YouVersion Logo
Search Icon

Jeremia 37

37
1Mbreti Sedekia, bir i Josias, që Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, e kishte bërë mbret në vendin e Judës, mbretëroi në vend të Koniahut, birit të Jehojakimit.
2Por as ai, as shërbëtorët e tij, as populli i vendit nuk i dëgjuan fjalët që Zoti kishte shqiptuar me anë të profetit Jeremia.
3Mbreti Sedekia dërgoi Jehukalin, birin e Shelemiahut, dhe priftin Sofonia, birin e Maaseiahut, te profeti Jeremia për t'i thënë: "Oh, lutju për ne Zotit, Perëndisë tonë".
4Jeremia shkonte e vinte në popull, sepse akoma nuk e kishin shtënë në burg.
5Ndërkohë ushtria e Faraonit kishte dalë nga Egjipti; sapo kaldeasit që rrethonin Jeruzalemin e mësuan këtë lajm, u larguan nga Jeruzalemi.
6Atëherë fjala e Zotit iu drejtua profetit Jeremia, duke thënë:
7"Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Do t'i thoni kështu mbretit të Judës që ju ka dërguar për t'u konsultuar me mua: Ja, ushtria e Faraonit, që kishte dalë për t'ju ndihmuar, do të kthehet në vendin e vet, në Egjipt.
8Kaldeasit do të kthehen dhe do të luftojnë kundër këtij qyteti, do ta shtien në dorë dhe do t'i vënë flakën".
9Kështu thotë Zoti: "Mos gënjeni veten duke thënë: "Kaldeasit do të ikin me siguri nga ne", sepse nuk do të ikin.
10Edhe sikur të arrini ta mundni tërë ushtrinë e kaldeasve që luftojnë kundër jush dhe të mbeteshin vetëm disa të plagosur, këta do të ngriheshin secili në çadrën e vet dhe do t'i vinin flakën këtij qyteti".
11Ndodhi që, kur ushtria e kaldeasve u largua nga Jeruzalemi për shkak të ushtrisë së Faraonit,
12Jeremia doli nga Jeruzalemi për të shkuar në vendin e Beniaminit për të marrë pjesën e tij të trashëgimisë në mes të popullit.
13Por, kur arriti te porta e Beniaminit, ku ishte një kapiten roje që quhej Irijah, biri i Shelemiahut, bir i Hananiahut, ky e arrestoi profetin Jeremia, duke thënë: "Ti je bërë me kaldeasit".
14Jeremia u përgjigj "Nuk është e vërtetë, unë nuk po bëhem me kaldeasit", por ai nuk ia vuri veshin. Kështu Irijahu e arrestoi Jeremian dhe e çoi te princat.
15Princat u zemëruan me Jeremian, e rrahën dhe e futën në burg në shtëpinë e shkruesit Jonathan të cilën e kishin kthyer në burg.
16Kur Jeremia hyri në shtëpinë e burgut të nëndheshëm, në qeli, mbeti aty shumë ditë.
17Pastaj mbreti Sedekia dërgoi ta marrin, e pyeti fshehurazi në shtëpinë e tij dhe i tha: "A ka ndonjë fjalë nga ana e Zotit?". Jeremia u përgjigj: "Po, ka". Dhe shtoi: "Ti do të jepesh në dorë të mbretit të Babilonisë".
18Përveç kësaj Jeremia i tha mbretit Sedekia: "Çfarë faji kam kryer kundër teje, kundër shërbëtorëve të tu ose kundër këtij populli, që më fute në burg?
19Ku janë tani profetët tuaj që ju profetizonin duke thënë: "Mbreti i Babilonisë nuk do të vijë kundër jush as kundër këtij vendi"?
20Tani dëgjo, të lutem, o mbret imzot, lutja ime të jetë e pëlqyer para teje dhe mos më kthe në shtëpinë e shkruesit Jonathan, që të mos vdes atje".
21Atëherë mbreti Sedekia urdhëroi që Jeremia të ruhej në oborrin e burgut dhe t'i jepej çdo ditë një copë bukë nga rruga e furrtarëve, derisa të mbarohej gjithë buka e qytetit. Kështu Jeremia mbeti në oborrin e burgut.

Currently Selected:

Jeremia 37: ALBB

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy