YouVersion Logo
Search Icon

Fjalët e urta 3

3
1Biri im, mos harro mësimet e mia dhe zemra jote le të ruajë urdhërimet e mia,
2sepse do të të shtohen ditë të gjata, vite jete dhe paqeje.
3Mirësia dhe e vërteta mos të lënçin kurrë; lidhi rreth qafës, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate;
4do të gjesh kështu hir dhe arsye në sytë e Perëndisë dhe të njerëzve.
5Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd;
6pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.
7Mos e mbaj veten të ditur në sytë e tu, ki frikë nga Zoti dhe hiq dorë nga e keqja;
8kjo do të jetë shërim për nervat e tua dhe freskim për kockat e tua.
9Ndero Zotin me pasurinë tënde dhe me prodhimet e para të çdo të ardhure që ke;
10hambarët e tu të grurit do të jenë plot e përplot dhe vozat e tua do të gufojnë me musht.
11Biri im, mos e përçmo ndëshkimin e Zotit dhe mos urre qortimin e tij,
12sepse Zoti qorton atë që do, si një baba djalin që atij i pëlqen.
13Lum ai njeri që ka gjetur diturinë dhe njeriu që ka përftuar arsyen.
14Sepse fitimi i tij është më i mirë se fitimi i argjendit dhe fryti i tij vlen më tepër se ari i kulluar.
15Ajo është më e çmuar se perlat dhe mbarë gjërat më të këndshme nuk mund të barazohen me të.
16Gjatësia e jetës është në të djathtë të saj, pasuria dhe lavdia në të majtë të saj.
17Rrugët e saj janë rrugë të kënaqshme dhe në të tërë shtigjet e saj mbretëron paqja.
18Ajo është një dru i jetës për ata që e kapin dhe lum ata që mbahen fort atje.
19Me diturinë Zoti krijoi tokën dhe me zgjuarsinë i bëri të qëndrueshëm qiejt.
20Me diturinë e tij u hapën humnerat dhe retë japin vesë.
21Biri im, këto gjëra mos u largofshin kurrë nga sytë e tu. Mbaje diturinë dhe të menduarit.
22Ato do të jenë jetë për shpirtin tënd dhe një zbukurim në qafën tënde.
23Atëherë do të ecësh i sigurt në rrugën tënde dhe këmba jote nuk do të pengohet.
24Kur do të biesh për të fjetur, nuk do të kesh frikë; po, do të biesh dhe gjumi yt do të jetë i ëmbël.
25Nuk do të druash llahtarën e papritur, as shkatërrimin e të pabesëve kur do të ndodhë,
26sepse Zoti do të jetë pranë teje dhe do të pengojë që këmba jote të kapet në ndonjë lak.
27Mos i refuzo të mirën atij që i takon, kur e ke në dorë ta bësh.
28Mos i thuaj të afërmit tënd: "Shko dhe kthehu; do të të jap nesër", kur e ke me vete gjënë e nevojshme.
29Mos kurdis asnjë të keqe kundër të afërmit tënd, ndërsa ai banon me besim bashkë me ty.
30Mos bëj padi kundër askujt pa shkak; po të jetë se nuk të ka bërë asnjë të keqe.
31Mos ki zili njeriun e dhunshëm dhe mos zgjidh asnjë nga rrugët e tij,
32sepse Zoti e neverit njeriun e çoroditur, por këshilla e tij është për njerëzit e ndershëm.
33Mallkimi i Zotit është në shtëpinë e të pabesit, por ai bekon banesën e të drejtëve.
34Me siguri ai tallet me tallësit, por i fal të përvuajturit.
35Njerëzit e urtë do të trashëgojnë lavdinë, por poshtërsia do të jetë trashëgimia e atyre që nuk kanë mend.

Currently Selected:

Fjalët e urta 3: ALBB

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy