YouVersion Logo
Search Icon

Gjyqtarët 1

1
1Mbas vdekjes së Jozueut, bijtë e Izraelit konsultuan Zotin, duke thënë: "Kush prej nesh ka për të vajtur i pari të luftojë kundër kanaanenjve?".
2Zoti u përgjigj: "Do të shkojë Juda; ja, vendin ia kam dhënë në duart e tij".
3Atëherë Juda i tha Simeonit, vëllait të tij: "Eja me mua në vendin që më ra me short dhe do të luftojmë kundër kanaanenjve; pastaj edhe unë do të vij në vendin që të ra ty me short". Dhe Simeoni u nis me të.
4Juda, shkoi, pra, dhe Zoti u la në dorë kanaanenjtë dhe perezenjtë; dhe në Bezek vranë dhjetë mijë burra.
5Dhe në Bezek gjetën Adoni-Bezekun dhe e sulmuan; mundën kanaanenjtë dhe perezenjtë.
6Adoni-Bezeku ia mbathi, por ata e ndoqën e zunë dhe i prenë gishtërinjtë e mëdhenj të duarve dhe të këmbëve.
7Atëherë Adoni-Bezeku tha: "Shtatëdhjetë mbretër me gishtërinjtë e mëdhenj të duarve dhe të këmbëve të prerë mblidhnin ato që mbeteshin në tryezën time. Perëndia më ktheu atë që kam bërë". E çuan pastaj në Jeruzalem ku vdiq.
8Bijtë e Judës sulmuan Jeruzalemin dhe e morën; i vranë me shpatë banorët e tij dhe i vunë flakën qytetit.
9Pastaj bijtë e Judës zbritën të luftojnë kanaanenjtë, që banonin në krahinën malore, në Negev dhe në ultësirë.
10Juda marshoi pastaj kundër kanaanenjve që banonin në Hebron (emri i të cilit më parë ishte Kirjath-Arba) dhe mundi Seshain, Ahimanin dhe Talmain.
11Që këtej marshoi kundër banorëve të Debirit (që më parë quhej Kirjath-Sefer).
12Atëherë Kalebi tha: "Atij që do të sulmojë Kiriath-Seferin dhe do ta shtjerë në dorë, unë do t'i jap për grua bijën time Aksah".
13E pushtoi Othnieli, bir i Kenazit, vëllai i vogël i Kalebit, dhe ky i dha për grua bijën e tij Aksah.
14Kur ajo erdhi të banojë me të, e bindi t'i kërkojë të atit të saj një fushë. Sapo ajo zbriti nga gomari, Kalebi e pyeti: "Çfarë kërkon?".
15Ajo u përgjigj: "Më bëj një dhuratë, me qenë se ti më dhe toka në Negev, më jep edhe disa burime ujore". Atëherë ai i dhuroi burimet e sipërme dhe ato të poshtme.
16Atëherë bijtë e Keneut, vjehrrit të Moisiut, shkuan nga qyteti i palmave bashkë me bijtë e Judës në shkretëtirën e Judës, që ndodhet në Negev, afër Aradit; shkuan dhe u vendosën midis popullit.
17Pastaj Juda u nis bashkë me vëllanë e tij Simeon dhe mundi kanaanenjtë që banonin në Tsefath dhe vendosën shfarosjen e tyre; për këtë arsye qyteti u quajt Hormah.
18Juda mori edhe Gazën me territorin e saj, Askalonin me territorin e tij dhe Ekronin me territorin e tij.
19Kështu Zoti mbajti anën e Judës, që dëboi banorët e krahinës malore, por nuk mundi të dëbojë banorët e fushës, sepse kishin qerre të hekurta.
20Pastaj i dhanë Hebronin Kalebit, ashtu si kishte thënë Moisiu; dhe ai i dëboi tre bijtë e Anakut.
21Bijtë e Beniaminit nuk arritën t'i dëbojnë jebusenjtë që banonin në Jeruzalem; kështu jebusenjtë kanë banuar bashkë me bijtë e Beniaminit në Jeruzalem deri në ditën e sotme.
22Edhe shtëpia e Jozefit u ngrit gjithashtu kundër Bethelit, dhe Zoti qe me ta.
23Shtëpia e Jozefit dërgoi njerëz për të vëzhguar në Bethel (qytet që më parë quhej Luc).
24Zbuluesit panë një burrë që dilte nga qyteti dhe i thanë: "Tregona rrugën për të hyrë në qytet dhe ne do të tregohemi të mëshirshëm me ty".
25Ai u tregoi rrugën për të hyrë në qytet, dhe ata i vranë me shpatë banorët e qytetit, por e lanë të shkojë atë burrë me gjithë familjen e tij.
26Ai shkoi në vendin e hitenjve dhe ndërtoi aty një qytet që e quajti Luc, emër që mban edhe sot e kësaj dite.
27Manasi përkundrazi nuk i dëboi banorët e Beth-Sheanit dhe të fshatrave të tij kufitarë, as banorët e Tanaakut dhe të fshatrave të tij kufitarë, as banorët e Dorit dhe të fshatrave të tij kufitarë, as banorët e Ibleamit dhe të fshatrave të tij kufitarë, as banorët e Megidos dhe të fshatrave të tij kufitarë, sepse kanaanenjtë ishin të vendosur të qëndronin në atë vend.
28Më vonë, kur Izraeli u bë i fortë, i nënshtroi kanaanenjtë dhe i bëri skllevër, por nuk i dëboji krejt.
29As Efraimi nuk i dëboi kanaanenjtë që banonin në Gezer; kështu kanaanenjtë banuan në Gezer në mes të tyre.
30As Zabuloni nuk i dëboi banorët e Kitronit dhe ata të Nahalolit; kështu kanaanenjtë banuan në mes të tyre, por iu nënshtruan skllavërisë.
31As Asheri nuk i dëboi banorët e Akosit, as banorët të Sidonit, as ata të Ahlabit, të Akzibit, të Helbahut, të Afikut dhe të Rehobit;
32kështu bijtë e Asherit u vendosën në mes të kanaanenjve që banonin në këtë vend, sepse nuk i dëbuan.
33As Neftsali nuk i dëboi banorët e Beth-Shemeshit dhe ata të Beth-Anathit, dhe u vendos në mes të kanaanenjve që banonin në këtë vend; por banorët e Beth-Shemeshit dhe të Beth-Anathit iu nënshtruan skllavërisë.
34amorenjtë i detyruan bijtë e Danit të qëndronin në krahinën malore dhe nuk i lanë të zbresin në luginë.
35amorenjtë ishin të vendosur të qëndronin në malin Heres, në Ajalon dhe në Shaal-Bim; por kur dora e shtëpisë së Jozefit u fuqizua, ata iu nënshtruan skllavërisë.
36Kufiri i amorenjve shtrihej nga e përpjeta e Akrabimit, nga Sela e lart.

Currently Selected:

Gjyqtarët 1: ALBB

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy