YouVersion Logo
Search Icon

Eksodi 15

15
1Atëherë Moisiu dhe bijtë e Izraelit i kënduan këtë kantik Zotit dhe folën duke thënë: "Unë do t'i këndoj Zotit, sepse u lartësua shumë; hodhi në det kuaj dhe kalorës.
2Zoti është forca ime dhe kantiku im, ka qenë shpëtimi im. Ky është Perëndia im, unë do ta përlëvdoj; është Perëndia i atit tim, unë do ta lartësoj.
3Zoti është një luftëtar, emri i tij është Zoti.
4Ai hodhi në det qerret e Faraonit dhe ushtrinë e tij, luftëtarët më të mirë të tij u mbytën në Detin e Kuq.
5Ata mbulohen nga humnera; ranë në fund si një gur.
6E djathta jote, o Zot, është e mrekullueshme në fuqinë e saj. E djathta jote, o Zot, i dërmoi armiqtë.
7Me madhështinë e madhërisë sate, ti i përmbys ata që ngrihen kundër teje; ti nxjerr jashtë zemërimin tënd, ai i prish ata sikur të ishin kallamishte.
8Sa të shfrysh nga vrimat e hundëve, ujërat janë grumbulluar, valët janë ngritur si një mur, dhe dallgët janë përforcuar në zemrën e detit.
9Armiku thoshte: "Do t'i ndjek, do t'i arrij, do të ndaj kufomat, lakmia ime do të ngopet mbi ta; do të zhvesh shpatën time, dora ime do t'i shfarosë".
10Po ti dërgove jashtë frymën tënde dhe deti i mbuloi; u mbytën si plumbi në ujërat e fuqishme.
11Kush barazohet me ty midis perëndive, o Zot? Kush barazohet me ty, i mrekullueshëm në shenjtëri, i madhërishëm në lëvdata, o çudibërës?
12Ti shtrive dorën e djathtë, dhe toka i gëlltiti.
13Me mëshirën tënde, ke udhëhequr popullin që e ke shpenguar; me forcën tënde e ke çuar drejt banesës sate të shenjtë.
14Popujt e kanë dëgjuar këtë dhe dridhen. Ankthi ka mbërthyer banorët e Filistinës.
15Që tani krerët e Edomit e kanë humbur, të fuqishmit e Moabit i ka zënë frika, tërë banorët e Kanaanit po shkrihen.
16Frika dhe tmerri do të bjerë mbi ta. Falë forcës së krahut tënd do të bëhen të palëvizshëm si guri, derisa populli yt, o Zot, të kalojë, derisa të kalojë populli që ti ke blerë.
17Ti do t'i futësh dhe do t'i vendosësh në malin e trashëgimisë sate, në vendin që ke përgatitur, o Zot, për banesën tënde, në shenjtëroren që duart e tua, o Perëndi, kanë vendosur.
18Zoti do të mbretërojë gjithnjë, përjetë".
19Pasi kuajt e Faraonit me qerret e tij dhe kalorësit e tij kishin hyrë në det, dhe Zoti kishte kthyer mbi ta ujërat e detit, por bijtë e Izraelit kishin ecur në mes të detit, në të thatë.
20Atëherë profetesha Miriam, motra e Aaronit, mori në dorë dajren, dhe të gjitha gratë e ndoqën nga pas me dajre dhe me valle.
21Dhe Miriami u këndonte atyre: "Këndojini Zotit, sepse u lartësua shumë; hodhi në det kuaj dhe kalorës".
22Pastaj Moisiu i nisi izraelitët nga Deti i Kuq dhe këta u drejtuan nga shkretëtira e Shurit; ecën tri ditë në shkretëtirë dhe nuk gjetën ujë.
23Kur arritën në Mara nuk mundën të pinë ujërat e Marës sepse ishin të hidhura; prandaj ky vend u quajt Mara.
24Atëherë populli murmuriti kundër Moisiut, duke thënë: "Ç'do të pimë?".
25Kështu ai i bërtiti Zotit; dhe Zoti i tregoi një dru; ai e hodhi atë në ujë, dhe ujërat u bënë të ëmbla. Atje Zoti i dha popullit një ligj dhe një dekret, dhe e vuri kështu popullin në provë,
26dhe tha: "Në qoftë se ti dëgjon me vëmendje zërin e Zotit, Perëndisë tënd, dhe bën atë që është e drejtë në sytë e tij dhe dëgjon urdhërimet e tij dhe respekton tërë ligjet e tij, unë nuk do të jap asnjë nga ato sëmundje që u kam dhënë egjiptasve, sepse unë jam Zoti që të shëron".
27Kështu arritën në Elim, ku kishte dymbëdhjetë burime uji dhe shtatëdhjetë palma; dhe e ngritën kampin e tyre pranë ujërave.

Currently Selected:

Eksodi 15: ALBB

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy