Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jozuehu 4:1-24

Jozuehu 4:1-24 AL1

Kur i gjithë populli kishte kaluar Jordanin, ZOTI i tha Jozuehut: «Zgjidh dymbëdhjetë burra nga populli, nga një për fis, e jepu këtë urdhër: merrni nga shtrati i Jordanit, nga vendi ku shkelën këmbët e priftërinjve, dymbëdhjetë gurë. Merrini me vete dhe lartojini në vendin ku do të fushoni sonte». Jozuehu thirri dymbëdhjetë burrat e zgjedhur nga radhët e izraelitëve, nga një për fis, e u tha: «Kaloni para arkës së ZOTIT, Perëndisë suaj, në mes të Jordanit, dhe merrni nga një gur, sipas numrit të fiseve të Izraelit, e ngrijeni mbi shpatulla. Këta gurë do të jenë shenjë për ju. Kur bijtë tuaj t'ju pyesin në të ardhmen: “Për ju, çfarë janë këta gurë?”, ju do t'u thoni se ujërat e Jordanit u ndanë më dysh para arkës së besëlidhjes së ZOTIT. Kur Arka kaloi përmes Jordanit, ujërat e tij u ndanë më dysh. Këta gurë janë përmendore e përjetshme për popullin e Izraelit». Izraelitët bënë siç i kishte urdhëruar Jozuehu e mblodhën dymbëdhjetë gurë nga shtrati i Jordanit, sipas numrit të fiseve të Izraelit, siç i kishte thënë ZOTI Jozuehut. Gurët i morën me vete në vendin e fushimit e atje i lartuan. Jozuehu lartoi edhe dymbëdhjetë gurë në mes të Jordanit, atje ku vunë këmbë priftërinjtë që mbartën arkën e besëlidhjes. Ata gurë janë atje gjer më sot. Priftërinjtë që mbartnin arkën qëndruan në mes të Jordanit derisa u krye gjithçka që ZOTI i kishte urdhëruar Jozuehut t'i thoshte popullit. Jozuehu veproi ashtu siç e kishte urdhëruar Moisiu dhe populli kaloi shpejt Jordanin. Kur kishte kaluar i gjithë populli, kaloi edhe arka e ZOTIT. Priftërinjtë kaluan para popullit. Fisi i Rubenit, fisi i Gadit e gjysma e fisit të Manaseut kaluan të armatosur para izraelitëve, siç u kishte thënë Moisiu. Rreth dyzet mijë luftëtarë të armatosur kaluan para ZOTIT për luftë në fushat e Jerikosë. Atë ditë ZOTI e lartoi Jozuehun në sytë e gjithë Izraelit. Izraelitët e nderuan Jozuehun ashtu siç kishin nderuar edhe Moisiun kur ishte gjallë. Atëherë ZOTI i tha Jozuehut: «Urdhëroi priftërinjtë që mbartin arkën e dëshmisë, të dalin nga Jordani». Jozuehu u dha urdhër priftërinjve të dilnin nga Jordani. Kur priftërinjtë, që mbartnin arkën e besëlidhjes së ZOTIT, dolën nga Jordani dhe këmbët e tyre prekën tokën e thatë, ujërat e Jordanit u kthyen në vend e rrodhën si më parë mes brigjeve të tij. Populli doli nga Jordani ditën e dhjetë të muajit të parë dhe e ngriti fushimin në Gilgal, në lindje të Jerikosë. Dymbëdhjetë gurët që kishin marrë nga Jordani, Jozuehu i lartoi në Gilgal. Jozuehu u tha izraelitëve: «Kur në të ardhmen bijtë tuaj të pyesin etërit e tyre për këta gurë, do t'u tregoni si e kaloi Izraeli Jordanin nëpër tokë të thatë, se ZOTI, Perëndia juaj, i thau ujërat para jush, derisa kaluat. Kështu kishte bërë ZOTI, Perëndia juaj, edhe me detin e Kuq, që e thau derisa kaluam ne, me qëllim që ta dinë të gjithë popujt e tokës se dora e ZOTIT është e fuqishme dhe që ju ta druani gjithnjë ZOTIN, Perëndinë tuaj».

Devocione dhe Plane Leximi falas për Jozuehu 4:1-24

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë