YouVersion Logo
Search Icon

Mateu 15

15
1Atëherë skribët dhe farisenjtë e Jeruzalemit erdhën te Jezusi dhe i thanë:
2''Përse dishepujt e tu shkelin traditën e pleqve? Sepse nuk i lajnë duart para se të hanë''.
3Por ai u përgjigj dhe u tha atyre: ''Dhe ju përse shkelni urdhërimin e Perëndisë për shkak të traditës suaj?
4Perëndia, në fakt, ka urdhëruar kështu: "Ndero atin dhe nënën"; dhe: "Ai që e mallkon të atin ose të ëmën të dënohet me vdekje".
5Kurse ju thoni: "Kushdo që i thotë atit ose nënës: "Gjithçka me të cilën mund të të mbaja i është ofruar Perëndisë",
6ai nuk është më i detyruar të nderojë atin e vet dhe nënën e vet. Kështu ju keni prapësuar urdhërimin e Perëndisë për shkak të traditës suaj.
7Hipokritë, mirë profetizoi Isaia për ju kur tha:
8"Ky popull po më afrohet me gojë dhe më nderon me buzët; por zemra e tyre rri larg meje.
9Dhe më kot më nderojnë, duke i mësuar doktrina që janë urdhërime nga njerëzit"''.
10Pastaj e thirri turmën pranë tij dhe u tha atyre: ''Dëgjoni dhe kuptoni:
11Njeriun nuk e ndot çfarë i hyn në gojë, por ajo që del nga goja e tij e ndot njeriun''.
12Atëherë dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: ''A e di se farisenjtë, kur i dëgjuan këto fjalë u skandalizuan?''.
13Por ai duke u përgjigjur u tha: ''Çdo bimë që Ati im qiellor nuk e ka mbjellë, do të shkulet me rrënjë.
14Hiqni dorë prej tyre; ata janë të verbër, prijës të verbërish; dhe në qoftë se një i verbër i prin një të verbëri tjetër, të dy do të bien në gropë''.
15Atëherë Pjetri iu përgjigj dhe i tha: ''Na e shpjego këtë shëmbëlltyrë''.
16Dhe Jezusi tha: ''As juve s'keni kuptuar akoma?
17A nuk e kuptoni se çdo gjë që hyn në gojë kalon në bark dhe jashtëqitet në gjiriz?
18Por gjërat që dalin nga goja, dalin nga zemra; dhe ato ndotin njeriun.
19Sepse nga zemra dalin mendimet e mbrapshta, vrasjet, shkeljet e kurorës; kurvëria, vjedhjet, dëshmitë e rreme, blasfemitë.
20Këto janë gjërat që e ndotin njeriun, kurse të hash pa i larë duart nuk e ndot njeriun''.
21Pastaj Jezusi, pasi u largua që andej, u nis drejt rrethinave të Tiros dhe të Sidonit.
22Dhe ja, një grua kanaanease, që kishte ardhur nga ato anë, filloi të bërtasë duke thënë: ''Ki mëshirë për mua, o Zot, o Bir i Davidit! Vajza ime është tmerrësisht e pushtuar nga një demon!''.
23Por ai nuk iu përgjigj fare. Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe iu lutën duke thënë: ''Lëshoje atë, sepse po bërtet pas nesh''.
24Por ai u përgjigj dhe tha: ''Unë nuk jam dërguar gjetiu, përveç te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit''.
25Por ajo erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: ''O Zot, ndihmomë!''.
26Ai u përgjigj, duke thënë: ''Nuk është gjë e mirë të marrësh bukën e fëmijëve dhe t'ua hedhësh këlyshëve të qenve''.
27Por ajo tha: ''Është e vërtetë, Zot, sepse edhe këlyshët e qenve hanë thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre''.
28Atëherë Jezusi iu përgjigj duke thënë: ''O grua, i madh është besimi yt! T'u bëftë ashtu si dëshiron''. Dhe që në atë çast e bija u shërua.
29Pastaj, mbasi u nis që andej, Jezusi erdhi pranë detit të Galilesë, u ngjit në mal dhe u ul atje.
30Dhe iu afruan turma të mëdha që sillnin me vete të çalë, të verbër, memecë, sakatë dhe shumë të tjerë; i ulën përpara këmbëve të Jezusit dhe ai i shëroi.
31Turmat mrekulloheshin kur shikonin se memecët flisnin, sakatët shëroheshin, të çalët ecnin dhe të verbrit shihnin; dhe lëvdonin Perëndinë e Izraelit.
32Dhe Jezusi i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha: ''Unë kam mëshirë për turmën, sepse u bënë tri ditë që rri me mua dhe nuk ka asgjë për të ngrënë; nuk dua t'i nis të pangrënë, se mos ligështohen gjatë rrugës''.
33Dhe dishepujt e tij i thanë: ''Po ku mund të gjejmë në këtë vend të shkretë aq bukë sa të ngopim një turmë kaq të madhe?''.
34Dhe Jezusi u tha atyre: ''Sa bukë keni?''. Ata thanë: ''Shtatë dhe pak peshq të vegjël''.
35Atëherë ai u dha urdhër turmave që të uleshin për tokë.
36Pastaj i mori shtatë bukët dhe peshqit, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të tij, dhe dishepujt turmës.
37Dhe të gjithë hëngrën dhe u ngopën; dhe ngritën tepricën e copave, shtatë kosha plot.
38Dhe ata që hëngrën ishin katër mijë burra, pa i numëruar gratë dhe fëmijët.
39Pastaj, mbasi e lejoi turmën, hipi në barkë dhe u drejtua për në krahinën e Magdalas.

Currently Selected:

Mateu 15: ALBB

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy