YouVersion Logo
Search Icon

Zanafilla 16

16
1Por Saraj, gruaja e Abramit, nuk i kishte dhënë asnjë fëmijë. Ajo kishte një shërbyese egjiptase që quhej Agar.
2Kështu Saraj i tha Abramit: "Ja, Zoti më ka ndaluar të kem fëmijë; oh, futu te shërbyesja ime, ndofta mund të kem fëmijë prej saj". Dhe Abrami dëgjoi zërin e Sarajt.
3Kështu pra Saraj, gruaja e Abramit, mbasi ky i fundit kishte banuar dhjetë vjet në vendin e kanaanenjve, mori shërbyesen e saj Agarin, egjiptasen, dhe ia dha për grua burrit të saj Abramit.
4Dhe ai u fut tek Agari, që mbeti me barrë; por kur u bind se kishte mbetur me barrë, ajo e shikoi me përbuzje zonjën e saj.
5Atëherë Saraj i tha Abramit: "Përgjegjësia për fyerjen që m'u bë le të bjerë mbi ty. Kam qenë unë që të hodha në krahët e shërbyeses sime; por që kur e mori vesh që është me barrë, ajo më shikon me përbuzje. Zoti le të jetë gjykatës midis meje dhe teje".
6Abrami iu përgjigj Sarajt: "Ja, shërbyesja jote është në dorën tënde; bëj me të ç'të duash". Atëherë Saraj e trajtoi në mënyrë të ashpër dhe ajo iku nga prania e saj.
7Por Engjëlli i Zotit e gjeti pranë një burimi uji në shkretëtirë, pranë burimit në rrugën e Shurit,
8dhe i tha: "Agar, shërbyesja e Sarajt, nga vjen dhe ku po shkon?" Ajo u përgjigj: "Po iki nga prania e zonjës sime Saraj".
9Atëherë Engjëlli i Zotit i tha: "Kthehu tek zonja jote dhe nënshtroju autoritetit të saj".
10Pastaj Engjëlli i Zotit shtoi: "Unë do t'i shumëzoj fort pasardhësit e tu aq sa të mos mund të llogariten për shkak të numrit të tyre të madh".
11Engjëlli i Zotit i tha akoma: "Ja, ti je me barrë dhe do të lindësh një djalë dhe do ta quash Ismael, sepse Zoti mori parasysh hidhërimin tënd;
12ai do të jetë ndërmjet njerëzve si një gomar i egër; dora e tij do të jetë kundër të gjithëve dhe dora e të gjithëve kundër tij; dhe do të banojë në prani të të gjithë vëllezërve të tij".
13Atëherë Agari thirri emrin e Zotit që i kishte folur: "Ti je El-Roi", sepse tha: "A e pashë me të vërtetë atë që më shikon?".
14Prandaj ai pus u quajt "Pusi i Lahai-Roit". Ja, ai ndodhet midis Kadeshit dhe Beredit.
15Kështu Agari i lindi një djalë Abramit; dhe Abrami i vuri djalit që Agari kishte lindur emrin Ismael.
16Abrami ishte tetëdhjetë e gjashtë vjeç, kur Agari lindi Ismaelin për Abramin.

Currently Selected:

Zanafilla 16: ALBB

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy