YouVersion Logo
Search Icon

Mateu 21

21
1Kur iu afruan Jeruzalemit dhe arritën në Betfage, afër Malit të Ullinjve, Jezusi dërgoi dy dishepuj,
2duke u thënë atyre: ''Shkoni në fshatin që ndodhet përballë jush; aty do të gjeni menjëherë një gomare të lidhur dhe një pulishtë me të; zgjidhini dhe m'i sillni!
3Dhe nëse dikush ju thotë gjë, i thoni se Zoti ka nevojë për to, por do t'i kthejë shpejt''.
4Tani kjo ndodhi për të përmbushur ç'ishte thënë nga profeti, që thotë:
5''I thoni bijës së Sionit: Ja po të vjen mbreti yt, zemërbutë, hipur mbi një gomare, madje një pulishtë, pjellë e një kafshe barrë''.
6Dishepujt shkuan dhe vepruan ashtu si i kishte urdhëruar Jezusi.
7Sollën gomaren dhe pulishtin, shtruan mbi to mantelet e tyre, dhe ai u hipi.
8Dhe një turmë shumë e madhe shtronte mantelet e veta gjatë rrugës, ndërsa të tjerë thyenin degë nga pemët dhe i shtronin mbi rrugë.
9Turmat që vinin përpara dhe ato që e ndiqnin brohoritnin, duke thënë: ''Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! Hosana në vendet shumë të larta!''.
10Dhe kur hyri Jezusi në Jeruzalem, gjithë qyteti u ngrit në këmbë dhe tha: ''Kush është ky?''.
11Dhe turmat thoshin: ''Ky është Jezusi, profeti nga Nazareti i Galilesë.
12Pastaj Jezusi hyri në tempullin e Perëndisë, i dëboi të gjithë ata që shisnin dhe blinin në tempull dhe përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e shitësve të pëllumbave.
13Dhe u tha atyre: ''Është shkruar: "Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutje", por ju e keni kthyer në një shpellë kusarësh''.
14Atëherë iu paraqitën të verbër dhe të çalë, dhe ai i shëroi.
15Por krerët e priftërinjve dhe skribët, kur panë mrekullitë që ai kishte bërë dhe fëmijët që brohoritnin në tempull duke thënë: ''Hosana Birit të Davidit!'', u zemëruan,
16dhe i thanë: ''A po dëgjon ti çfarë thonë këta?''. Jezusi u tha atyre: ''Po! A nuk keni lexuar kurrë: "Nga goja e të vegjëlve dhe të foshnjave në gji ti ke përgatitur lavdi"?''.
17Dhe, mbasi i la ata, doli nga qyteti për në Betani, dhe atje kaloi natën.
18Në mëngjes, kur po kthehej në qytet e mori uria.
19Dhe gjatë rrugës pa një fik dhe iu afrua, por nuk gjeti asgjë përveç gjetheve; dhe i tha: ''Mos u lidhtë më kurrë fryt prej teje përjetë!''. Dhe fiku u tha menjëherë.
20Kur e panë këtë, dishepujt u çuditën dhe thanë: ''Qysh u tha fiku në çast?''.
21Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: ''Në të vërtetë ju them që, po të keni besim dhe të mos dyshoni, do të bëni jo vetëm atë që unë i bëra fikut, por, edhe sikur t'i thoni këtij mali: "Hiqu andej dhe hidhu në det", kjo do të ndodhë.
22Dhe gjithçka të kërkoni në lutje, duke patur besim, do të merrni''.
23Kur hyri në tempull, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit iu afruan, ndërsa i mësonte, dhe i thanë: ''Me ç'pushtet i bën ti këto gjëra? Dhe kush ta ka dhënë këtë pushtet?''.
24Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Edhe unë do t'ju bëj një pyetje, dhe në qoftë se ju do të më përgjigjeshit, unë gjithashtu do t'ju them me ç'pushtet i kryej këto gjëra.
25Pagëzimi i Gjonit nga erdhi? Nga qielli apo nga njerëzit?''. Dhe ata arsyetonin midis tyre duke thënë: ''Po t'i themi nga qielli, do të na thotë: "Përse atëherë nuk i besuat?".
26Në qoftë se i themi nga njerëzit, kemi frikë nga turma, sepse të gjithë e konsiderojnë Gjonin profet''.
27Dhe iu përgjigjën Jezusit duke thënë: ''Nuk e dimë''. Atëherë ai u tha atyre: ''As unë nuk do t'ju them me ç'pushtet i bëj këto gjëra".
28''Ç'mendoni? Një njeri kishte dy bij dhe duke iu drejtuar të parit tha: "Bir, shko sot të punosh në vreshtin tim";
29por ai u përgjigj dhe tha: "Nuk dua"; por më vonë, i penduar, shkoi.
30Pastaj iu kthye të dytit dhe i tha të njëjtën gjë. Dhe ai u përgjigj dhe tha: "Po, imzot, do ta bëj", por nuk shkoi.
31Cili nga të dy e kreu vullnetin e të atit?''. Ata i thanë: ''I pari''. Jezusi u tha atyre: ''Në të vërtetë ju them se tagrambledhësit dhe prostitutat hyjnë para jush në mbretërinë e qiejve.
32Sepse Gjoni erdhi tek ju në rrugën e drejtësisë, dhe iu nuk i besuat, ndërsa tagrambledhësit dhe prostitutat i besuan; as mbasi i keni parë këto gjëra, nuk u penduat për t'i besuar''.
33''Dëgjoni një shëmbëlltyrë tjetër: Ishte një pronar shtëpie, i cili mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, gërmoi një vend ku të shtrydhte rrushin, ndërtoi një kullë dhe, mbasi ua besoi disa vreshtarëve, u nis në një vend të huaj.
34Dhe kur erdhi koha e të vjelave, ai dërgoi shërbëtorët e vet te vreshtarët, për të marrë frutat e tij,
35por vreshtarët i kapën shërbëtorët e tij, njërin e rrahën, një tjetër e vranë dhe një tjetër e vranë me gurë.
36Përsëri, ai dërgoi shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, dhe këta vreshtarët i trajtuan në të njëjtën mënyrë.
37Më në fund ai i dërgoi atyre birin e vet duke thënë: "Për djalin tim do të kenë respekt!".
38Por vreshtarët, kur e panë të birin, i thanë njëri-tjetrit: "Ky është trashëgimtari; ejani, ta vrasim dhe marrim si pronë trashëgiminë e tij".
39Dhe e kapën, e nxorën jashtë nga vreshti dhe e vranë.
40Tani, kur të vijë i zoti i vreshtit, çfarë do t'u bëjë këtyre vreshtarëve?''.
41Ata i thanë: ''Ai do t'i vrasë keqas ata faqezinj dhe do t'ua besojë vreshtin vreshtarëve të tjerë, të cilët do t'i japin prodhimet në kohën e vet''.
42Jezusi u tha atyre: ''A nuk keni lexuar kurrë në Shkrimet: "Guri, që ndërtuesit e nxorën të papërdorshëm, u bë guri i qoshes. Kjo është vepër e Zotit, dhe është e mrekullueshme në sytë tonë"?
43Prandaj unë po ju them se juve do t'ju hiqet mbretëria e Perëndisë dhe do t'i jepet një kombi që do ta bëjë të japë fryt.
44Dhe ai që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copë-copë; dhe ai mbi të cilin do të bjerë ai do të jetë i thërrmuar''.
45Dhe krerët e priftërinjve dhe farisenjtë, kur i dëgjuan shëmbëlltyrat e tij, e kuptuan se po fliste për ta.
46Dhe kërkonin ta kapnin, por kishin frikë nga turmat, sepse ato e konsideronin profet.

Currently Selected:

Mateu 21: ALBB

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy