YouVersion Logo
Search Icon

Gjoni 21

21
U shfaqet shtatë dishepujve
1Më pas Jezui iu shfaq përsëri dishepujve pranë liqenit të Tiberiadës dhe iu shfaq kështu: 2Simon Pjetri, Thomai, që e quanin Binjak, Natanaeli nga Kana e Galilesë, bijtë e Zebedeut dhe dy dishepuj të tjerë ishin bashkë. 3Simon Pjetri u tha: «Po shkoj të peshkoj». Ata i thanë: «Po vijmë edhe ne me ty». Shkuan e hipën në varkë, por atë natë nuk zunë asgjë.
4Kur kishte zbardhur tashmë, Jezui po qëndronte në breg, por dishepujt nuk e njohën që ishte ai. 5Atëherë Jezui u tha: «Djem, mos keni ndonjë gjë për të ngrënë?». Ata iu përgjigjën: «Jo». 6Ai u tha: «Hidhni rrjetën në të djathtë të varkës dhe do të kapni peshq». E hodhën rrjetën dhe nuk mund ta tërhiqnin nga numri i madh i peshqve. 7Dishepulli që Jezui e donte i tha Pjetrit: «Është Zoti». Kur dëgjoi se ishte Zoti, Simon Pjetri veshi rrobat, se ishte i zhveshur, e u hodh në liqen. 8Erdhën edhe dishepujt e tjerë me varkë duke tërhequr rrjetën e peshqve. Ata ishin rreth njëqind metra larg nga bregu.
9Kur dolën në tokë, panë një zjarr me prush mbi të cilin ishin vënë peshk e bukë. 10Jezui u tha: «Sillni nga peshqit që sapo zutë!». 11Simon Pjetri hipi në varkë dhe nxori në tokë rrjetën të mbushur plot me njëqind e pesëdhjetë e tre peshq të mëdhenj. Megjithëse ishin aq shumë, rrjeta nuk u shqye.
12Jezui u tha: «Ejani të hani!». Asnjë nga dishepujt nuk guxonte ta pyeste: «Kush je ti?», sepse e dinin që ishte Zoti. 13Atëherë Jezui u afrua, mori bukën e ua dha. Po kështu bëri edhe me peshkun.
14Kjo ishte tashmë hera e tretë që Jezui u ishte shfaqur dishepujve pasi ishte ngjallur prej të vdekurve.
Jezui dhe Pjetri
15Kur mbaruan së ngrëni, Jezui i tha Simon Pjetrit: «Simon i Gjonit, a më do më shumë se këta të tjerët?». Pjetri i tha: «Po, Zot, ti e di se të dua». Jezui i tha: «Kulloti qengjat e mi!».
16Jezui i tha përsëri për herë të dytë: «Simon i Gjonit, a më do?». Pjetri iu përgjigj: «Po, Zot, ti e di se të dua». Jezui i tha: «Ruaji delet e mia!».
17Jezui e pyeti për herë të tretë: «Simon i Gjonit, a më do?». Pjetri u trishtua që e pyeti për herë të tretë «A më do?», prandaj i tha: «Zot, ti i di të gjitha. Ti e di se të dua». Jezui i tha: «Kulloti delet e mia! 18Me të vërtetë po të them se kur ishe i ri, e ngjishje rripin në brez e shkoje ku të doje, por kur të plakesh do të shtrish duart dhe dikush tjetër do të ta ngjeshë rripin e do të të çojë atje ku ti nuk do të doje».
19Këtë e tha për të treguar se me ç'vdekje do të përlëvdonte Pjetri Perëndinë. Pastaj i tha: «Më ndiq!».
Jezui dhe dishepulli i dashur
20Pjetri u kthye dhe pa se po i ndiqte edhe dishepulli që Jezui e donte, ai që ishte mbështetur mbi kraharorin e Jezuit gjatë darkës dhe i kishte thënë: «Zot, kush është ai që po të tradhton?». 21Pjetri, kur e pa, i tha Jezuit: «Zot, po me të ç'do të bëhet?». 22Jezui i tha: «Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë, ty ç'të duhet? Ti më ndiq!». 23Atëherë midis vëllezërve u përhap fjala se ai dishepull nuk do të vdiste, por Jezui nuk kishte thënë se ai nuk do të vdiste, por «Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë, ty ç'të duhet?».
24Ky është dishepulli që dëshmon për këto gjëra dhe që i shkroi ato. Ne e dimë se dëshmia e tij është e vërtetë.
25Ka edhe shumë gjëra të tjera që bëri Jezui që, po të shkruheshin një nga një, them se do të bëheshin aq libra sa as bota e tërë nuk do t'i nxinte.

Currently Selected:

Gjoni 21: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy