YouVersion Logo
Search Icon

Luka 24

24
1Ditën e parë pas së shtunës, herët në mëngjes, gratë erdhën te varri me vajrat erëmirë që kishin përgatitur. 2Ato e gjetën gurin të rrokullisur nga varri, 3u futën brenda, por nuk e gjetën trupin e Zotit Jezu. 4Ndërsa ishin të hutuara nga kjo gjë, papritur u shfaqën përbri tyre dy burra me rroba vezulluese. 5Gratë i zuri frika e ranë me fytyrë përdhe, por burrat u thanë: «Përse e kërkoni të gjallin ndër të vdekurit? Ai nuk është këtu. Është ngjallur. 6Kujtohuni se çfarë ju tha kur ishte në Galile, 7sesi Biri i njeriut duhej t'u dorëzohej mëkatarëve, të kryqëzohej e të tretën ditë të ngjallej». 8Ato kujtuan fjalët e tij 9dhe kur u kthyen nga varri, u treguan gjithçka të njëmbëdhjetëve e të gjithë të tjerëve. 10Ishin Maria Magdalena, Joana, Maria nëna e Jakobit dhe gratë e tjera që rrinin me to. Ato ua treguan këto gjëra apostujve, 11por atyre iu dukën të pakuptimta këto fjalë e nuk u besuan.
12Megjithatë Pjetri u ngrit e vrapoi te varri. U përkul e shikoi brenda. Ai pa vetëm pëlhurat e u kthye në shtëpi i mrekulluar për çfarë kishte ndodhur.
Rrugës për Emaus
(Mk 16.12-13)
13Në të njëjtën ditë, dy prej tyre po shkonin në një fshat me emrin Emaus që është rreth njëmbëdhjetë kilometra nga Jerusalemi. 14Ata po flisnin me njëri-tjetrin rreth të gjitha gjërave që kishin ndodhur. 15Ndërsa flisnin e bisedonin, Jezui iu afrua dhe eci bashkë me ta, 16por diçka i pengonte ta njihnin. 17Ai u tha: «Për çfarë po bisedonit me njëri-tjetrin duke ecur?». Ata u ndalën të trishtuar. 18Atëherë njëri prej tyre, që quhej Kleopa, iu përgjigj: «A je ti i vetmi i huaj në Jerusalem që nuk e di çfarë ka ndodhur aty këto ditë?». 19Ai i pyeti: «Çfarë?». Ata i thanë: «Gjërat rreth Jezuit të Nazaretit që ishte profet i fuqishëm me vepra e me fjalë para Perëndisë e para gjithë njerëzve 20dhe sesi kryepriftërinjtë dhe krerët tanë e dorëzuan që të dënohej me vdekje dhe e kryqëzuan. 21Ne shpresonim se ai do ta shpengonte Izraelin, por u bënë tri ditë që kur kanë ndodhur këto gjëra. 22Disa gra nga grupi ynë na kanë çuditur. Ato ishin sot në mëngjes herët te varri 23dhe, pasi nuk e gjetën aty trupin e tij, erdhën e na thanë se u janë shfaqur engjëj që u kanë thënë se ai është gjallë. 24Disa nga ata që ishin me ne shkuan te varri dhe e gjetën ashtu siç u kishin thënë gratë, por atë nuk e panë».
25Atëherë ai u tha: «O të pamend e të ngadaltë për të besuar çfarë kanë thënë të gjithë profetët! 26A nuk duhej që Krishti të vuante këto gjëra e pastaj të hynte në lavdinë e tij?». 27Pastaj ai u shtjelloi të gjitha Shkrimet që flisnin për të, duke filluar nga Moisiu deri te të gjithë profetët.
28Kur iu afruan fshatit ku po shkonin, Jezui eci përpara, sikur donte të vazhdonte, 29por ata iu lutën shumë e i thanë: «Rri me ne, se po vjen mbrëmja e dita gati mbaroi». Atëherë ai shkoi e ndenji me ta. 30Kur ishte në tryezë me ta, mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu e ua dha atyre. 31Atëherë atyre iu hapën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej tyre. 32Ata i thanë njëri-tjetrit: «A nuk na digjte zemra kur na fliste gjatë udhës e kur na çelte Shkrimet?». 33Në atë çast u ngritën e shkuan në Jerusalem, ku gjetën të njëmbëdhjetët e të tjerët që ishin me ta e që po rrinin së bashku. 34Ata thoshin: «Zoti është ngjallur me të vërtetë dhe i është shfaqur Simonit». 35Atëherë dy dishepujt u treguan çfarë kishte ndodhur gjatë udhës dhe sesi u ishte bërë i njohur në thyerjen e bukës.
Jezui u shfaqet dishepujve
(Mt 28.16-20; Mk 16.14-18; Gjn 20.19-23; Vp 1.6-8)
36Ndërsa po flisnin për këto gjëra, Jezui qëndroi mes tyre e u tha: «Paqja me ju!». 37Ata u trembën e i zuri frika duke menduar se po shihnin një shpirt. 38Por ai u tha: «Përse keni frikë e përse lindin dyshime në zemrat tuaja? 39Shikojini duart e mia e këmbët e mia. Jam unë. Prekmëni e shikoni. Shpirti nuk ka mish e kocka siç shihni se kam unë». 40Dhe, pasi tha këto, u tregoi duart e këmbët. 41Ndërsa ata ende nuk po besonin nga gëzimi dhe çuditeshin, Jezui u tha: «A keni ndonjë gjë për të ngrënë?». 42Ata i dhanë një copë peshk të pjekur#24.42 dorëshk. të tjera edhe: dhe hoje mjalti. 43Ai e mori dhe e hëngri në praninë e tyre.
44Atëherë u tha: «Këto fjalë jua thashë kur isha ende me ju: gjithçka që është shkruar për mua në ligjin e Moisiut, te Profetët e te Psalmet, duhet të përmbushet». 45Pastaj ua hapi mendjet që të kuptonin Shkrimet 46e u tha: «Është shkruar se Krishti duhet të vuajë e të ngjallet prej të vdekurve të tretën ditë 47dhe të gjitha kombeve do t'u shpallet pendimi e falja e mëkateve, duke filluar nga Jerusalemi. 48Ju jeni dëshmitarët e këtyre gjërave. 49Ja, unë po ju dërgoj premtimin e Atit tim, prandaj rrini këtu në qytet derisa të visheni me pushtet nga lart».
Ngritja në qiell
(Mk 16.19-20; Vp 1.9-11)
50Pastaj u priu deri në Betani, ngriti duart e i bekoi. 51Ndërsa po i bekonte, u largua prej tyre e u mor në qiell. 52Ata e adhuruan e u kthyen me gëzim të madh në Jerusalem 53ku rrinin pareshtur në tempull dhe bekonin Perëndinë.

Currently Selected:

Luka 24: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy