YouVersion Logo
Search Icon

Gjoni 20

20
Ngjallja
(Mt 28.1-10; Mk 16.1-8; Lk 24.1-12)
1Ditën e parë pas së shtunës, herët në mëngjes, ndërsa ishte ende errësirë, Maria Magdalena shkoi te varri dhe pa gurin të larguar nga hyrja. 2Atëherë ajo shkoi me vrap te Simon Pjetri dhe te dishepulli tjetër, ai të cilin Jezui e donte, e u tha: «E kanë marrë Zotin nga varri dhe nuk e dimë ku e kanë vënë».
3Pjetri dhe dishepulli tjetër dolën jashtë e shkuan te varri. 4Vraponin që të dy, por dishepulli tjetër vrapoi më shpejt se Pjetri dhe mbërriti i pari te varri. 5U përkul dhe pa pëlhurat e lëna atje, por nuk hyri brenda.
6Ndërkohë mbërriti edhe Simon Pjetri, që po vinte pas tij, dhe hyri në varr. Aty pa të lëna pëlhurat 7si dhe rizën që kishte qenë mbi kokën e Jezuit. Kjo nuk ishte me pëlhurat, por ishte e mbështjellë veç në një vend tjetër. 8Atëherë hyri edhe dishepulli tjetër që kishte mbërritur i pari te varri. Ai pa dhe besoi. 9Ata nuk e kishin kuptuar ende Shkrimin që thoshte se Jezui duhej të ngjallej prej të vdekurve. 10Pastaj dishepujt u kthyen përsëri në shtëpi.
Maria Magdalena
(Mk 16.9-11)
11Maria qëndronte përjashta pranë varrit duke qarë. Ndërsa qante, u përkul drejt varrit 12dhe pa dy engjëj të veshur me të bardha që qëndronin atje ku kishte qenë shtrirë trupi i Jezuit, njëri te koka e tjetri te këmbët. 13Ata i thanë: «Grua, përse po qan?». Ajo u tha: «E kanë marrë Zotin tim dhe nuk e di ku e kanë vënë». 14Si tha këto, ajo u kthye prapa dhe pa Jezuin që qëndronte më këmbë, por nuk e dinte se ishte ai. 15Jezui i tha: «Grua, përse po qan? Kë po kërkon?». Ajo, duke kujtuar se ishte kopshtari, i tha: «Zotëri, nëse e ke marrë ti, më thuaj ku e vure dhe unë do ta marr». 16Jezui i tha: «Mari!». Ajo u kthye e i tha në hebraisht: «Rabbuni!» që do të thotë mësues. 17Jezui i tha: «Mos më prek, se nuk jam ngjitur ende tek Ati. Por, shko te vëllezërit e mi e thuaju se unë po ngjitem tek Ati im e Ati juaj, Perëndia im e Perëndia juaj».
18Maria Magdalena shkoi dhe i lajmëroi dishepujt se kishte parë Zotin dhe se ai i kishte thënë asaj këto fjalë.
U shfaqet dishepujve
(Mt 28.16-20; Mk 16.14-18; Lk 24.36-49)
19Në mbrëmjen e po asaj dite, të parën e javës, ndërsa dyert e vendit ku rrinin dishepujt ishin të mbyllura nga frika e judenjve, erdhi Jezui, qëndroi në mes e u tha: «Paqja me ju!». 20Si tha këto fjalë, u tregoi duart dhe brinjën. Dishepujt u gëzuan kur panë Zotin.
21Pastaj Jezui u tha përsëri: «Paqja me ju! Sikurse Ati më dërgoi mua, ashtu edhe unë ju dërgoj ju». 22Pasi tha këto, hukati mbi ta e u tha: «Merrni Shpirtin e shenjtë! 23Atyre që ua falni mëkatet, do t'u falen, atyre që nuk ua falni, nuk do t'u falen».
Thomai
24Por një nga të dymbëdhjetët, Thomai, që e quanin Binjak, nuk kishte qenë me ta kur erdhi Jezui. 25Dishepujt e tjerë i thanë: «Kemi parë Zotin». Ndërsa ai u tha: «Po të mos shoh shenjat e gozhdëve në duart e tij, po të mos vë gishtin te shenjat e gozhdëve dhe po të mos vë dorën te brinja e tij, unë nuk do të besoj».
26Pas tetë ditësh, dishepujt ishin përsëri brenda në dhomë dhe me ta ndodhej edhe Thomai. Atëherë erdhi Jezui, megjithëse dyert ishin mbyllur, qëndroi në mes e u tha: «Paqja me ju!». 27Pastaj i tha Thomait: «Vëre gishtin tënd këtu dhe shiko duart e mia, shtrije dorën dhe vëre te brinja ime. Dhe mos dysho, por beso!». 28Thomai u përgjigj: «Zoti im e Perëndia im!». 29Jezui i tha: «Besove, sepse më pe. Lum ata që besojnë pa parë!».
Qëllimi i këtij libri
30Jezui bëri para dishepujve të tij edhe shumë shenja të tjera që nuk janë shkruar në këtë libër. 31Këto u shkruan që ju të besoni se Jezui është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, të keni jetën në emrin e tij.

Currently Selected:

Gjoni 20: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy