YouVersion Logo
Search Icon

Gjoni 10

10
Bariu i mirë
1«Me të vërtetë po ju them: kush nuk hyn nga dera në vathën e deleve, por hyn nga një anë tjetër duke u kacavjerrë, është vjedhës e kusar. 2Kush hyn nga dera, ai është bariu i deleve. 3Rojtari ia hap derën dhe delet ia dëgjojnë zërin. Ai i thërret delet e tij me emër e u prin përjashta. 4Pasi i ka nxjerrë delet e veta, ecën para tyre dhe ato i shkojnë pas, sepse ia njohin zërin. 5Një të huaji nuk i shkojnë pas, por largohen prej tij, sepse të huajve nuk ia njohin zërin». 6Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk e kuptuan për çfarë u foli.
7Jezui u tha përsëri: «Me të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve. 8Të gjithë sa erdhën para meje janë vjedhës e kusarë, por delet nuk i dëgjuan. 9Unë jam dera. Kush hyn nëpërmjet meje do të shpëtojë. Do të hyjë e do të dalë e do të gjejë kullotë. 10Vjedhësi vjen vetëm për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar. Unë erdha që të kenë jetë e ta kenë të plotë.
11Unë jam bariu i mirë. Bariu i mirë jep jetën për delet. 12Ndërsa rrogëtari, që nuk është bari e nuk i ka delet të tijat, kur shikon ujkun duke ardhur, i lë delet e ikën. Ujku i rrëmben ato e i shpërndan, 13sepse rrogëtari është rrogëtar e nuk shqetësohet për delet.
14Unë jam bariu i mirë. Unë i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua, 15ashtu si Ati më njeh mua, edhe unë e njoh Atin dhe jap jetën për delet. 16Kam edhe dele të tjera që nuk janë prej kësaj vathe. Duhet t'i mbledh edhe ato. Do ta dëgjojnë zërin tim e do të bëhen një tufë dhe një bari.
17Prandaj më do Ati, sepse unë e jap jetën time që ta marr përsëri. 18Askush nuk mund të ma marrë, por unë e jap vetë. Kam pushtet ta jap e kam pushtet ta marr përsëri. Këtë urdhërim mora nga Ati im».
19Këto fjalë shkaktuan përsëri përçarje mes judenjve. 20Shumë prej tyre thoshin: «Ka djallin dhe është i marrë. Përse e dëgjoni?». 21Ndërsa të tjerë thoshin: «Këto fjalë nuk dalin nga një që ka djallin. A mundet djalli të hapë sytë e të verbërve?».
Judenjtë nuk e pranojnë Jezuin
22Në Jerusalem po kremtohej festa e Kushtimit. Ishte dimër. 23Jezui po ecte në tempull në Portikun e Solomonit. 24Atëherë judenjtë e rrethuan e i thanë: «Deri kur do të na e mbash mendjen pezull? Nëse je ti Krishti, na e thuaj hapur». 25Jezui u përgjigj: «Unë jua thashë, por ju nuk besoni. Veprat që unë bëj në emër të Atit tim dëshmojnë për mua, 26por ju nuk besoni, se nuk jeni nga delet e mia. 27Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh e ato më ndjekin pas. 28Unë u jap atyre jetën e amshuar. Ato nuk do të humbasin kurrë e askush nuk do t'i rrëmbejë nga dora ime. 29Ati im, që m'i ka dhënë, është më i madh se të gjithë dhe askush nuk mund të rrëmbejë gjë nga dora e tij. 30Unë dhe Ati jemi një».
31Judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë. 32Jezui u tha: «Shumë vepra të mira nga Ati kam bërë para jush. Për cilën nga ato doni të më vrisni me gurë?». 33Judenjtë iu përgjigjën: «Nuk duam të të vrasim me gurë për ndonjë vepër të mirë, por për fyerje ndaj Perëndisë, sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi». 34Jezui u tha: «A nuk është shkruar në ligjin tuaj: unë thashë: jeni perëndi. 35Perëndia i quajti perëndi ata të cilëve iu drejtua fjala e tij dhe Shkrimi nuk mund të hidhet poshtë. 36Atëherë, si mund t'i thoni ju atij që Ati e shenjtëroi dhe e dërgoi në botë “fyen Perëndinë”, vetëm sepse kam thënë “jam Biri i Perëndisë”? 37Nëse nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni, 38por nëse i bëj, edhe nëse nuk më besoni mua, besojuni veprave të mia, që të shihni e të kuptoni se Ati është në mua dhe unë në Atin».
39Përsëri donin ta kapnin, por Jezui u iku nga duart. 40Ai shkoi sërish në bregun tjetër të Jordanit, në vendin ku më parë pagëzonte Gjoni dhe qëndroi atje. 41Shumë njerëz shkuan tek ai e thoshin: «Gjoni nuk bëri asnjë shenjë, por gjithçka tha për të është e vërtetë». 42Dhe atje besuan në të shumë njerëz.

Currently Selected:

Gjoni 10: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy