1
Mishërimi i Fjalës
1Në fillim ishte Fjala.
Fjala ishte me Perëndinë#1.1 të tjerë Hyjin..
Fjala ishte Perëndi.
2Fjala ishte që në fillim
me Perëndinë.
3Gjithçka u bë nëpërmjet tij
dhe asgjë e krijuar nuk u bë pa të.
4Në të gjendej jeta
dhe jeta ishte drita e njerëzve.
5Drita ndriçon në errësirë
dhe errësira nuk e mundi dot#1.5 ose nuk e kuptoi..
6Perëndia dërgoi një njeri
që quhej Gjon#1.6 ose Joan..
7Ai erdhi të jepte dëshmi
për dritën,
që të gjithë të besojnë
nëpërmjet tij.
8Ai nuk ishte drita,
por dëshmitar i dritës.
9Fjala ishte drita e vërtetë,
e cila vjen në botë
dhe ndriçon çdo njeri.
10Ai ishte në botë
dhe bota u bë
nëpërmjet tij,
por bota nuk e njohu.
11Ai erdhi në vendin e vet,
por njerëzit e tij nuk e pranuan.
12Atyre që e pranuan
dhe besuan në emrin e tij,
u dha të drejtën
të bëhen bij të Perëndisë.
13Ata nuk u lindën prej gjakut,
as prej vullnetit njerëzor
a prej dëshirës së burrit,
por prej Perëndisë.
14Dhe Fjala u mishërua#1.14 ose u bë mish.
e banoi mes nesh.
Ne e pamë lavdinë e tij,
lavdi e Birit të vetëmlindur të Atit,
plot hir dhe të vërtetë.
15Gjoni dëshmoi për të. Ai tha me zë të lartë: «Ky është ai për të cilin thashë: Ai që vjen pas meje është më i madh se unë, sepse ishte para meje».
16Ne të gjithë morëm hir mbi hir prej plotësisë së tij. 17Ligji u dha përmes Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën përmes Jezu#1.17 të tjerë Jisu; Jezus. Krishtit. 18Askush nuk e ka parë ndonjëherë Perëndinë. Biri i vetëmlindur që është në gjirin e Atit, ai na e bëri të njohur.
Dëshmia e Gjon Pagëzorit
(Mt 3.1-12; Mk 1.2-8; Lk 3.15-17)
19Kjo është dëshmia e Gjonit kur të parët e judenjve nga Jerusalemi i dërguan priftërinj dhe levitë që ta pyesin: «Kush je ti?». 20Ai nuk ngurroi të përgjigjej, por rrëfeu: «Unë nuk jam Krishti». 21Ata e pyetën: «Atëherë, kush je ti? A mos je Elia?». Gjoni tha: «Jo, nuk jam». «A mos je profeti?». Ai u përgjigj: «Jo».
22Atëherë i thanë: «Kush je ti? Se duhet t’u japim një përgjigje atyre që na dërguan. Ç’thua për veten tënde?».
23Gjoni tha: «Unë jam zëri që thërret në shkretëtirë: Bëni gati udhën për Zotin!». Kështu kishte thënë edhe profeti Isaia.
24Të dërguarit ishin nga farisenjtë. 25Ata e pyetën: «Nëse ti nuk je Krishti, as Elia dhe as profeti, atëherë, përse pagëzon?».
26Gjoni u përgjigj: «Unë pagëzoj me ujë, por mes jush qëndron ai që ju nuk e njihni. 27Ai vjen pas meje, por unë nuk jam i denjë as t’i zgjidh lidhëset e sandaleve». 28Të gjitha këto ndodhën në Betani#1.28 Fshat në anën tjetër të lumit Jordan, që është i panjohur për ne; ky nuk duhet ngatërruar me fshatin me të njëjtin emër që ndodhet pranë Jerusalemit (shih Lk 19.29 dhe shënimin aty)., në anën tjetër të lumit Jordan, ku Gjoni po pagëzonte.
Qengji i Perëndisë
29Të nesërmen Gjoni pa Jezuin që po vinte drejt tij dhe tha:
«Ja Qengji i Perëndisë, që merr mbi vete mëkatin e botës! 30Ky është ai për të cilin ju thashë: “Pas meje vjen dikush që është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje.” 31Unë nuk e njihja atë, prandaj erdha të pagëzoj me ujë që t’ia zbuloj Izraelit».
32Gjoni dëshmoi: «Pashë Shpirtin#1.32 të tjerë Frymën. e Perëndisë tek zbriste prej qiellit si pëllumb dhe që qëndroi mbi të. 33Unë nuk e njihja atë, por ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë më tha: “Ai mbi të cilin do të shohësh Shpirtin duke zbritur dhe duke qëndruar mbi të, është ai që do të pagëzojë me Shpirtin e Shenjtë.” 34Unë e kam parë dhe dëshmoj se ky është Biri i Perëndisë».
Dishepujt e parë të Jezuit
35Të nesërmen, Gjoni po qëndronte sërish atje bashkë me dy prej dishepujve të tij 36dhe kur pa Jezuin që po kalonte, tha: «Ja Qengji i Perëndisë!». 37Dy dishepujt, kur dëgjuan çfarë tha Gjoni, i shkuan pas Jezuit.
38Jezui u kthye, dhe kur pa se po i shkonin pas, i pyeti: «Çfarë kërkoni?». Ata i thanë: «Rabbi - që do të thotë mësues - ku banon?».
39Jezui u tha: «Ejani dhe shihni!». Ata shkuan, panë se ku banonte dhe atë ditë qëndruan me të. Ora ishte rreth katër e pasdites#1.39 ose rreth orës së dhjetë..
40Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, ishte njëri prej atyre të dyve që ndoqën Jezuin, pasi dëgjuan çfarë tha Gjoni. 41Ai takoi të parin vëllanë e vet, Simonin, dhe i tha: «Gjetëm Mesinë!», domethënë Krishtin.
42Pastaj e çoi atë te Jezui, i cili sapo e pa, i tha: «Ti je Simoni, biri i Gjonit. Ti do të quhesh Kefa», që do të thotë Pjetër, shkëmb.
Jezui thërret Filipin dhe Natanaelin
43Të nesërmen, Jezui vendosi të shkojë në Galile. Ai takoi Filipin dhe i tha: «Më ndiq!». 44Filipi ishte nga Betsaida#1.44 Qytet që ndodhet në veri të Liqenit të Tiberiadës., nga qyteti i Andreas dhe Pjetrit.
45Filipi gjeti Natanaelin dhe i tha: «E gjetëm atë për të cilin kanë shkruar Moisiu në ligj dhe profetët, Jezuin nga Nazareti, të birin e Jozefit».
46Natanaeli e pyeti: «A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti?».
«Eja e shih!» - iu përgjigj Filipi.
47Jezui pa Natanaelin që po shkonte drejt tij dhe tha për të: «Ja një izraelit i vërtetë tek i cili nuk ka mashtrim!».
48Natanaeli e pyeti: «Nga më njeh?».
Jezui iu përgjigj: «Të pashë kur ishe nën fik, përpara se të të thërriste Filipi».
49Natanaeli tha: «Mësues, ti je Biri i Perëndisë! Ti je mbreti i Izraelit!».
50Jezui i tha: «Ti beson vetëm sepse të thashë se të pashë nën fik? Do të shohësh gjëra edhe më të mëdha!». 51Pastaj Jezui i tha: «Me të vërtetë po ju them: do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur dhe duke zbritur mbi Birin e njeriut».
Loading reference in secondary version...
Interconfessional Bible Society of Albania