Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 16

16
Ngjallja
(Mt 28.1-8; Lk 24.1-12; Gjn 20.1-10)
1Pasi kaloi e shtuna, Maria Magdalena, Maria nëna e Jakobit dhe Salomeja blenë vajra erëmirë, që të shkonin për të lyer trupin e Jezuit. 2Të dielën#16.2 ose: ditën e parë pas së shtunës, herët në mëngjes, shkuan te varri sapo kishte lindur dielli. 3Ato i thanë njëra-tjetrës: «Kush do të na e rrokullisë gurin nga gryka e varrit?». 4Por panë e vunë re se guri ishte rrokullisur, edhe pse ishte tepër i madh. 5Hynë, pra, në varr dhe panë një djalosh të veshur me një rrobë të bardhë që rrinte ulur në të djathtë e u shtangën. 6Por ai u tha: «Mos kini frikë! Ju kërkoni Jezuin e Nazaretit, të kryqëzuarin. Ai u ngjall. Nuk është këtu. Ja vendi ku e kishin vënë. 7Tani shkoni, u thoni dishepujve të tij e Pjetrit se ai po shkon përpara jush në Galile. Atje do ta shihni, siç ju ka thënë». 8Ato dolën e ikën nga varri, se ishin të frikësuara e të tmerruara. Nga frika nuk i thanë gjë askujt.
Maria Magdalena
(Mt 28.9-10; Gjn 20.11-18)
9Pasi u ngjall në mëngjesin e së dielës, Jezui iu shfaq në fillim Maria Magdalenës, prej së cilës kishte dëbuar shtatë djaj. 10Kjo shkoi të lajmëronte ata që kishin ndenjur me të që ishin në zi e vajtonin. 11Kur dëgjuan se Jezui ishte gjallë dhe se ajo e kishte parë, ata nuk deshën ta besonin.
Dy dishepujt
(Lk 24.13-35)
12Pas këtyre, Jezui iu shfaq në një trajtë tjetër dy dishepujve që po ecnin drejt fshatit. 13Edhe ata u kthyen për të lajmëruar të tjerët, por as këtyre nuk deshën t'u besonin.
Porosia
(Mt 28.16-20; Lk 24.36-49; Gjn 20.19-23; Vp 1.6-8)
14Në fund iu shfaq të njëmbëdhjetëve, ndërsa po hanin, e i qortoi për mosbesimin e tyre e për ngurtësinë e zemrës, ngaqë nuk u kishin besuar atyre që e kishin parë të ngjallur. 15Jezui u tha: «Shkoni në të gjithë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese. 16Ai që do të besojë e do të pagëzohet, do të shpëtojë; por ai që nuk do të besojë, do të dënohet. 17Këto do të jenë shenjat që do të shoqërojnë ata që besojnë: do të dëbojnë djaj në emrin tim, do të flasin gjuhë të reja, 18do të marrin gjarpërinj në duar dhe, po të pinë ndonjë helm, nuk do t'u bëjë dëm, do të vënë duart mbi të sëmurët e këta do të shërohen».
Ngritja në qiell
(Lk 24.50-53; Vp 1.9-11)
19Zoti Jezu, pasi foli me ta, u ngrit në qiell dhe u ul në të djathtën e Perëndisë. 20Atëherë ata u nisën e predikuan kudo, ndërsa Zoti vepronte së bashku me ta dhe e vërtetonte fjalën me shenjat që e shoqëronin.

Aktualisht i përzgjedhur:

Marku 16: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë