YouVersion Logo
Search Icon

Eksodi 3

3
1Ndërkaq Moisiu po kulloste kopenë e Jethros, vjehrrit të tij dhe prift i Midianit; ai e çoi kopenë matanë shkretëtirës dhe arriti në malin e Perëndisë, në Horeb.
2Dhe Engjëlli i Zotit iu shfaq në një flakë zjarri, në mes të një ferrishteje. Moisiu vështroi dhe ja që ferrishtja po digjej nga zjarri, por nuk konsumohej.
3Atëherë Moisiu tha: "Tani do të zhvendosem për të parë këtë shfaqje madhështore: pse ferrishtja nuk po konsumohet!".
4Zoti vuri re që ai ishte zhvendosur për të parë, dhe Perëndia e thirri nga mesi i ferrishtes dhe i tha: "Moisi, Moisi!". Ai u përgjigj: "Ja ku jam".
5Perëndia tha: "Mos u afro këtu: hiq sandalet nga këmbët, sepse vendi në të cilin ndodhesh është vend i shenjtë".
6Pastaj tha dhe këto fjalë: "Unë jam Perëndia i atit tënd, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit". Dhe Moisiu fshehu fytyrën e tij, sepse kishte frikë të shikonte Perëndinë.
7Pastaj Zoti tha: "Sigurisht që e kam parë pikëllimin e popullit tim që ndodhet në Egjipt dhe e kam dëgjuar britmën e tij për shkak të shtypësve të tij, sepse i njoh vuajtjet e tij.
8Kështu zbrita për ta çliruar nga dora e egjiptasve dhe për ta çuar nga ky vend në një vend të mirë dhe të hapur, në një vend ku rrjedh qumështi dhe mjalti, në vendin ku ndodhen kanaanenjtë, hitenjtë, amorenjtë, perezenjtë, hivenjtë dhe jebusenjtë.
9Dhe tani, ja britma e bijve të Izraelit ka arritur deri tek unë, dhe kam parë gjithashtu se si egjiptasit i shtypin.
10Prandaj eja dhe unë do të të dërgoj te Faraoni me qëllim që ta nxjerrësh popullin tim, bijtë e Izraelit, nga Egjipti".
11Por Moisiu i tha Perëndisë: "Kush jam unë që të shkoj te Faraoni dhe t'i nxjerr bijtë e Izraelit nga Egjipti?".
12Perëndia tha: "Unë do të jem me ty, dhe kjo do të jetë për ty shenja që të kam dërguar unë: Kur ta kesh nxjerrë popullin nga Egjipti, ju do t'i shërbeni Perëndisë mbi këtë mal".
13Atëherë Moisiu i tha Perëndisë: "Ja, kur të shkoj te bijtë e Izraelit dhe t'u them: "Perëndia i etërve tuaj më ka dërguar te ju", po të jetë se ata më thonë: "Cili është emri i tij?", ç'përgjigje duhet t'u jap?".
14Perëndia i tha Moisiut: "UNË JAM AI QË JAM". Pastaj tha: "Do t'u thuash kështu bijve të Izraelit: "UNË JAM-i më ka dërguar tek ju"".
15Perëndia i tha akoma Moisiut: "Do t'u thuash kështu bijve të Izraelit: "Zoti, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit më ka dërguar tek ju. Ky është emri im përjetë. Ky ka për të qenë gjithnjë emri im me të cilin do të kujtohem nga të gjitha breznitë".
16Shko dhe mblidh pleqtë e Izraelit dhe u thuaj atyre: "Zoti, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Jakobit m'u shfaq, duke thënë: Unë patjetër ju kam vizituar dhe kam parë atë që ju bëjnë në Egjipt;
17dhe kam thënë: Nga shtypja e Egjiptit do t'ju çoj në vendin e kanaanenjve, të hitenjve, të amorenjve, të perezenjve, të hivenjve dhe të jebusenjve, në një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë".
18Dhe ata do t'i binden zërit tënd; dhe ti dhe pleqtë e Izraelit do të shkoni te mbreti i Egjiptit dhe do t'i thoni: "Zoti, Perëndia i hebrenjve na doli përpara; dhe tani na lër të shkojmë dhe të bëjmë tri ditë rrugë në shkretëtirë, që t'i bëjmë fli Zotit, Perëndisë tonë".
19Por unë e di që mbreti i Egjiptit nuk do t'ju lejojë të shkoni, veç po të jetë i shtrënguar nga një dorë e fuqishme.
20Atëherë unë do të shtrij dorën time dhe do të godas Egjiptin me të gjitha mrekullitë që unë do të bëj në mes tyre; pas kësaj ai do t'ju lërë të ikni.
21Dhe do t'i jap këtij populli të mira para syve të egjiptasve; dhe do të ndodhë që kur të niseni, nuk do të shkoni duarbosh;
22por çdo grua do t'i kërkojë fqinjës së saj dhe gruas që banon në shtëpinë e saj sende argjendi, sende ari dhe rroba; dhe ju do t'ua vini në shtat bijve dhe bijave tuaja; kështu do t'i zhvishni egjiptasit".

Currently Selected:

Eksodi 3: ALBB

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy