Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 71

71
1Te ti, o Zot, kërkova strehë,
mos lejo të turpërohem asnjëherë.
2Sipas drejtësisë sate shpëtomë e çliromë,
prire veshin drejt meje e shpëtomë.
3Bëhu për mua shkëmbi,
ku gjej përherë strehim.
Ti ke urdhëruar shpëtimin tim,
se ti je shkëmbi dhe fortesa ime.
4O Perëndia im, shpëtomë nga dora e të paudhit,
nga kthetra e keqbërësit dhe e shtypësit.
5Se ti, o Zot, je shpresa ime,
te ti, o Zot, kam besim që në rini.
6Te ti jam mbështetur që në bark të nënës,
prej barkut të saj ti më nxore,
ty të përlëvdoj përherë.
7Për shumë njerëz u bëra si shenjë mrekullie,
se ti ke qenë streha ime e fortë.
8Goja ime është plot lavde për ty,
tërë ditën ty të madhëron.
9Mos më hidh poshtë në pleqëri,
mos më braktis kur të më lënë fuqitë.
10Ja, armiqtë e mi po flasin kundër meje,
ata që më përgjojnë, po shestojnë bashkë.
11«Perëndia e ka braktisur», thonë.
«Ndiqeni pas e kapeni,
se nuk ka kush ta shpëtojë».
12O Perëndi, mos u largo prej meje,
o Perëndia im, shpejto të më ndihmosh!
13U turpërofshin e u shofshin
kundërshtarët e shpirtit tim,
u poshtërofshin e u turpërofshin
ata që më duan të keqen.
14E unë do të shpresoj gjithmonë te ti,
do të të lavdëroj gjithnjë e më shumë.
15Goja ime do të shpallë drejtësinë tënde,
gjithë ditën do të kumtojë shpëtimin tënd,
që nuk di ta mat.
16Do të shpall veprat e fuqishme të Zotit, Zotit tim,
do të sjell ndër mend drejtësinë që është vetëm e jotja.
17O Perëndi, ti më ke mësuar që në rini,
e deri tani unë shpall mrekullitë e tua.
18As kur të plakem e të thinjem,
mos hiq dorë prej meje, o Perëndi,
derisa t'ia shpall pushtetin tënd kësaj breznie,
fuqinë tënde të gjithë atyre që do të vijnë.
19Drejtësia jote, o Perëndi, arrin lartësitë,
se ti ke bërë vepra madhështore.
O Perëndi, kush është i ngjashëm me ty?
20Ti, që më dhe shumë fatkeqësi e mjerime,
ti do të ma përtërish jetën,
nga thellësitë e tokës do të më nxjerrësh,
lart do të më ngresh sërish.
21Do të më japësh më shumë madhështi.
Do të kthehesh e do të më ngushëllosh.
22E unë do të të përlëvdoj me tingullin e lirës,
besnikërisë sate do t'i këndoj, o Perëndia im,
do të të himnoj me harpë, o i shenjti i Izraelit.
23Buzët e mia do të ngazëllejnë, kur të këndojnë për ty,
bashkë me shpirtin tim, që ti e shpengove.
24Edhe gjuha ime do të flasë tërë ditën për drejtësinë tënde,
u turpërofshin e u poshtërofshin ata që ma duan të keqen.

Aktualisht i përzgjedhur:

Psalmet 71: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë