Parallel
71
1Unë po gjej strehë te ti, o Zot, bëj që të mos hutohem kurrë.
2Në emër të drejtësisë sate, më çliro dhe më shpëto; zgjate veshin tënd ndaj meje dhe më shpëto.
3Ti je për mua një kështjellë shpëtimi, ku unë mund të shkoj gjithnjë; ti ke urdhëruar shpëtimin tim, sepse je shkëmbi dhe kështjella ime.
4Perëndia im, më çliro nga dora e të pabesit, nga dora e të çoroditurit dhe të atij që përdor dhunën.
5Sepse ti je shpresa ime, o Zot, o Zot, besimi im që kurse isha fëmijë.
6Ti ke qenë përkrahja ime qysh në bark të nënës sime; ti më nxore nga barku i nënës sime; ty do të drejtohet gjithnjë lëvdimi im.
7Jam bërë për shumë njerëz si një mrekulli, por ti je streha e fortë.
8Goja ime është plot me lëvdimet e tua dhe shpall lavdinë tënde tërë ditën.
9Mos më hidh poshtë në kohën e pleqërisë; mos më braktis kur forca ime po pakësohet.
10Sepse armiqtë e mi flasin kundër meje, dhe ata që kanë ngritur pusi kundër jetës sime thurin komplote bashkë,
11duke thënë: "Perëndia e ka braktisur; ndiqeni dhe kapeni, sepse nuk ka njeri që ta çlirojë".
12O Perëndi, mos u largo nga unë; Perëndia im, nxito të më ndihmosh.
13U ngatërrofshin dhe u asgjësofshin kundërshtarët e jetës sime; u mbulofshin me poshtërsi dhe me turp ata që dëshirojnë të më bëjnë të keqen.
14Por unë do të kem shpresa gjithnjë dhe do të të lëvdoj gjithnjë e më tepër.
15Goja ime do të tregojë tërë ditën drejtësinë tënde dhe çlirimet e tua, sepse nuk njoh numrin e tyre.
16Do të thellohem në veprat e fuqishme të Zotit, të Zotit, dhe do të kujtoj drejtësinë tënde, vetëm tënden.
17O Perëndi, ti më ke mësuar që në fëmijëri; dhe deri më sot unë kam shpallur mrekullitë e tua.
18Edhe tani që jam plakur dhe jam thinjur, o Perëndi, mos më braktis derisa t'i kem treguar këtij brezi fuqinë tënde dhe mrekullitë e tua gjithë atyre që do të vijnë.
19Edhe drejtësia jote, o Perëndi, arrin deri në lartësitë e qiejve; ti ke bërë gjëra të mëdha. O Perëndi, kush të përngjan ty?
20Ti, që më bëre të provoj shumë fatkeqësi, të rënda, do të më japësh përsëri jetën dhe do të më bësh të ngrihem lart nga humnerat e tokës.
21Ti do të rritesh madhështinë time dhe do të kthehesh të më ngushëllosh.
22Dhe unë do të lëvdoj me harpe për besnikërinë tënde, o Perëndia im, dhe do të këndoj lavdet e tua me qeste, o i Shenjti i Izraelit.
23Buzët e mia do të ngazëllojnë kur do të këndoj lavdet e tua bashkë me shpirtin tim, që ti ke shpenguar.
24Edhe gjuha ime do të flasë tërë ditën për drejtësinë tënde, sepse janë turpëruar dhe janë hutuar ata që kërkonin të më bënin të keqen.