YouVersion Logo
Search Icon

Gjoni 15

15
Hardhia e vërtetë
1«Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është vreshtari. 2Çdo shermend që është në mua e që nuk jep fryt, ai e këput, ndërsa çdo shermend që jep fryt ai e krasit dhe e pastron, që të japë më shumë fryt. 3Fjala që unë ju kam folur, ju ka pastruar tashmë.
4Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju. Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt vetvetiu, pa qëndruar në hardhinë, kështu as ju nuk do të mund të jepni fryt nëse nuk qëndroni në mua. 5Unë jam hardhia, ju jeni shermendet. Kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë. 6Nëse dikush nuk qëndron në mua, do të hidhet jashtë si shermendi e do të thahet. Këta shermende do t'i mbledhin, do t'i hedhin në zjarr e do të digjen.
7Po të qëndroni në mua dhe fjalët e mia të qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni e do t'ju jepet. 8Në këtë përlëvdohet Ati im: që të jepni shumë fryt e të bëheni dishepujt e mi. 9Unë ju kam dashur, ashtu siç më ka dashur Ati mua. Qëndroni në dashurinë time!
10Po të zbatoni urdhërimet e mia do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë kam zbatuar urdhërimet e Atit tim e qëndroj në dashurinë e tij.
11Këto jua thashë që gëzimi im të jetë në ju e gëzimi juaj të jetë i plotë. 12Ky është urdhërimi im: duajeni njëri-tjetrin ashtu siç ju desha unë ju. 13Nuk ka dashuri më të madhe se të japësh jetën për miqtë. 14Ju jeni miqtë e mi nëse bëni ato që ju urdhëroj. 15Nuk ju quaj më shërbëtorë, se shërbëtori nuk e di ç'bën i zoti. Por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njohur gjithçka që dëgjova prej Atit tim.
16Nuk më zgjodhët ju mua, por unë ju zgjodha ju. Ju caktova të shkoni e të jepni fryt, që fryti juaj të mbetet dhe që Ati t'ju japë çfarëdo që t'i kërkoni në emrin tim. 17Këtë po ju urdhëroj: duajeni njëri-tjetrin».
Do t'ju urrejnë
18«Nëse bota ju urren, dijeni se më ka urryer mua para jush. 19Po të ishit prej kësaj bote, atëherë bota do t'ju donte si të vetët. Por, ngaqë ju kam zgjedhur nga bota e nuk jeni prej kësaj bote, prandaj dhe ju urren. 20Kujtoni fjalët që ju thashë: shërbëtori nuk është më i madh se i zoti. Nëse më përndoqën mua do t'ju përndjekin edhe ju. Nëse kanë zbatuar fjalën time, do të zbatojnë edhe tuajën.
21Por të gjitha këto do t'jua bëjnë për shkak të emrit tim, sepse nuk e njohin atë që më dërgoi. 22Po të mos kisha ardhur e të mos u kisha folur, nuk do të kishin mëkat, por tani nuk kanë shfajësim për mëkatin e tyre.
23Kush më urren mua, urren edhe Atin tim. 24Po të mos kisha bërë mes tyre veprat që askush tjetër nuk i ka bërë, nuk do të kishin mëkat, por tani kanë parë dhe më kanë urryer edhe mua, edhe Atin tim. 25Por kjo ndodhi që të përmbushet fjala e shkruar në ligjin e tyre: më urryen pa asnjë shkak.
26Kur të vijë Ngushëlluesi, që unë do t'ju dërgoj prej Atit, Shpirti i së vërtetës, i cili del nga Ati, ai do të dëshmojë për mua. 27Edhe ju do të dëshmoni, sepse keni qenë me mua që nga fillimi».

Currently Selected:

Gjoni 15: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy