Parallel
119
1Lum ata që kanë një rrugë pa njollë dhe që ecin me ligjin e Zotit.
2Lum ata që respektojnë mësimet e tij, që e kërkojnë me gjithë zemër
3dhe nuk kryejnë të keqen, por ecin në rrugët e tij.
4Ti na ke urdhëruar të respektojmë urdhërimet e tua me kujdes.
5Oh, rrugët e mia qofshin të qëndrueshme në respektimin e statuteve të tua.
6Atëherë nuk do të turpërohem, kur të kem parasysh të gjitha urdhërimet e tua.
7Do të të kremtoj me zemër të drejtë ndërsa mësoj dekretet e tua të drejta.
8Do të respektoj statutet e tua, mos më braktis plotësisht.
9Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër? Duke e ruajtur me fjalën tënde.
10Të kam kërkuar me gjithë zemër; mos më lër të devijoj nga urdhërimet e tua.
11E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje.
12Ti je i bekuar, o Zot, më mëso statutet e tua.
13Me buzët e mia kam numëruar të gjitha dekretet e gojës sate.
14Gëzohem duke ndjekur porositë e tua, ashtu sikur të zotëroja tërë pasuritë.
15Do të mendoj thellë mbi urdhërimet e tua dhe do të marrë në konsideratë shtigjet e tua.
16Do të kënaqem me statutet e tua dhe nuk do ta harroj fjalën tënde.
17Bëji të mirë shërbëtorit tënd, dhe unë do të jetoj dhe do të respektoj fjalën tënde.
18Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd.
19Unë jam i huaji mbi dhe; mos m'i fshih urdhërimet e tua.
20Shpirti im tretet nga dëshira e dekreteve të tua në çdo kohë.
21Ti i qorton kryelartët, që janë të mallkuar, sepse largohen nga urdhërimet e tua.
22Hiq prej meje turpin dhe përbuzjen, sepse unë i kam respektuar porositë e tua.
23Edhe sikur princat të ulen dhe të flasin kundër teje, shërbëtori yt do të mendohet thellë mbi ligjet e tua.
24Porositë e tua janë gëzimi im dhe këshilltarët e mi.
25Unë bie përmbys në pluhur; më ringjall sipas fjalës sate.
26Të kam treguar rrugët e mia, dhe ti më je përgjigjur; më mëso statutet e tua.
27Më bëj që të kuptoj rrugën e urdhërimeve të tua, dhe unë do të mendohem thellë mbi mrekullitë e tua.
28Jeta ime tretet në dhembje; më jep forcë sipas fjalës sate.
29Mbamë larg nga gënjeshtra dhe, në hirin tënd, bëmë të njohur ligjin tënd.
30Kam zgjedhur rrugën e besnikërisë; i kam vënë dekretet e tua para vetes.
31Jam i lidhur me porositë e tua; o Zot, mos lejo që unë të hutohem.
32Do të veproj në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse ti do të më zgjerosh zemrën.
33Më mëso, o Zot, rrugën e statuteve të tu dhe unë do ta ndjek deri në fund.
34Më jep mençuri dhe unë do ta ruaj ligjin tënd; po, do ta respektoj me gjithë zemër.
35Më bëj të ec në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse në to gjej kënaqësinë time.
36Përkule zemrën time parimeve të tua dhe jo lakmisë.
37Largoji sytë e mi nga gjërat e kota dhe gjallëromë në rrugët e tua.
38Mbaje fjalën tënde shërbëtorit tënd, që ka frikë nga ty.
39Largo nga unë fyerjet e rënda, që më trembin, sepse dekretet e tua janë të mira.
40Ja, unë dëshiroj me zjarr urdhërimet e tua; gjallëromë në drejtësinë tënde.
41Le të më arrijë shpirtmadhësia jote, o Zot, dhe shpëtimi yt sipas fjalës sate.
42Kështu do të mund t'i përgjigjem atij që më fyen, sepse kam besim te fjala jote.
43Mos hiq plotësisht nga goja ime fjalën e së vërtetës, sepse unë kam shpresë te dekretet e tua.
44Kështu do të respektoj ligjin tënd vazhdimisht, përjetë.
45Do të ec në liri, sepse kërkoj urdhërimet e tua.
46Do të flas për porositë e tua para mbretërve dhe nuk do të turpërohem.
47Do të kënaqem me urdhërimet e tua, sepse i dua.
48Do të ngre duart e mia drejt urdhërimeve të tua, sepse i dua, dhe do të mendohem thellë mbi statutet e tua.
49Mbaje mend fjalën që i ke dhënë shërbëtorit tënd, me të cilën me kë bërë të kem shpresa.
50Ky është përdëllimi im në pikëllim, që fjala jote më ka dhënë jetë.
51Kryelartët më mbulojnë me tallje, por unë nuk largohem nga ligji yt.
52Mbaj mend dekretet e tua të lashta, o Zot, dhe kjo më ngushëllon.
53Një indinjatë e madhe më pushton për shkak të të pabesëve që braktisin ligjin tënd.
54Statutet e tua kanë qenë kantikët e mi në shtëpinë e shtegtimit tim.
55O Zot, unë kujtoj emrin tënd natën dhe respektoj ligjin tënd.
56Kjo ndodh sepse respektoj urdhërimet e tua.
57Ti je pjesa ime, o Zot, kam premtuar të respektoj fjalët e tua.
58Të jam lutur shumë, me gjithë zemër; ki mëshirë për mua sipas fjalës sate.
59Kam shqyrtuar rrugët e mia dhe i kam kthyer hapat e mia ndaj urdhrave të tua.
60Pa asnjë mëdyshje nxitova të respektoj urdhërimet e tua.
61Litarët e të pabesëve më kanë mbështjellë, por unë nuk e kam harruar ligjin tënd.
62Në mes të natës ngrihem që të të kremtoj, për shkak të dekreteve të tua të drejta.
63Unë jam shok i gjithë atyre që kanë frikë prej teje dhe i atyre që respektojnë urdhërimet e tua.
64O Zot, toka është e mbushur me mirësinë tënde; më mëso statutet e tua.
65Ti i ke bërë të mira shërbëtorit tënd, o Zot, sipas fjalës sate.
66Më mëso të gjykoj drejt dhe të kem njohje, sepse u besoj urdhërimeve të tua.
67Para se të pikëllohem endesha sa andej e këndej, por tani ndjek fjalën tënde.
68Ti je i mirë dhe bën të mira; më mëso statutet e tua.
69Kryelartët kanë trilluar kundër meje, por unë do të respektoj urdhërimet e tua me gjithë zemër.
70Zemra e tyre është e pandjeshme si dhjami; por unë kënaqem me ligjin tënd.
71Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua.
72Ligji i gojës sate për mua është më i çmuar se mijëra monedha ari dhe argjendi.
73Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë; më jep zgjuarsi që të mund të mësoj urdhërimet e tua.
74Ata që kanë frikë prej teje do të më shohin dhe do të kënaqen, sepse pata shpresë në fjalën tënde.
75Unë e di, o Zot, që dekretet e tua janë të drejta, dhe që ti më ke hidhëruar në besnikërinë tënde.
76Mirësia jote qoftë përdëllimi im, sipas fjalës që i ke dhënë shërbëtorit tënd.
77Ardhshin tek unë dhembshuritë e tua të mëdha dhe kështu paça mundësi të jetoj, sepse ligji yt është kënaqësia ime.
78U ngatërrofshin mendjemëdhenjtë, sepse më trajtojnë në mënyrë të padrejtë dhe pa arsye; por unë mendohem shumë mbi urdhërimet e tua.
79Le të drejtohen tek unë ata që kanë frikë nga ti dhe ata që njohin urdhrat e tua.
80Le të jetë zemra ime e paqortueshme lidhur me statutet e tua, me qëllim që unë të mos ngatërrohem.
81Shpirti im shkrihet nga dëshira e zjarrtë e shpëtimit tënd; unë kam shpresë në fjalën tënde.
82Sytë e mi dobësohen duke pritur të shkojë në vend fjala jote, ndërsa them: "Kur do të më ngushëllosh?".
83Ndonëse jam bërë si një calik i ekspozuar në tym, nuk i kam harruar statutet e tua.
84Sa janë ditët e shërbëtorit tënd? Kur do t'u vish hakut atyre që më ndjekin?
85Mendjemëdhenjtë kanë hapur gropa për mua; ata nuk veprojnë sipas ligjit tënd.
86Tërë urdhërimet e tua meritojnë besim; më përndjekin pa të drejtë; ndihmomë.
87Më kanë eliminuar gati gati nga toka, por unë nuk i kam braktisur urdhërimet e tua.
88Gjallëromë sipas mirësisë sate, dhe unë do të respektoj porositë e gojës sate.
89Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejt.
90Besnikëria jote vazhdon brez pas brezi; ti e ke vendosur tokën dhe ajo ekziston.
91Qielli dhe toka ekzistojnë deri në ditën e sotme, sepse çdo gjë është në shërbimin tënd.
92Në qoftë se ligji yt nuk do të kishte qenë kënaqësia ime, do të isha zhdukur në pikëllimin tim.
93Nuk do t'i harroj kurrë urdhërimet e tua, sepse me anë të tyre ti më ke dhënë jetën.
94Unë jam yti; shpëtomë, sepse kam kërkuar urdhërimet e tua.
95Të pabesët më zënë pusi që unë të vdes, por unë do të mbështetem në parimet e tua.
96Pashë caqet e çdo gjëje të përsosur, por urdhërimi yt nuk ka asnjë cak.
97Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën.
98Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua.
99Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime.
100Kam më tepër zgjuarsi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua.
101Kam përmbajtur hapat e mia nga çdo shteg i keq, për të respektuar fjalën tënde.
102Nuk jam larguar nga dekretet e tua, sepse ti vetë më ke mësuar.
103Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time.
104Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarsinë; prandaj urrej çdo shteg falsiteti.
105Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.
106Unë jam betuar dhe do ta mbaj betimin që të respektoj dekretet e tua të drejta.
107Unë jam shumë i pikëlluar, gjallëromë, o Zot, sipas fjalës sate.
108O Zot, prano ofertat spontane të gojës sime dhe mësomë dekretet e tua.
109Ndonëse e kam gjithnjë shpirtin në pëllëmbë të dorës, nuk e harroj ligjin tënd.
110Të pabesët më kanë ngritur kurthe, por unë nuk jam larguar nga urdhërimet e tua.
111Porositë e tua janë trashëgimia ime përjetë; ato janë gëzimi i zemrës sime.
112Jam zotuar me gjithë zemër për t'i zbatuar në praktikë statutet e tua përjetë, deri në fund.
113Unë i urrej njerëzit që gënjejnë, por e dua ligjin tënd.
114Ti je streha ime dhe mburoja ime; unë shpresoj në fjalën tënde.
115Largohuni, o njerëz të këqij, sepse unë dua të respektoj urdhërimet e Perëndisë tim.
116Më ndihmo sipas fjalës sate, që unë të jetoj, dhe të mos lejoj të ketë hutim në shpresën time.
117Përforcomë dhe unë do të shpëtoj, dhe do t'i kem gjithnjë statutet e tua përpara syve të mi.
118Ti i hedh poshtë të gjithë ata që largohen nga statutet e tua, sepse mashtrimi i tyre është gënjeshtër.
119Ti zhduk si fundërrina tërë të pabesët e tokës; prandaj unë i dua porositë e tua.
120Mishi im dridhet i tëri nga frika jote, dhe unë kam frikë nga dekretet e tua.
121Unë kam bërë atë që është e ndershme dhe e drejtë; mos më braktis në duart e shtypësve të mi.
122Jepi siguri dhe mbarësi shërbëtorit tënd, dhe mos lejo që mendjemëdhenjtë të më shtypin.
123Sytë e mi dobësohen duke kërkuar shpëtimin tënd dhe fjalën e drejtësisë sate.
124Kujdesu për shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate dhe mësomë statutet e tua.
125Unë jam shërbëtori yt; më jep mendje, që të mund të njoh porositë e tua.
126Është koha, o Zot, që të veprosh; ata kanë anuluar ligjin tënd.
127Për këtë arsye unë i dua urdhërimet e tua më tepër se ari; po, më tepër se ari i kulluar.
128Për këtë arsye i konsideroj të drejta urdhërimet e tua dhe urrej çdo shteg të gënjeshtrës.
129Porositë e tua janë të mrekullueshme, prandaj shpirti im i respekton.
130Zbulimi i fjalëve të tua ndriçon dhe u jep mendje njerëzve të thjeshtë.
131Unë hap gojën time dhe psherëtij, nga dëshira e madhe e porosive të tua.
132Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, ashtu si bën me ata që e duan emrin tënd.
133Stabilizoi hapat e mia sipas fjalëve të tua dhe mos lejo që asnjë paudhësi të më sundojë.
134Më çliro nga shtypja e njerëzve dhe unë do të respektoj urdhërimet e tua.
135Bëj që të shkëlqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd dhe më mëso statutet e tua.
136Rrëke lotësh zbresin nga sytë e mi, sepse nuk respektohet ligji yt.
137Ti je i drejtë, o Zot, dhe dekretet e tua janë të drejta.
138Ti i ke përcaktuar porositë e tua me drejtësi dhe me besnikëri të madhe.
139Zelli im të tret, sepse armiqtë e mi kanë harruar fjalët e tua.
140Fjala jote është e pastër nga çdo zgjyrë; prandaj shërbëtori yt e do.
141Jam i vogël dhe i përbuzur, por nuk i harroi udhërimet e tua.
142Drejtësia jote është një drejtësi e përjetshme dhe ligji yt është i vërtetë.
143Ankthi dhe shqetësimi më kanë pushtuar, por urdhërimet e tua janë gëzimi im.
144Porositë e tua janë të drejta përjetë; më jep mendje dhe unë do të jetoj.
145Unë bërtas me gjithë zemër; përgjigjmu, o Zot, dhe unë do të respektoj statutet e tua.
146Unë të kërkoj; shpëtomë, dhe do të respektoj porositë e tua.
147Unë zgjohem para agimit dhe bërtas; unë kam shpresë te fjala jote.
148Sytë e mi paraprijnë natën për të menduar thellë fjalën tënde.
149Dëgjo zërin tim sipas mirësisë sate; o Zot, gjallëromë sipas dekretit tënd të drejtë.
150Kam afër vetes ata që ndjekin të keqen, por ata janë larg ligjit tënd.
151Ti je afër, o Zot, dhe të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta.
152Prej shumë kohe kam mësuar urdhërimet e tua, të cilat i ke vendosur përjetë.
153Merr parasysh pikëllimin tim dhe më çliro, sepse nuk e kam harruar ligjin tënd.
154Mbro çështjen time dhe më shpengo; më gjallëro sipas fjalës sate.
155Shpëtimi është larg nga të pabesët, sepse ata nuk kërkojnë statutet e tua.
156Dhembshuritë e tua janë të mëdha, o Zot; më gjallëro sipas dekreteve të tua të drejta.
157Përndjekësit e mi dhe armiqtë e mi janë të shumtë; por unë nuk largohem nga porositë e tua.
158I pashë të pabesët dhe i urrej, sepse nuk respektojnë fjalën tënde.
159Ki parasysh sa i dua urdhërimet e tua! O Zot, gjallëromë sipas mirësisë sate.
160Shuma e fjalës sate është e vërteta; dhe të gjitha dekretet e tua të drejta qëndrojnë përjetë.
161Princat më përndjekin pa arsye, por zemra ime ka shumë frikë nga fjala jote.
162Unë ndiej një gëzim të madh në fjalën tënde, ashtu si ai që gjen një plaçkë të madhe.
163Urrej dhe s'e shoh dot me sy gënjeshtrën, por e dua ligjin tënd.
164Të lëvdoj shtatë herë në ditë për dekretet e tua të drejta.
165Paqe të madhe kanë ata që e duan ligjin tënd, dhe nuk ka asgjë që mund t'i rrëzojë.
166O Zot, unë shpresoj në shpëtimin tënd dhe i zbatoj në praktikë urdhërimet e tua.
167Unë kam respektuar porositë e tua dhe i dua me të madhe.
168Kam respektuar urdhërimet e tua dhe porositë e tua, sepse të gjitha rrugët janë para teje.
169Le të arrijë deri te ti britma ime, o Zot; me jep mendja sipas fjalës sate.
170Le të arrijë deri te ti lutja ime, çliromë sipas fjalës sate.
171Buzët e mia do të përhapin lavde, me qëllim që ti të më mësosh statutet e tua.
172Gjuha ime do të shpallë fjalën tënde, sepse tërë urdhërimet e tua janë të drejta.
173Dora jote më ndihmoftë, sepse unë kam zgjedhur urdhërimet e tua.
174Unë dëshiroj me zjarr shpëtimin tënd, o Zot, dhe ligji yt është gëzimi im.
175Le të kem mundësi të jetoj që të të lëvdoj, dhe le të më ndihmojnë dekretet e tua.
176Unë po endem si një dele e humbur. Kërko shërbëtorin tënd, sepse unë nuk i harroi urdhërimet e tua.