Parallel
77
1Zëri im lartohet te Perëndia dhe unë bërtas; zëri im lartohet te Perëndia dhe ai ka për të më dëgjuar.
2Ditën e fatkeqësisë sime kërkova Zotin; gjatë natës dora ime mbeti e nderur pa u lodhur dhe shpirti im nuk pranoi të ngushëllohet.
3Më kujtohet Perëndia dhe rënkoj; vajtoj dhe fryma ime dobësohet. (Sela)
4Ti m'i mban të hapura qepallat; jam aq i turbulluar sa nuk mund të flas.
5Sjell ndërmend përsëri ditët e lashta, vitet e kohëve të shkuara.
6Gjatë natës më kthehet në mendje kënga ime, mendoj thellë në zemrën time dhe fryma ime bën kërkime.
7A do të më hedhë poshtë përgjithnjë Zoti? E nuk do të më pëlqejë më kurrë?
8Dhe mirësia e tij ka marrë fund përgjithnjë dhe falja e tij ka munguar për brezat e ardhshme?
9Vallë Perëndia e ka harruar mëshirën dhe në zemërimin e tij u ka dhënë fund dhembshurive të tij? (Sela)
10Unë kam thënë: "Shkaku i hidhërimit tim është se dora e djathtë e Shumë të Lartit ka ndryshuar".
11Do t'i kujtoj veprat e Zotit; po, do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve të kaluara,
12do të mendohem thellë për gjithë veprat e tua dhe do të kem parasysh bëmat e tua.
13O Perëndi, jeta jote është e shenjtë; cili Perëndi është i madh si Perëndia?
14Ti je Perëndia që kryen mrekulli; ti ke bërë të njihet forca jote midis popujve.
15Me krahun tënd ke shpenguar popullin tënd, bijtë e Jakobit dhe të Jozefit. (Sela)
16Ujërat të panë, o Perëndi, ujërat të panë dhe u trembën; edhe humnerat u drithtuan.
17Retë derdhën përmbytje uji, qiejt gjëmuan dhe shigjetat e tua vepruan.
18Gjëmimi i bubullimës sate ishte në vorbullën, vetëtimat ndriçuan botën dhe toka u tund dhe u drodh.
19Ti e hape rrugën tënde në mes të detit, shtegun tënd në mes të ujërave të mëdha, dhe gjurmët e tua nuk u njohën.
20Ti e udhëheq popullin tënd si një kope me dorën e Moisiut dhe të Aaronit.