Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Nehemia 2

2
Nisja për në Jerusalem
1Ishte muaji Nisan i vitit të njëzetë të mbretit Artakserks. Mbreti e kishte verën përpara dhe unë e mora verën e ia qita mbretit, mirëpo nuk kisha qenë ndonjëherë i trishtuar para tij. 2Atëherë mbreti më tha: «Pse ke këtë pamje të trishtuar? I sëmurë nuk je, prandaj nuk mund të jetë tjetër, veçse trishtim i zemrës». Mua më zuri një frikë e madhe 3e i thashë mbretit: «Rroftë mbreti përgjithmonë! Si mos të të dukem i trishtuar, kur qyteti, ku gjenden varret e të parëve të mi, u shkretua e portat ia ka përpirë zjarri?». 4Mbreti m'u përgjigj: «Çfarë po kërkon?». Unë iu luta Perëndisë së qiellit 5e i thashë mbretit: «Po të dojë mbreti e nëse e ka për zemër shërbëtorin e vet, të më dërgojë në Judë, në qytetin ku gjenden varret e të parëve të mi, që ta rindërtoj». 6Mbreti, me mbretëreshën përkrah, më tha: «Sa do të zgjatë udhëtimi yt e kur do të kthehesh?». Unë ia tregova kohën. Mbretit i pëlqeu e më la të shkoja. 7Pastaj i thashë: «Po të dojë mbreti, le të më jepen letra për qeveritarët e tejlumit, që të më lejojnë të kaloj për në Judë, 8si dhe një letër për Asafin, rojtarin e pyjeve të mbretit, që të më japë drurë për ndërtimin e portave të qytezës dhe për shtëpinë ku do të hyj». Mbreti m'i dha, sepse dora e Perëndisë ishte me mua.
9Kur mbërrita te qeveritarët e tejlumit, u dhashë letrat e mbretit. Mbreti më kishte dhënë me vete një shpurë prijësish e disa kalorës. 10Sanbalat Horoniti e shërbëtori i tij amonit, Tobia, dëgjuan për këtë dhe u erdhi shumë keq që dikush kishte ardhur për t'u dalë zot izraelitëve.
Nehemia vëzhgon muret e qytetit
11Kur mbërrita në Jerusalem, ndenja aty tri ditë. 12Pastaj u ngritëm me natë unë e ata pak burra që ishin me mua, pa i treguar askujt çfarë Perëndia më kishte shtënë në zemër të bëja për Jerusalemin. Nuk mora me vete asnjë kafshë, përveç kafshës ku ndenja kaluar. 13Dola me natë nga Porta e Luginës, drejt Pusit të Dragoit e drejt Portës së Hedhurinave dhe pashë si ishin shembur muret e Jerusalemit e si i kishte përpirë zjarri portat e tij. 14Pastaj kalova nga Porta e Burimit e nga Hurdha e Mbretit, por nuk pati asnjë vend ku të mund të kalonte kafsha ku kisha hipur. 15Atëherë iu ngjita luginës nëpër natë, u solla duke vëzhguar murin, mbërrita te Porta e Luginës e u ktheva.
16Zyrtarët nuk e morën vesh ku shkova, as çfarë bëra. Nuk kisha njoftuar as judenjtë, as priftërinjtë, as fisnikët, as zyrtarët e as ata që merreshin me punimet. 17Atëherë u thashë: «Ju e shihni vetë në çfarë mjerimi gjendemi. Jerusalemi është shkretuar e zjarri ia ka djegur portat. Ejani t'i ndërtojmë muret e Jerusalemit, që të mos na përçmojnë më». 18U tregova se kisha me vete përkrahjen e Perëndisë dhe fjalët që më kishte thënë mbreti. Ata thanë: «Të ngrihemi e ta rindërtojmë!». Pastaj ata i mbrehën duart për këtë vepër të mirë.
19Kur Sanbalat Horoniti, Tobia, shërbëtori i tij amonit, dhe Geshem Arabi i dëgjuan këto, u tallën me ne e na përqeshën, duke thënë: «Ç'është kjo që po bëni? Po ngriheni kundër mbretit?». 20Atëherë unë u thashë: «Perëndia i qiellit do të na e bëjë mbarë dhe ne, shërbëtorët e tij, do të ngrihemi e do të ndërtojmë, ndërsa ju nuk keni as pjesë, as të drejtë e as kujtime në Jerusalem».

Aktualisht i përzgjedhur:

Nehemia 2: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë