YouVersion Logo
Search Icon

Marku 1

1
Predikimi i Gjon Pagëzorit
(Mt 3.1-12; Lk 3.1-9, 15-17; Gjn 1.19-28)
1Fillimi i ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë. 2Ndodhi sikurse është shkruar te profeti Isai:
ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim
përpara teje,
që të përgatisë udhën tënde.
3 Ai është zëri
që thërret në shkretëtirë:
bëni gati udhën për Zotin,
drejtoni shtigjet e tij.
4Gjon Pagëzori doli në shkretëtirë dhe u predikonte njerëzve të pendoheshin e të pagëzoheshin, që t'u faleshin mëkatet. 5Njerëz nga e gjithë krahina e Judesë dhe të gjithë banorët e Jerusalemit shkonin tek ai e pagëzoheshin prej tij në lumin Jordan, duke rrëfyer haptazi mëkatet e tyre. 6Gjoni ishte i veshur me një rrobë prej leshi deveje, mbante një brez lëkure rreth ijëve e hante karkaleca e mjaltë të egër. 7Ai predikonte e thoshte: «Pas meje vjen ai që është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë të ulem as për t'i zgjidhur lidhëset e sandaleve. 8Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t'ju pagëzojë me Shpirtin e shenjtë».
Pagëzimi i Jezuit
(Mt 3.13-17; Lk 3.21-22)
9Gjatë atyre ditëve Jezui erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua prej Gjonit në Jordan. 10Menjëherë, ndërsa po dilte nga uji, pa qiejt që po hapeshin dhe Shpirtin si një pëllumb duke zbritur mbi të. 11Atëherë u dëgjua një zë nga qielli: «Ti je Biri im i dashur. Me ty jam i kënaqur».
Tundimi i Jezuit
(Mt 4.1-11; Lk 4.1-13)
12Menjëherë Shpirti e çoi Jezuin në shkretëtirë. 13Ai qëndroi në shkretëtirë dyzet ditë, i tunduar nga Satani. Rrinte me egërsira dhe engjëjt i shërbenin.
Shërbesa në Galile
(Mt 4.12-17; Lk 4.14-15)
14Pasi e kapën Gjonin, Jezui shkoi në Galile, ku predikonte ungjillin e Perëndisë 15e thoshte: «Erdhi koha, mbretëria e Perëndisë është afër; pendohuni e besoni në ungjill».
Thirrja e katër peshkatarëve
(Mt 4.18-22; Lk 5.1-11)
16Ndërsa kalonte bregut të liqenit#1.16 ose: detit të Galilesë, Jezui pa Simonin e Andrean, vëllanë e Simonit, që po hidhnin rrjetat në liqen. Ata ishin peshkatarë. 17Jezui u tha: «Ejani pas meje e unë do t'ju bëj peshkatarë njerëzish». 18Ata lanë menjëherë rrjetat e shkuan pas tij. 19Pak më tutje Jezui pa Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, të vëllanë, që ishin në varkë duke arnuar rrjetat 20dhe i thirri menjëherë. Ata lanë në varkë Zebedeun, atin e tyre, bashkë me shërbëtorët e shkuan pas tij.
I pushtuari nga një shpirt i ndyrë
(Lk 4.31-37)
21Pastaj shkuan në Kafarnaum dhe menjëherë, ditën e shtunë, Jezui hyri në sinagogë e filloi të mësonte njerëzit. 22Ata mahniteshin nga mësimi i tij, se i mësonte me pushtet e jo si shkruesit. 23Në sinagogë ishte një njeri i pushtuar nga një shpirt i ndyrë 24që filloi të thërriste: «Çfarë ke me ne, o Jezu i Nazaretit? A ke ardhur të na shkatërrosh? Unë e di kush je: ti je i shenjti i Perëndisë». 25Por Jezui e qortoi e i tha: «Hesht e dil prej tij!». 26Shpirti i ndyrë doli prej tij duke e shkundur e duke thirrur me zë të lartë. 27Të gjithë u mahnitën e pyesnin njëri-tjetrin: «Ç'është kjo? Një mësim i ri, i dhënë me pushtet! Ai urdhëron deri edhe shpirtrat e ndyrë e ata i binden».
28E sakaq fama e tij u përhap kudo nëpër rrethinat e Galilesë.
Shërimi i shumë njerëzve
(Mt 8.14-17; Lk 4.38-41)
29Kur doli nga sinagoga, Jezui shkoi menjëherë në shtëpinë e Simonit e të Andreas, bashkë me Jakobin e Gjonin. 30Sapo hyri, i treguan për vjehrrën e Simonit që dergjej në shtrat me ethe. 31Ai iu afrua, e mori për dore dhe e ngriti. Atëherë atë e lanë ethet e filloi t'u shërbente.
32Në mbrëmje, në perëndim të diellit, sollën tek ai të gjithë të sëmurët dhe të pushtuarit nga djalli. 33I tërë qyteti ishte mbledhur te dera. 34Jezui shëroi shumë veta që vuanin nga sëmundje të ndryshme e dëboi shumë djaj. Ai nuk i lejonte djajtë të flisnin, sepse ata e dinin kush ishte.
Predikimi i ungjillit
(Lk 4.42-44)
35Në mëngjes herët, shumë kohë përpara se të agonte, Jezui u ngrit e shkoi në një vend të shkretë për t'u lutur. 36Simoni dhe të tjerët që ishin me të shkuan pas tij, 37e gjetën e i thanë: «Të gjithë po të kërkojnë». 38Ai u tha: «Le të shkojmë më tej në fshatrat e tjera, që të predikoj edhe atje, sepse për këtë gjë kam ardhur». 39Dhe shkonte nëpër gjithë Galilenë, duke predikuar në sinagogat e tyre e duke dëbuar djajtë.
Pastrimi i të lebrosurit
(Mt 8.1-4; Lk 5.12-16)
40Një i lebrosur shkoi tek ai dhe, duke iu përgjëruar e duke i rënë në gjunjë, i tha: «Po të duash, ti mund të më pastrosh». 41Jezui ndjeu dhembshuri, shtriu dorën, e preku e i tha: «Dua. Pastrohu!». 42Dhe lebra e la menjëherë e ai u pastrua. 43Jezui e largoi menjëherë dhe e urdhëroi rreptësisht: 44«Mos i trego njeriu, por shko paraqitu te prifti dhe kushto për pastrimin tënd atë që ka urdhëruar Moisiu. Kjo do t'u shërbejë si dëshmi». 45Por sapo doli, ai filloi të hapte fjalë e ta shpallte këtë gjë, saqë Jezui nuk mundi të hyjë më haptas në qytet, por qëndroi jashtë nëpër vende të shkreta. Dhe njerëzit vinin tek ai nga çdo anë.

Currently Selected:

Marku 1: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy