YouVersion Logo
Search Icon

Gjoni 9

9
Shërimi i të verbrit
1Ndërsa po ecte, Jezui pa një njeri që kishte lindur i verbër. 2Dishepujt e pyetën: «Mësues, kush ka mëkatuar që ai ka lindur i verbër, ai vetë apo prindërit e tij?». 3Jezui u përgjigj: «Nuk kanë mëkatuar as ai e as prindërit e tij, por ka lindur i verbër që në të të shfaqen veprat e Perëndisë. 4Sa është ditë, duhet të bëjmë veprat e atij që më dërgoi. Po vjen nata kur askush nuk mund të veprojë. 5Për sa kohë të jem në botë, jam drita e botës».
6Si tha këto, Jezui pështyu në tokë, bëri baltë me pështymë e ia leu sytë me baltë të verbrit. 7Pastaj i tha: «Shko e lahu te hurdha e Siloamit!», që do të thotë i Dërguari. Ai shkoi, u la dhe kur u kthye, shikonte.
8Atëherë fqinjët dhe ata që më përpara e kishin parë duke lypur, thoshin: «A nuk është ky ai që rrinte ulur e lypte?». 9Disa thoshin: «Ai është», ndërsa të tjerë: «Jo, nuk është ai, por i ngjan». Ndërsa ai vetë thoshte: «Unë jam». 10Atëherë ata e pyetën: «Si t'u hapën sytë?». 11Ai u përgjigj: «Njeriu që quhet Jezu bëri baltë, m'i leu sytë e më tha: “Shko te hurdha e Siloamit e lahu!”. Unë shkova, u lava e pashë». 12Ata e pyetën: «Ku është ai njeri?». Ai u përgjigj: «Nuk e di».
Farisenjtë hetojnë shërimin
13Atëherë atë që kishte qenë dikur i verbër e çuan te farisenjtë. 14Dita që Jezui bëri baltën dhe hapi sytë e të verbrit, kishte qenë e shtunë. 15Farisenjtë e pyetën përsëri sesi e fitoi dritën e syve. Ai u tha: «Më vuri baltë mbi sy, u lava e tani shoh».
16Disa nga farisenjtë thoshin: «Ai njeri nuk është nga Perëndia, se nuk e respekton të shtunën». Disa të tjerë thoshin: «Si mund të bëjë shenja të tilla një njeri mëkatar?». Dhe u përçanë mes tyre.
17Ata e pyetën përsëri të verbrin: «Ti çfarë thua për atë që t'i hapi sytë?». Ai u tha: «Është profet».
18Derisa thirrën prindërit e tij, judenjtë nuk donin të besonin se ai kishte qenë i verbër e tani shihte. 19Pastaj i pyetën prindërit e tij: «A është ky biri juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? E si shihka tani?». 20Prindërit e tij u përgjigjën: «E dimë se ky është biri ynë dhe se ka lindur i verbër, 21por nuk e dimë sesi sheh tani, as se kush ia hapi sytë. Pyeteni vetë, ai e ka moshën për të folur për veten». 22Prindërit e tij i thanë këto, se kishin frikë nga judenjtë, të cilët kishin vendosur të përjashtonin nga sinagoga këdo që do të rrëfente se Jezui është Krishti. 23Prandaj edhe prindërit e tij thanë: «Ai e ka moshën, pyeteni vetë!».
24Atëherë thirrën përsëri njeriun që kishte qenë i verbër e i thanë: «Jepi lavdi Perëndisë! Ne e dimë se ai njeri është mëkatar». 25Ai u përgjigj: «Në është mëkatar apo jo nuk e di. Një gjë di, që isha i verbër e tani shoh». 26Ata e pyetën: «Çfarë të bëri? Si t'i hapi sytë?». 27Ai u përgjigj: «Jua thashë një herë e nuk më dëgjuat. Përse doni ta dëgjoni përsëri? Mos doni të bëheni edhe ju dishepuj të tij?». 28Ata e fyen e i thanë: «Ti je dishepull i tij, ndërsa ne jemi dishepuj të Moisiut. 29Ne e dimë se Perëndia i ka folur Moisiut, ndërsa për atë nuk e dimë as nga është». 30Ai u përgjigj: «Është për t'u habitur! Ju nuk e dini nga është e megjithatë ai më hapi sytë. 31E dimë se Perëndia nuk i dëgjon mëkatarët, por dëgjon atë që e respekton e që bën vullnetin e tij. 32Nuk është dëgjuar kurrë që dikush të ketë hapur sytë e dikujt që ka lindur i verbër. 33Nëse ai nuk do të ishte nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë».
34Ata i thanë: «Ti ke lindur i tëri në mëkate e do që të na mësosh ne?». Dhe e nxorën jashtë.
Verbëria shpirtërore
35Kur Jezui mori vesh se e kishin nxjerrë jashtë, e gjeti e i tha: «A beson ti në Birin e njeriut?». 36Ai u përgjigj: «Kush është, zotëri, që të besoj në të?». 37Jezui i tha: «Ti e ke parë. Është ai që po flet me ty». 38«Besoj, o Zot!», i tha ai e ra në gjunjë para tij.
39Pastaj Jezui tha: «Unë kam ardhur për të bërë gjyq në këtë botë, që të shohin ata që nuk shohin e të verbohen ata që shohin». 40Disa nga farisenjtë që ishin me të, kur dëgjuan këto fjalë, i thanë: «A mos jemi edhe ne të verbër?». 41Jezui u tha: «Po të ishit të verbër, nuk do të kishit mëkat, por tani thoni se shihni, prandaj mëkati juaj mbetet».

Currently Selected:

Gjoni 9: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy