YouVersion Logo
Search Icon

2 i Mbretërve 6

6
1Dishepujt e profetëve i thanë Eliseut: "Ja, vendi ku ne banojmë me ty është tepër i vogël për ne.
2Na lër të shkojmë deri në Jordan: atje secili prej nesh do të gjejë një tra dhe do të bëjmë një vend për të banuar". Eliseu u përgjigj: "Shkoni".
3Njëri prej tyre tha: "Të lutem, prano të vish edhe me shërbëtorët e tu". Ai u përgjigj: "Do të vij".
4Kështu ai shkoi me ata. Kur arritën në Jordan, filluan të presin disa drurë.
5Ndërsa njeri prej tyre po i binte një trungu, hekuri i sëpatës i ra në ujë. Ai filloi të bërtasë dhe tha: "Oh, o imzot, këtë e kisha marrë hua".
6Njeriu i Perëndisë pyeti: "Ku ka rënë?". Ai i tregoi vendin. Atëherë Eliseu preu një copë druri, e hodhi në atë pikë dhe nxori në sipërfaqe hekurin.
7Pastaj tha: "Merre". Kështu ai shtriu dorën dhe e mori.
8Ndërsa mbreti i Sirisë ishte në luftë kundër Izraelit, duke u këshilluar me shërbëtorët e tij, ai tha: "Kampi im do të jetë në filan vend".
9Atëherë njeriu i Perëndisë dërgoi t'i thotë mbretit të Izraelit: "Mos trego pakujdesi për filan vend, sepse aty po zbresin sirët".
10Prandaj mbreti i Izraelit dërgoi njerëz në vendin që njeriu i Perëndisë i kishte treguar dhe e kishte paralajmëruar të tregohej i kujdesshëm. Kështu ai u tregua vigjilent ndaj këtij vendi dhe kjo ndodhi jo vetëm një a dy herë.
11Shumë i tronditur në zemër të tij për këtë gjë, mbreti i Sirisë mblodhi shërbëtorët e tij dhe u tha: "A dini të më thoni se kush nga tanët mban anën e mbretit të Izraelit?".
12Një nga shërbëtorët e tij u përgjigj: "Asnjeri, o mbret, imzot, por Eliseu, profeti që ndodhet në Izrael, i bën të njohur mbretit të Izraelit bile edhe fjalët që ti thua në dhomën e gjumit".
13Atëherë mbreti tha: "Shkoni të shihni se ku është, që të mund të dërgoj njerëz për ta marrë". I bënë këtë njoftim: "Ja, ndodhet në Dothan".
14Kështu mbreti dërgoi aty kuaj, qerre dhe një ushtri të madhe; këta arritën natën dhe rrethuan qytetin.
15Të nesërmen shërbëtori i njeriut të Perëndisë u ngrit në mëngjes dhe doli; dhe ja, qyteti ishte rrethuar nga një ushtri me kuaj dhe kalorës. Atëherë shërbëtori i tij i tha: "Oh, ç'do të bëjmë, imzot?".
16Ai u përgjigj: "Mos ki frikë, sepse ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta".
17Pastaj Eliseu u lut dhe tha: "O Zot, të lutem, hap sytë e tij që të mund të shohë". Atëherë Zoti ia hapi sytë të riut dhe ai pa; dhe ja, mali ishte plot me kuaj dhe me qerre të zjarrta rreth e qark Eliseut.
18Ndërsa sirët po zbrisnin në drejtim të Eliseut, ky iu lut Zotit dhe i tha: "Të lutem, goditi këta njerëz me verbëri". Dhe ai i verboi sipas fjalës së Eliseut.
19Atëherë Eliseu u tha atyre: "Nuk është kjo rruga dhe nuk është ky qyteti; ejani pas meje dhe unë do t'ju çoj te njeriu që kërkoni". I çoi pastaj në Samari.
20Kur arritën në Samari, Eliseu tha: "O Zot, hapua sytë që të shohin". Zoti ua hapi sytë dhe ata panë; ja, ndodheshin brenda në Samari.
21Kur mbreti i Izraelit i pa, i tha Eliseut: "O ati im, duhet t'i vras? A duhet t'i vras?
22Ai u përgjigj: "Mos i vrit! A do të vrisje, vallë ata që ke zënë robër me shpatën dhe me harkun tënd? Vëru përpara bukë dhe ujë, që të hanë dhe të pinë dhe pastaj të kthehen te zotit të tyre".
23Atëherë ai përgatiti për ta një banket të madh. Pasi hëngrën dhe pinë, u nda me ta dhe ata u kthyen përsëri te zotit të tyre. Kështu bandat e sirëve nuk erdhën më të bëjnë sulme në territorin e Izraelit.
24Mbas këtyre ngjarjeve ndodhi që Ben Hadadi, mbret i Sirisë, mblodhi tërë ushtrinë e tij dhe u nis kundër Samarisë për ta rrethuar.
25Në Samari ra një zi e madhe; rrethimi i sirëve qe aq i fortë sa një kokë gomari shitej tetëdhjetë sikla argjendi dhe një çerek kabi glasash pëllumbi pesë sikla argjendi.
26Kur mbreti i Izraelit po kalonte mbi muret, një grua i bërtiti dhe i tha: "Ndihmë, o mbret, o imzot!".
27Ai iu përgjigj: "Në rast se nuk të ndihmon Zoti, ku mund ta gjej unë ndihmën për ty? Mos vallë me prodhimet e lëmit dhe të trokullës?".
28Pastaj mbreti shtoi: "Çfarë ke?". Ajo u përgjigj: "Kjo grua më tha: "Më jep djalin tënd që ta hamë sot; djalin tim do ta hamë nesër".
29Kështu e gatuam djalin tim dhe e hëngrëm. Të nesërmen i thashë: "Më jep djalin tënd që ta hamë". Por ajo e fshehu djalin e saj".
30Kur mbreti dëgjoi këto fjalë të gruas, grisi rrobat e tij. Ndërsa kalonte mbi muret, populli shikoi, dhe ja, ai kishte një grathore mbi lëkurë.
31Atëherë mbreti tha: "Perëndia të më bëjë këtë dhe më keq, në qoftë se sot koka e Eliseut, birit të Shafatit, ka për të mbetur akoma mbi supet e tij!".
32Eliseu po rrinte ulur në shtëpinë e tij dhe me të ishin ulur pleqtë. Mbreti dërgoi para tij një njeri; por para se lajmëtari të arrinte tek ai, ai u tha pleqve: "A e shikoni se ky bir vrasësi ka dërguar një person për të më prerë kokën? Kini kujdes, kur të arrijë lajmëtari, mbyllni portën dhe bllokojeni te porta. A nuk dëgjohet prapa tij vallë, zhurma e hapave të zotit të tij?".
33Ndërsa ai vazhdonte të fliste akoma me ta, ja ku zbriti tek ai lajmëtari. Atëherë mbreti tha: "Ja, kjo fatkeqësi vjen nga Zoti; çfarë mund të shpresoj akoma unë nga Zoti?".

Currently Selected:

2 i Mbretërve 6: ALBB

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy