12
1Pastaj Zoti i dërgoi Nathanin Davidit; dhe Nathani shkoi tek ai dhe i tha: "Na ishin dy njerëz në të njëjtin qytet, njeri i pasur dhe tjetri i varfër.
2I pasuri kishte një numër të madh kopesh me bagëti të imët dhe të trashë;
3por i varfri nuk kishte asgjë, veçse një qengj femër që e kishte blerë dhe ushqyer; ai ishte rritur bashkë me të dhe me fëmijët e tij, duke ngrënë ushqimin e tij, duke pirë në kupën e tij dhe duke fjetur mbi gjirin e tij; ishte për të si bija e tij.
4Një udhëtar arriti në shtëpinë e njeriut të pasur; ky refuzoi të merrte ndonjë bagëti nga kopetë e tij për t'i përgatitur për të ngrënë udhëtarit që kishte ardhur tek ai, por mori manarin e njeriut të varfër dhe e gatoi për njeriun që i kishte ardhur"
5Atëherë zemërimi i Davidit u rrit me të madhe kundër këtij njeriu dhe i tha Nathanit: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, ai që ka bërë këtë gjë meriton të vdesë!
6Ai do ta paguajë katërfish vlerën e manarit, sepse ka bërë një gjë të tillë dhe nuk ka pasur mëshirë".
7Atëherë Nathani i tha Davidit: "Ti je ai njeri! Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Unë të kam vajosur mbret të Izraelit dhe të kam çliruar nga duart e Saulit.
8Të kam dhënë shtëpinë e zotërisë sate, të kam vënë në krahët e tua gratë e zotërisë tënd dhe të kam dhënë shtëpinë e Izraelit dhe të Judës; dhe në qoftë se kjo ishte shumë pak, unë do të të kisha dhënë shumë gjëra të tjera.
9Pse, pra, ke përçmuar fjalën e Zotit, duke bërë atë që është e keqe për sytë e tij? Ti ke bërë të vdesë me shpatë hiteun Uriah, more për grua bashkëshorten e tij dhe e vrave me shpatën e bijve të Amonit.
10Kështu, pra, shpata nuk do të largohet kurrë nga shtëpia jote, sepse ti më ke përçmuar dhe ke marrë gruan e hiteut Uriah si bashkëshorten tënde".
11Kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të sjell kundër teje fatkeqësinë nga vetë shtëpia jote, dhe do t'i marrë gratë e tua para syve të tu për t'ia dhënë një tjetri, që do të bashkohet me to ditën.
12Sepse ti e ke bërë këtë gjë fshehurazi, kurse unë do ta bëj përpara tërë Izraelit në dritën e diellit".
13Atëherë Davidi i tha Nathanit: "Kam mëkatuar kundër Zotit". Nathani iu përgjigj Davidit: "Zoti e ka hequr mëkatin tënd; ti nuk ke për të vdekur.
14Megjithatë, duke qenë se më këto veprime u ke dhënë rastin armiqve të Zotit të blasfemojnë, djali që ka lindur duhet të vdesë".
15Pastaj Nathani u kthye në shtëpinë e vet. Kështu Zoti goditi fëmijën që bashkëshortja e Uriahut i kishte lindur Davidit, dhe ai u sëmur.
16Atëherë Davidi iu lut Perëndisë për fëmijën dhe agjëroi; pastaj hyri në shtëpi dhe e kaloi natën i shtrirë për tokë.
17Pleqtë e shtëpisë së tij ngulën këmbë që ai të ngrihej nga toka, por ai nuk deshi dhe nuk pranoj të hante me ta.
18Ditën e shtatë fëmija vdiq dhe shërbëtorët e Davidit kishin frikë t'i njoftonin që fëmija kishte vdekur, sepse thoshin: "Ja, kur fëmija ishte akoma i gjallë, ne i kemi folur, por ai nuk i dëgjonte fjalët tona. Si të bëjmë tani për t'i thënë se fëmija ka vdekur? Kjo mund t'i shkaktojë ndonjë të keqe".
19Kur Davidi pa që shërbëtorët e tij flisnin me zë të ulët, e kuptoi se fëmija kishte vdekur; prandaj Davidi u tha shërbëtorëve të tij: "Ka vdekur fëmija?". Ata u përgjigjën: "Ka vdekur".
20Atëherë Davidi u ngrit nga toka, u la, u vajos dhe ndërroi rrobat; pastaj shkoi në shtëpinë e Zotit dhe ra përmbys; pastaj u kthye në shtëpinë e tij dhe kërkoi t'i sillnin ushqim dhe hëngri.
21Shërbëtorët e tij i thanë: "Ç'bëre? Kur fëmija ishte akoma gjallë ti ke agjëruar dhe ke qarë; mbas vdekjes së fëmijës, u ngrite dhe hëngre".
22Ai u përgjigj: "Kur fëmija ishte akoma gjallë, unë agjëroja dhe qaja, sepse thosha: "Kushedi Zotit mund t'i vijë keq për mua dhe e lë fëmijën të jetojë?". Por tani ai ka vdekur. Pse duhet të agjëroj?
23Vallë, a kam mundësi ta kthej? Unë do të shkoj tek ai, por ai nuk do të kthehet tek unë!".
24Pastaj Davidi ngushëlloi Bath-Shebën, bashkëshorten e tij, hyri tek ajo dhe ra në shtrat me të; kështu ajo lindi një djalë, që ai e quajti Salomon; dhe Zoti e deshi.
25Pastaj dërgoi një mesazh me anë të profetit Nathan që i vuri emrin Jedidiah, për shkak të dashurisë të Zotit.
26Ndërkaq Joabi luftonte kundër Rabahut të bijve të Amonit dhe pushtoi qytetin mbretëror.
27Pastaj Joabi i dërgoi lajmëtarë Davidit për t'i thënë: "Kam sulmuar Rabahun dhe kam shtënë në dorë rezervat e tij të ujit.
28Prandaj tani mblidh popullin që ka mbetur, vendos kampin tënd përballë qytetit dhe shtjere atë në dorë, përndryshe do ta marr unë qytetin dhe ai do të mbajë emrin tim".
29Atëherë Davidi mblodhi tërë popullin, shkoi në Rabah, e sulmoi dhe e pushtoi.
30Hoqi pastaj kurorën nga koka e mbretit të tyre; ajo peshonte një talent ari dhe kishte gurë të çmuar; ajo u vu mbi kokën e Davidit. Ai mori me vete gjithashtu nga qyteti një plaçkë të madhe.
31I nxori banorët që ishin në qytet dhe i vuri të punonin me sharra, me lesa dhe më sëpata prej hekuri, i futi të punojnë në furrat e tullave; kështu bëri në të gjitha qytetet e bijve të Amonit. Pastaj Davidi u kthye në Jeruzalem bashkë me tërë popullin.
Loading reference in secondary version...