YouVersion Logo
Search Icon

Gjyqtarët 3

3
1Këto janë kombet që Zoti la me qëllim që me anë të tyre të vinte në provë Izraelin, domethënë tërë ata që nuk kishin njohur luftërat e Kanaanit:
2(kjo kishte si qëllim të vetëm t'ua bënte të njohur dhe t'u mësonte bijve të Izraelit luftën, të paktën atyre që nuk e kishin njohur më parë)
3pesë princat e filistenjve, tërë kanaanenjtë, sidonitët dhe hivenjtë që banonin në malin e Libanit, nga mali i Baal-Hermonit deri në hyrje të Hamathit.
4Këto kombe u lanë për të vënë në provë Izraelin, për të parë në se ata do t'u bindeshin urdhërimeve që Zoti u kishte dhënë etërve të tyre me anë të Moisiut.
5Kështu bijtë e Izraelit banuan në mes të kanaanenjve, të hitenjve, të amorenjve, të perezenjve, të hivenjve dhe të jebusenjve;
6u martuan me bijat e tyre dhe u dhanë bijat e veta për gra bijve të tyre, dhe u shërbyen perëndive të tyre.
7Kështu bijtë e Izraelit bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit; e harruan Zotin, Perëndinë e tyre, dhe i shërbyen Baalit dhe Asherothit.
8Prandaj zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit, dhe ai i dorëzoi në duart e Kushan-Rishathaimit për tetë vjet me radhë.
9Pastaj bijtë e Izraelit i klithën Zotit dhe Zoti u dha një çlirimtar, Othnielin, birin e Kenazit, vëllai i vogël i Kalebit; dhe ky i çliroi.
10Fryma e Zotit ishte mbi të, dhe ai ishte gjyqtar i Izraelit; doli për të luftuar dhe Zoti i dha në dorë Kushan-Rishathaimin, mbretin e Mesopotamisë, dhe dora e tij qe e fuqishme kundër Kushan-Rishathaimit.
11Vendi pati paqe për dyzet vjet me radhë; pastaj Othnieli, bir i Kenazit, vdiq.
12Por bijtë e Izraelit filluan përsëri të bëjnë atë që është e keqe në sytë e Zotit; atëherë Zoti e bëri të fortë Eglonin, mbretin e Moabit, kundër Izraelit, sepse ata kishin bërë atë që ishte e keqe në sytë e Zotit.
13Egloni mblodhi rreth vetes bijtë e Amonit dhe të Amalekut, dhe u nis e mundi Izraelin; dhe pushtoi qytetin e palmave.
14Kështu bijtë e Izraelit u bënë shërbëtorë të Eglonit, mbretit të Moabit, për tetëmbëdhjetë vjet.
15Por bijtë e Izraelit i klithën Zotit dhe Zoti u dha atyre një çlirimtar, Ehudin, birin e Gerit, beniaminitin, që ishte mëngjarash. Bijtë e Izraelit i dërguan nëpërmjet tij haraçin e tyre Eglonit, mbretit të Moabit.
16Ehudi bëri një shpatë me dy tehe, të gjatë një kubitë; e ngjeshi në brez poshtë veshjes, në krahun e djathtë.
17Pastaj i çoi haraçin Eglonit, mbretit të Moabit, që ishte një njeri shumë i trashë.
18Kur mbaroi paraqitja e haraçit, ai ktheu në shtëpi njerëzit që kishin sjellë haraçin.
19Por ai vetë, nga vendi i idhujve pranë Gilgalit, u kthye prapa dhe tha: "O mbret, kam diçka që dua të të them fshehurazi". Mbreti i tha: "Heshtni!". Dhe të gjithë ata që e shoqëronin dolën jashtë.
20Atëherë Ehudi iu afrua mbretit (që ishte ulur vetëm në fresk, në sallën lart). Ehudi i tha: "Kam një fjalë për të të thënë nga ana e Zotit". Kështu mbreti u ngrit nga froni i tij;
21atëherë Ehudi zgjati dorën e majtë, nxori shpatën nga krahu i djathtë dhe ia futi në bark.
22Edhe doreza e shpatës u fut pas presës dhe dhjami u mbyll pas presës sepse ai nuk e tërhoqi shpatën nga barku i mbretit; dhe zorrët e tij dolën jashtë.
23Pastaj Ehudi dolli në portik, dhe mbylli me çelës dyert e sallës së sipërme.
24Kur doli; erdhën shërbëtorët për të parë, dhe ja, dyert e sallës së sipërme ishin mbyllur me çelës; kështu ata thanë: "Me siguri ai bën nevojën e tij në dhomëzën e sallës së freskët".
25Dhe pritën aq sa e ndjenë veten të shushatur; por duke qenë se nuk po hapeshin portat e sallës, ata morën çelësin dhe e hapën; dhe ja, zotëria e tyre rrinte shtrirë në tokë: ai kishte vdekur.
26Ndërsa ata ngurronin, Ehudi pati kohë të ikte, kaloi matanë vendit të idhujve dhe shpëtoi duke arritur në Seirah.
27Me të arritur, i ra borisë në krahinën malore të Efraimit, dhe bijtë e Izraelit zbritën bashkë me të nga krahina malore, dhe ai u vu në krye të tyre.
28Dhe u tha atyre: "Ejani pas meje, sepse Zoti ju ka dhënë në dorë moabitët, armiqtë tuaj". Ata zbritën pas tij, zunë vatë e Jordanit që çojnë në Moab, dhe nuk lanë të kalojë asnjeri.
29Në atë kohë mundën rreth dhjetë mijë moabitë, të gjithë të fortë dhe trima; nuk shpëtoi as edhe një.
30Kështu atë ditë Moabi u poshtërua nga dora e Izraelit, dhe vendi pati paqe tetëdhjetë vjet me radhë.
31Mbas Ehudit, erdhi Shamgari, bir i Anathit. Ai mundi gjashtëqind filistenj me një hosten qesh; edhe ai çliroi Izraelin.

Currently Selected:

Gjyqtarët 3: ALBB

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy