Marku 1
AL

Marku 1

1
Predikimi i Gjon Pagëzorit
(Mt 3.1-12; Lk 3.1-9, 15-17; Gjn 1.19-28)
1Fillimi i ungjillit të Jezu#1.1 të tjerë Jisu; Jezus. Krishtit, Birit të Perëndisë#1.1 të tjerë Hyjit.. 2Ndodhi sikurse është shkruar te profeti Isaia:
Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim
përpara teje,
që të përgatisë udhën tënde.
3 Ai është zëri
që thërret në shkretëtirë:
bëni gati udhën për Zotin,
drejtoni shtigjet e tij.
4Gjon#1.4 ose Joan. Pagëzori doli në shkretëtirë dhe u predikonte njerëzve të pendoheshin e të pagëzoheshin, që t'u faleshin mëkatet.
5Njerëz nga e gjithë krahina e Judesë dhe të gjithë banorët e Jerusalemit shkonin tek ai dhe pagëzoheshin prej tij në lumin Jordan, duke rrëfyer haptazi mëkatet e tyre.
6Gjoni ishte i veshur me një rrobë prej leshi deveje, mbante një brez lëkure rreth ijëve dhe hante karkaleca e mjaltë të egër.
7Ai predikonte e thoshte: «Pas meje vjen ai që është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë të ulem as për t'i zgjidhur lidhëset e sandaleve#1.7 Zgjidhja apo lidhja e sandaleve konsiderohej si detyrë e një skllavi.. 8Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t'ju pagëzojë me Shpirtin#1.8 të tjerë Frymën. e Shenjtë».
Pagëzimi i Jezuit
(Mt 3.13-17; Lk 3.21-22)
9Gjatë atyre ditëve Jezui erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua prej Gjonit në Jordan. 10Menjëherë, ndërsa po dilte nga uji, pa qiejt që po hapeshin dhe Shpirtin e Shenjtë si një pëllumb duke zbritur mbi të. 11Atëherë u dëgjua një zë nga qielli: «Ti je Biri im i dashur. Me ty jam i kënaqur».
Tundimi i Jezuit
(Mt 4.1-11; Lk 4.1-13)
12Menjëherë Shpirti i Shenjtë e çoi Jezuin në shkretëtirë. 13Ai qëndroi në shkretëtirë dyzet ditë, i tunduar nga Satani. Rrinte me egërsira dhe engjëjt i shërbenin.
Fillon shërbesa në Galile
(Mt 4.12-17; Lk 4.14-15)
14Pas arrestimit të Gjonit, Jezui shkoi në Galile, ku predikonte ungjillin e Perëndisë 15dhe thoshte: «Erdhi koha, mbretëria e Perëndisë është afër; pendohuni dhe besoni në ungjill».
Thirrja e katër peshkatarëve
(Mt 4.18-22; Lk 5.1-11)
16Ndërsa po kalonte bregut të Liqenit#1.16 ose detit. të Galilesë#1.16 Liqeni i Galilesënë Dhiatën e Re, është quajtur edhe Deti apo Liqeni i Tiberiadës(Gjn 6.1; 21.1) apo i Gjenesaretit(Lk 5.1). Hebrenjtë përdornin emrin det, për të gjithë hapësirat e mëdha me ujë: det, liqen madje edhe basenet e mëdhenj (shih 1Mbr 7.23-26)., Jezui pa Simonin dhe Andrean, vëllanë e Simonit, që po hidhnin rrjetat në liqen. Ata ishin peshkatarë. 17Jezui u tha: «Ejani pas meje dhe unë do t'ju bëj peshkatarë njerëzish». 18Ata lanë menjëherë rrjetat dhe shkuan pas tij.
19Pak më tutje Jezui pa Jakobin, birin e Zebedeut, dhe Gjonin, vëllanë e tij, që ishin në varkë duke qepur rrjetat 20dhe i thirri menjëherë. Ata lanë në varkë Zebedeun, atin e tyre, bashkë me shërbëtorët dhe shkuan pas tij.
Njeriu i pushtuar nga një shpirt i ndyrë
(Lk 4.31-37)
21Pastaj shkuan në Kafarnaum dhe menjëherë, ditën e shtunë, Jezui hyri në sinagogë e filloi të mësonte njerëzit.
22Ata mahniteshin nga mësimi i tij, se i mësonte me autoritet dhe jo si skribët. 23Në sinagogë ishte një njeri i pushtuar nga një shpirt i ndyrë, 24që filloi të thërrasë: «Çfarë ke me ne, o Jezu i Nazaretit? A ke ardhur të na shkatërrosh? Unë e di kush je: ti je i Shenjti i Perëndisë».
25Por Jezui e qortoi e i tha: «Hesht e dil prej tij!». 26Shpirti i ndyrë doli prej tij, duke e shkundur dhe duke thirrur me zë të lartë.
27Të gjithë u mahnitën dhe pyesnin njëri-tjetrin: «Ç'është kjo? Një mësim i ri, i dhënë me autoritet! Ai urdhëron deri edhe shpirtrat e ndyrë dhe ata i binden». 28E sakaq fama e tij u përhap kudo nëpër rrethinat e Galilesë.
Shërimi i shumë njerëzve
(Mt 8.14-17; Lk 4.38-41)
29Kur doli nga sinagoga, Jezui shkoi menjëherë në shtëpinë e Simonit e të Andreas, bashkë me Jakobin e Gjonin. 30Sapo hyri, i treguan për vjehrrën e Simonit, që dergjej në shtrat me ethe. 31Ai iu afrua, e mori për dore dhe e ngriti. Atëherë atë e lanë ethet dhe filloi t'u shërbente.
32Në mbrëmje, në perëndim të diellit#1.32 Dita mbyllet me perëndimin e diellit e kësisoj edhe e shtuna (1.21); për hebrenjtë, që nga ky moment, nuk vlejnë më rregullat e së shtunës., sollën tek ai të gjithë të sëmurët dhe të pushtuarit nga djalli. 33I tërë qyteti ishte mbledhur te dera. 34Jezui shëroi shumë veta që vuanin nga sëmundje të ndryshme dhe dëboi shumë djaj. Ai nuk i lejonte djajtë të flisnin, sepse ata e dinin kush ishte.
Jezui predikon
(Lk 4.42-44)
35Në mëngjes herët, shumë kohë përpara se të agonte, Jezui u ngrit e shkoi në një vend të shkretë për t'u lutur. 36Simoni dhe të tjerët që ishin me të shkuan pas tij, 37e gjetën dhe i thanë: «Të gjithë po të kërkojnë».
38Ai u tha: «Le të shkojmë më tej në fshatrat e tjera, që të predikoj edhe atje, sepse për këtë gjë kam ardhur». 39Dhe shkonte nëpër gjithë Galilenë, duke predikuar në sinagogat e tyre dhe duke dëbuar djajtë.
Pastrimi i një të lebrosuri
(Mt 8.1-4; Lk 5.12-16)
40Një i lebrosur shkoi tek ai dhe, duke iu përgjëruar e duke i rënë në gjunjë, i tha: «Po të duash, ti mund të më pastrosh».
41Jezui ndjeu dhembshuri, shtriu dorën, e preku dhe i tha: «Dua. Pastrohu!». 42Dhe lebra e la menjëherë e ai u pastrua.
43Jezui e largoi menjëherë dhe e urdhëroi rreptësisht: 44«Mos i trego njeriu, por shko paraqitu te prifti dhe kushto për pastrimin tënd atë që ka urdhëruar Moisiu. Kjo do t'u shërbejë si dëshmi#1.44 Priftërinjtë kishin për detyrë të shpreheshin publikisht nëse personat që vuanin nga sëmundje të caktuara (p.sh. lebra) duhet të konsideroheshin të shëruar e kësisoj të ripranoheshin në shoqëri (shih Lev 14.1-8).».
45Por sapo doli, ai filloi të hapte fjalë e ta shpallte këtë gjë, saqë Jezui nuk mundi të hyjë më haptas në qytet, por qëndroi jashtë nëpër vende të shkreta. Dhe njerëzit vinin tek ai nga çdo anë.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2018

© Interconfessional Bible Society of Albania 2018


Mehr über die Bibla Shqip 2018 "Së bashku" erfahren