Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 13

13
Për shkatërrimin e tempullit
(Mt 24.1-2; Lk 21.5-6)
1Kur dolën nga tempulli, njëri prej dishepujve i tha: «Mësues, shiko ç'gurë e ç'ndërtesa!». 2Jezui i tha: «A i sheh këto ndërtesa të mëdha? Nuk do të mbesë gur mbi gur pa u rrëzuar».
Fillimi i fundit
(Mt 24.3-14; Lk 21.7-19)
3Kur u ul në malin e Ullinjve përballë tempullit, Pjetri, Jakobi, Gjoni e Andrea e pyetën Jezuin veçmas: 4«Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja se të gjitha ato do të përmbushen?». 5Atëherë Jezui filloi t'u thoshte: «Hapni sytë se mos ju mashtron njeri. 6Shumë veta do të vijnë në emrin tim e do të thonë: “Unë jam Krishti” e do të mashtrojnë shumë njerëz.
7Kur të dëgjoni për luftra e lajme luftrash, mos u tronditni. Këto duhet të ndodhin, por ky nuk do të jetë ende fundi. 8Një komb do të ngrihet kundër një kombi dhe një mbretëri kundër një mbretërie. Në disa vende do të ketë tërmete e zi buke#13.8 dorëshk. të tjera edhe: dhe trazira. Ky do të jetë fillimi i dhimbjeve të lindjes. 9Por kini kujdes për veten, se do t'ju dorëzojnë nëpër sinedra e do t'ju rrahin nëpër sinagoga. Për shkakun tim do t'ju nxjerrin të dëshmoni para princave e mbretërve. 10Por më parë ungjilli duhet t'u predikohet të gjitha kombeve. 11Kur t'ju dorëzojnë, mos u shqetësoni se çfarë do të thoni, por thoni çfarë t'ju jepet në atë çast, se nuk do të jeni ju ata që flisni, por Shpirti i shenjtë.
12Vëllai do ta dorëzojë vëllanë, që ta dënojnë me vdekje dhe ati të birin. Bijtë do të ngrihen kundër prindërve e do t'i çojnë drejt vdekjes. 13Të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim, por ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtohet».
Shkretimi i madh
(Mt 24.15-28; Lk 21.20-24)
14«Por kur të shihni tmerrin e shkretimit#13.14 dorëshk. të tjera edhe: të parathënë nga profeti Daniel që qëndron atje ku nuk i takon, “kush lexon le ta kuptojë”, atëherë ata që janë në Jude le të arratisen maleve. 15Ai që do të ndodhet mbi çati, të mos zbresë e të mos hyjë brenda për të marrë gjë nga shtëpia e tij! 16Ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë gunën! 17Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë! 18Lutuni që kjo të mos ndodhë në dimër, 19sepse në ato ditë do të bjerë një mjerim i paparë ndonjëherë deri më sot, që kur Perëndia krijoi gjithçka, e të tillë mjerim nuk do të ketë më kurrë. 20Po të mos i kishte shkurtuar Zoti ato ditë, nuk do të shpëtonte asnjeri, por për hir të atyre që ka zgjedhur, ai i shkurtoi ato ditë. 21Nëse dikush ju thotë: “Ja ku është Krishti!” ose: “Ja, është këtu!”, mos i besoni. 22Do të dalin krishtë të rremë e profetë të rremë që do të bëjnë shenja e mrekulli, që mundësisht të mashtrojnë edhe të zgjedhurit. 23Por kini kujdes! Unë ju paralajmërova për të gjitha».
Ardhja e Birit të njeriut
(Mt 24.29-31; Lk 21.25-28)
24«Në ato ditë, pas pikëllimit,
dielli do të errësohet
e hëna nuk do të ndriçojë.
25Yjet do të bien nga qielli
e pushtetet që janë në qiell
do të tranden.
26Pastaj do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me pushtet të madh e me lavdi. 27Atëherë ai do të dërgojë engjëjt e do të mbledhë të zgjedhurit e tij nga të katër anët, prej skajeve të dheut deri te skajet e qiellit».
Shëmbëlltyra e fikut
(Mt 24.32-35; Lk 21.29-33)
28«Mësoni nga shëmbëlltyra e fikut. Sapo dega e tij bëhet e njomë e nxjerr gjethe, ju e dini se po afrohet vera. 29Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se fundi është afër, te dera. 30Me të vërtetë po ju them se kjo brezni nuk do të kalojë pa ndodhur të gjitha këto gjëra. 31Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë».
Dita dhe ora
(Mt 24.36-44; Lk 19.12-20)
32«Askush nuk e di atë ditë apo atë orë. As engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati. 33Kini kujdes e rrini zgjuar#13.33 dorëshk. të tjera edhe: dhe lutuni, se nuk e dini kur do të vijë koha. 34Kjo është si puna e atij njeriut që niset për rrugë. Ai largohet nga shtëpia, i cakton secilit shërbëtor punën e vet dhe e urdhëron rojtarin e derës të rrijë zgjuar. 35Prandaj rrini zgjuar, se nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë, në mbrëmje a në mesnatë, në agim a në mëngjes, 36që nëse vjen befasisht, të mos ju gjejë në gjumë. 37Atë që ju them juve, ua them të gjithëve: rrini zgjuar!».

Aktualisht i përzgjedhur:

Marku 13: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë