Parallel
104
1Beko, o shpirti im, Zotin! O Zot, Perëndia im, ti je jashtëzakonisht i madh; je veshur me shkëlqim dhe madhështi.
2Ai të mbështjell me dritë si të ishte një mantel dhe i shtrin qiejt si një çadër;
3ai ndërton mbi ujërat dhomat e tij të larta, i bën retë si qerren e tij dhe ecën mbi krahët erës.
4I bën erërat lajmëtarë të tij dhe flakët e zjarrit shërbëtorë të tij.
5Ai e ka krijuar tokën mbi themelet e saj; kjo nuk do të luajë kurrë përjetë.
6Ti e kishe mbuluar me humnerë si me një rrobë; ujërat ishin ndalur mbi malet.
7Në qortimin tënd ato ikën, në zërin e gjëmimit tënd u larguan me nxitim.
8Dolën malet dhe luginat u ulën në vendin që ti kishe caktuar për to.
9Ti u vure ujërave një kufi që nuk duhet ta kapërcenin; ato nuk do të kthehen më të mbulojnë tokën.
10Ai bën që të dalin burime në luginat; ato rrjedhin midis maleve,
11dhe u japin për të pirë tërë kafshëve të fushës; gomarët e egër shuajnë etjen e tyre.
12Pranë tyre banojnë shpendët e qiellit; midis gjelbërimeve lartojnë këngën e tyre.
13Nga dhomat e sipërme të tij ai u jep ujë maleve; toka ngopet me frytin e veprave të tua.
14Ai bën që të rritet bari për bagëtinë dhe bimësia në shërbim të njeriut, duke nxjerrë nga toka ushqimin e tij,
15dhe verën që gëzon zemrën e njeriut, vajin që bën të shkëlqejë fytyra tij dhe bukën që i jep forcë zemrës së njeriut.
16Kështu ngopen drurët e Zotit dhe cedrat e Libanit që ai ka mbjellë;
17aty bëjnë folenë e tyre zogjtë, ndërsa lejleku bën nëpër selvitë banesën e tij.
18Malet e larta janë për dhitë e egra, shkëmbinjtë janë streha e lepujve.
19Ai ka bërë hënën për stinët, dielli e di orën e perëndimit të tij.
20Ti dërgon terrin dhe bëhet natë; gjatë asaj shkojnë rreth e qark gjithë kafshët e pyllit.
21Luanët e vegjël vrumbullojnë duke kërkuar gjahun dhe i kërkojnë Perëndisë ushqimin e tyre.
22Por, kur lind dielli, ata tërhiqen dhe rrinë në strofkat e tyre.
23Atëherë njeriu del për të punuar dhe punon deri në mbrëmje.
24Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua.
25Ja deti, i madh dhe i gjerë, ku gëlojnë krijesa të panumërta;
26e përshkojnë anijet dhe Leviathani, që ti ke formuar për t'u tallur në të.
27Të gjithë presin që ti t'u japësh ushqimin në kohën e duhur.
28Ti ua jep atyre dhe ata e mbledhin; ti hap dorën dhe ngopen me të mira.
29Ti fsheh fytyrën tënde dhe ata e humbasin fare; ti heq frymën, dhe ata vdesin duke u kthyer përsëri në pluhurin e tyre.
30Ti dërgon frymën tënde dhe ata krijohen, kështu ti ripërtërin faqen e dheut.
31Lavdia e Zotit të rrojë përjetë; le të gëzohet Zoti me veprat e tij;
32ai shikon tokën dhe kjo dridhet; ai prek malet dhe ato nxjerrin tym.
33Unë do t'i këndoj Zotit derisa të kem jetë; do t'i këndoj lavde Perëndisë tim derisa të jem.
34Le të jetë mendimi im i pëlqyer prej tij; unë do të ngazëllohem tek Zoti.
35Le të zhduken mëkatarët nga toka dhe të pabesët mos qofshin më. Shpirti im, bekoje Zotin! Aleluja.