Danieli 12 ALBB [abbreviation] brought to you by [publisher] Learn More

Devotional

Versions

Cancel
 
12
1"Në atë kohë do të dalë Mikaeli, princi i madh, mbrojtësi i bijve të popullit tënd; dhe do të jetë një kohë me ankthe, ashtu si nuk ka pasur kurrë që kur se ekzistojnë kombet e deri në atë kohë.
2Shumë nga ata që flenë në pluhurin e tokës do të zgjohen, disa në një jetë të përjetshme, të tjerë në turpin dhe në poshtërsi të përjetshme.
3Ata që kanë dituri do të shkëlqejnë si shkëlqimi i kupës qiellore dhe ata që do të kenë çuar shumë në drejtësi, do të shkëlqejnë si yjet përjetë.
4Por ti, Daniel, mbaji të fshehura këto fjalë dhe vulose librin deri në kohën e mbarimit; shumë njerëz do ta shfletojnë dhe dituria do të shtohet".
5Pastaj unë, Danieli, shikova, dhe ja, dy të tjerë më këmbë, njeri mbi këtë breg të lumit, dhe tjetri mbi bregun tjetër të lumit.
6Një nga ata i tha burrit të veshur me rroba liri, që qëndronte mbi ujërat e lumit: "Kur do kryhen këto mrekulli?".
7Unë dëgjova atëherë burrin e veshur me rroba liri që qëndronte mbi ujërat e lumit, i cili, ngriti dorën e djathtë dhe dorën e majtë drejt qiellit, u betua për atë që jeton përjetë se kjo do të jetë për një kohë, për disa kohëra dhe për gjysmën e një kohë; kur forca e popullit të shenjtë do të thyhet plotësisht, tërë këto gjëra do të kryhen.
8Unë dëgjova, por nuk kuptova, prandaj pyeta: "Imzot, cili do të jetë fundi i këtyre gjërave?".
9Ai u përgjigj: "Shko, Daniel, sepse këto fjalë janë të fshehura dhe të vulosura deri kohën e mbarimit.
10Shumë njerëz do të pastrohen, do të zbardhen dhe do të përsosen; por të pabesët do të veprojnë me pabesi dhe asnjë nga të pabesët nuk do të kuptojë, por do të kuptojnë njerëzit e ditur.
11Nga koha që do të ndalohet flijimi i përditshëm dhe do të ngrihet neveria që shkakton shkretimin do të kalojnë njëmijë e dyqind e nëntëdhjetë ditë.
12Lum ai që pret dhe arrin në njëmijë e treqind e tridhjetë e pesë ditë.
13Por ti shko drejt mbarimit tënd; do të prehesh dhe pastaj do të ngrihesh përsëri për të marrë pjesën tënde të trashëgimisë në mbarim të ditëve".