Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 15

15
Te Pilati
(Mt 27.1-2; 11.14; Lk 23.1-5; Gjn 18.28-38)
1Në mëngjes herët kryepriftërinjtë së bashku me pleqtë, shkruesit dhe gjithë sinedrin, pasi u këshilluan, e lidhën Jezuin, e morën e ia dorëzuan Pilatit. 2Pilati e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?». Jezui iu përgjigj: «Ti vetë po e thua». 3Ndërkaq kryepriftërinjtë e padisnin për shumë gjëra. 4Dhe Pilati e pyeti përsëri: «Nuk po jep asnjë përgjigje? Shiko për sa gjëra po të padisin». 5Por Jezui nuk iu përgjigj për asgjë, gjë që e çuditi shumë Pilatin.
Dënimi me vdekje
(Mt 27.15-26; Lk 23.13-25; Gjn 18.39; 19.16)
6Për çdo festë Pashke Pilati lironte një të burgosur sipas kërkesës së turmës. 7Një njeri që quhej Barabë gjendej në burg bashkë me disa kryengritës të tjerë, të cilët kishin bërë një vrasje në një kryengritje. 8Atëherë erdhi turma e filloi t'i kërkonte Pilatit atë që ai e kishte zakon të bënte për ta. 9Pilati i pyeti: «A doni t'ju liroj mbretin e judenjve?». 10Sepse ai e kishte kuptuar se kryepriftërinjtë ia kishin dorëzuar Jezuin nga smira. 11Por kryepriftërinjtë e nxitën turmën që në vend të tij të lironte Barabën. 12Pilati u tha përsëri: «Atëherë çfarë doni të bëj me atë që e quani mbret të judenjve?». 13Ata thirrën përsëri: «Kryqëzoje!». 14Por Pilati u tha: «Përse, ç'të keqe ka bërë?». Atëherë ata thirrën edhe më fort: «Kryqëzoje!». 15Kështu Pilati, për të kënaqur turmën, liroi Barabën dhe, pasi e fshikulluan Jezuin, e dorëzoi që ta kryqëzonin.
Tallja
(Mt 27.27-31; Gjn 19.2-3)
16Atëherë ushtarët e morën Jezuin dhe e futën në oborrin e pallatit, domethënë në pretorium, dhe mblodhën gjithë kohortën. 17E veshën me purpur dhe, pasi thurën një kurorë me gjemba, ia vunë në kokë. 18Pastaj filluan t'i thoshin: «Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!». 19E godisnin në kokë me kallam, e pështynin dhe duke rënë në gjunjë, përkuleshin para tij. 20Pasi e tallën, ia hoqën petkun e purpurt dhe e veshën me rrobat e veta. Pastaj e nxorën jashtë për ta kryqëzuar.
Kryqëzimi
(Mt 27.32-44; Lk 23.26-43; Gjn 19.17-27)
21Atëherë detyruan një kalimtar që po kthehej nga ara, njëfarë Simoni nga Kirena, i ati i Aleksandrit e i Rufit, të mbartte kryqin e Jezuit. 22Kështu e çuan Jezuin në vendin e Golgotës që do të thotë «Vendi i Kafkës» 23dhe i dhanë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori.
24Pastaj e kryqëzuan
dhe hodhën short
për të ndarë rrobat e tij,
që të shihnin
çfarë do t'i binte secilit.
25Ishte ora nëntë e mëngjesit kur e kryqëzuan. 26Mbishkrimi me shkakun e dënimit thoshte: «Mbreti i judenjve». 27-28Bashkë me të kryqëzuan edhe dy kusarë, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë të tij#15.27 dorëshk. të tjera edhe: 28 Kështu u përmbush ky Shkrim: Ai u numërua me keqbërësit. 29Kalimtarët e fyenin, tundnin kokën e thoshin: «Ti që do ta shkatërroje tempullin e do ta ndërtoje për tri ditë, 30shpëto veten e zbrit nga kryqi!». 31Edhe kryepriftërinjtë me shkruesit e tallnin e thoshin: «Të tjerët i shpëtoi, ndërsa veten nuk e shpëtuaka dot. 32Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi, që të shohim e të besojmë». Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të e përqeshnin.
Vdekja
(Mt 27.45-46; Lk 23.44-49; Gjn 19.28-30)
33Në mesditë u bë errësirë në gjithë tokën deri në orën tre të pasdites. 34Në orën tre pasdite Jezui thirri me zë të lartë: «Eloi, Eloi lema sabakthani?» që e përkthyer do të thotë: «Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise?». 35Disa nga ata që ishin aty, kur e dëgjuan, thanë: «Ja, po thërret Elinë». 36Dikush shkoi me vrap dhe, pasi ngjeu një sfungjer në uthull, e vuri në një kallam, ia drejtoi Jezuit e tha: «Prisni, të shohim nëse do të vijë Elia për ta zbritur». 37Jezui lëshoi një britmë të madhe e dha shpirt. 38Atëherë veli i tempullit u gris më dysh nga lart deri poshtë. 39Kryeqindësi që rrinte përballë tij, kur e pa duke dhënë shpirt në atë mënyrë, tha: «Me të vërtetë ky njeri paska qenë Biri i Perëndisë». 40Aty gjendeshin edhe disa gra që shikonin nga larg. Ndër to ishin Maria Magdalena, Maria nëna e Jakobit të vogël dhe e Josesë, si dhe Salomeja, 41të cilat e kishin ndjekur e i kishin shërbyer kur Jezui ishte në Galile; ishin edhe shumë të tjera që kishin ardhur me të në Jerusalem.
Varrimi
(Mt 27.57-61; Lk 23.50-56; Gjn 19.38-42)
42Tashmë kishte rënë mbrëmja dhe ishte e premte, domethënë vigjilja e së shtunës. 43Jozefi nga Arimateja, anëtar i respektuar i sinedrit, që gjithashtu priste mbretërinë e Perëndisë, shkoi me guxim te Pilati e i kërkoi trupin e Jezuit. 44Pilati, i çuditur që tashmë kishte vdekur, thirri kryeqindësin dhe e pyeti nëse kishte shumë kohë që kishte vdekur. 45Pasi u njoftua nga kryeqindësi, ia dha kufomën Jozefit. 46Ky bleu një pëlhurë prej liri, e zbriti kufomën nga kryqi dhe pasi e mbështolli, e vuri në një varr të hapur në shkëmb. Pastaj rrokullisi një gur mbi grykën e varrit. 47Ndërkaq, Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Josesë, e panë ku e vunë Jezuin.

Aktualisht i përzgjedhur:

Marku 15: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë