Parallel
102
1O Zot, dëgjo lutjen time dhe britma ime arriftë tek ty.
2Mos ma fshih fytyrën tënde ditën e fatkeqësisë sime. Zgjate ndaj meje veshin tënd; kur unë të kërkoj, nxito të më përgjigjesh.
3Sepse ditët e mia davariten si tymi dhe kockat e mia digjen si urë zjarri.
4Zemra ime është goditur dhe thahet si bari, dhe unë harroj madje të ha ushqim.
5Duke vajtuar vazhdimisht, lëkura ime po u ngjitet kockave të mia.
6I ngjaj pelikanit të shkretëtirës dhe jam bërë si bufi i vendeve të shkretuara.
7Jam pa gjumë dhe si harabeli i vetmuar mbi çati.
8Armiqtë e mi tallen me mua tërë ditën; ata që më përqeshin flasin kundër meje.
9Sepse e ha hirin si buka dhe përziej lotët me atë që pi.
10Po, për shkak të indinjatës sate dhe të zemërimit tënd, më ngrite dhe më hodhe larg.
11Ditët e mia janë si hija që zgjatet, dhe unë po thahem si bari.
12Por ti, o Zot, mbetesh përjetë, dhe kujtimi yt zgjat brez pas brezi.
13Ti do të ngrihesh dhe do të të vijë keq për Sionin, sepse erdhi koha të tregosh dhembshuri ndaj tij; dhe koha e caktuar erdhi.
14Sepse shërbëtorët e tu i duan edhe gurët e tij dhe u vjen keq për pluhurin e tij.
15Po, kombet do të kenë frikë nga emri i Zotit dhe gjithë mbretërit e dheut nga lavdia jote,
16kur Zoti do të rindërtojë Sionin dhe do të duket në lavdinë e tij.
17Ai do të dëgjojë lutjen e njerëzve të braktisur dhe nuk do ta përbuzë lutjen e tyre.
18Kjo do të shkruhet për brezin e ardhshëm, dhe populli që do të krijohet do të lëvdojë Zotin,
19sepse ai shikon nga lartësia e shenjtërores së tij; nga qielli Zoti këqyr dheun,
20për të dëgjuar vajtimin e robërve, për të çliruar të dënuarit me vdekje;
21me qëllim që në Sion të shpallin emrin e Zotit dhe në Jeruzalem lavdinë e tij,
22kur popujt dhe mbretëritë do të mblidhen bashkë për t'i shërbyer Zotit.
23Rrugës ai ka pakësuar fuqinë time dhe ka shkurtuar ditët e mia.
24Kam thënë: "O Perëndia im, mos më merr në mes të ditëve të mia. Vitet e tua zgjasin brez pas brezi.
25Së lashti ti ke vendosur tokën dhe qiejt janë vepër e duarve të tua;
26ata do të zhduken, por ti do të mbetesh; do të konsumohen të gjithë si një rrobë; ti do t'i ndërrosh si një rrobë dhe ata do të ndryshohen.
27Por ti je gjithnjë po ai dhe vitet e tua nuk do të kenë kurrë fund.
28Bijtë e shërbëtorëve të tu do të kenë një vendbanim dhe pasardhësit e tyre do të jenë të qëndrueshëm para teje".