do të dënohet, sepse është pronë e tij.
22Në rast se disa grinden dhe rrahin një grua me barrë aq sa ajo të dështojë, por nuk pëson dëme të tjera, rrahësi do të gjobitet aq sa t'i kërkojë bashkëshorti i gruas; ai do të paguajë zhdëmtimin sipas përcaktimit të gjykatësve;
23por po të jetë se rrjedh ndonjë dëm, do të japësh jetë për jetë,
24sy për sy, dhëmb për dhëmb, dorë për dorë, këmbë për këmbë,
25djegie për djegie, plagë për plagë, mbretje për mbretje.
26Në rast se dikush godet syrin e skllavit ose të skllaves së tij dhe ai humbet, do t'i lërë të shkojnë të lirë si kompensim për syrin e humbur.
27Dhe në rast se shkakton rënien e një dhëmbi skllavit ose skllaves së tij, do t'i lërë të shkojnë të lirë si kompensim për dhëmbin e humbur.
28Në rast se një ka godet për vdekje me brirët e tij një burrë ose një grua, kau duhet të vritet me gurë dhe mishi i tij nuk do të hahet; por i zoti i kaut do të konsiderohet i pafajshëm.
29Por në qoftë se kau e kishte zakon prej kohësh të plagoste me brirët e tij dhe i zoti ishte paralajmëruar, por nuk e kishte mbajtur të mbyllur, dhe kau pastaj vret një burrë o një grua, kau do të vritet me gurë dhe i zoti gjithashtu do të vritet.
30Në qoftë se i caktohet një çmim për shpengim, ai duhet të japë për të shpenguar jetën e tij aq sa i kanë caktuar.
31Në qoftë se kau godet një bir ose një bijë, do të veprohet ndaj tij sipas po këtij ligji.
32Në qoftë se kau godet një skllav ose një skllave, i zoti i kaut do t'i paguajë të zotit të skllavit tridhjetë sikla argjendi dhe kau do të vritet me gurë.
33Në qoftë se dikush hap një gropë, ose dikush gërmon një gropë dhe nuk e mbulon, dhe një ka ose një gomar bien brenda,
34pronari i gropës do ta paguajë zhdëmtimin; ai do t'i paguajë me para pronarit vleftën e kafshës dhe kafsha e ngordhur do të jetë e tij.
35Në qoftë se kau i një njeriu godet për vdekje kaun e një tjetri, do të shitet kau i gjallë dhe do të ndahet çmimi i tij; edhe kau i ngordhur do të ndahet midis tyre.
36Por në qoftë se dihet se ky ka e kishte zakon prej kohe të godiste me brirët, dhe i zoti nuk e ka mbajtur të mbyllur, ky do të paguajë ka për ka dhe kafsha e ngordhur do të jetë e tij".