Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Samuelit 7

7
Profecia e Natanit
1Kur Davidi u vendos në shtëpinë e tij dhe Zoti i dha paqe nga tërë armiqtë, që e rrethonin, 2mbreti i tha profetit Natan: «Ja, unë banoj në një shtëpi prej cedri, ndërsa arka e Perëndisë banon në një tendë pëlhurash». 3Natani iu përgjigj mbretit: «Bëj ç'të kesh në zemër, se Zoti është me ty».
4Po atë natë Natanit iu drejtua fjala e Zotit e i tha: 5«Shko e thuaji Davidit, shërbëtorit tim, kështu thotë Zoti: “Pse, ti do të ma ndërtosh shtëpinë ku do të banoj? 6Unë nuk kam banuar në një shtëpi që kur i solla izraelitët nga Egjipti e deri në këtë ditë. Jam endur nëpër tenda e banesa. 7Gjatë gjithë endjeve të mia me mbarë Izraelin, a mos i kam thënë ndonjë fjalë ndonjërit prej prijësve të Izraelit, të cilët i kisha urdhëruar të kullotnin popullin tim, Izraelin, e u kisha thënë: përse nuk më keni ndërtuar një shtëpi prej cedri? 8Mirëpo tani, kështu do t'i thuash Davidit, shërbëtorit tim: kështu thotë Zoti i ushtrive: unë të mora nga kullota, kur shkoje pas grigjës, që të bëheshe prijësi i popullit tim, Izraelit. 9Kam qenë me ty kudo ke shkuar dhe i kam vrarë të gjithë armiqtë e tu para teje. Do të të bëj me emër, siç janë me emër të mëdhenjtë e tokës. 10Do të caktoj një vend për popullin tim, Izraelin, ku do ta ngul të banojë pa u tronditur më. Keqbërësit nuk do ta dëmtojnë më si dikur, 11kur caktova gjykatës mbi popullin tim, Izraelin. Do të jap prehje nga të gjithë armiqtë e tu. Zoti po të kumton se vetë Zoti do të të ndërtojë ty një shtëpi. 12Kur koha jote të jetë sosur e duhet të prehesh me etërit e tu, do të ngre pasardhësin pas teje, i cili rrjedh prej teje dhe do ta bëj të qëndrueshme mbretërinë e tij. 13Ai do t'i ndërtojë një shtëpi emrit tim, ndërsa unë do ta bëj të qëndrueshëm përgjithmonë fronin e tij. 14Unë do të jem për të atë e ai do të jetë për mua bir. E në bëftë ndonjë prapësi, do ta qortoj me thupër e me plagë, siç bëjnë prindërit. 15Por nuk do t'ia mohoj dashurinë, siç ia mohova Saulit që e hoqa para teje. 16Do ta bëj të qëndrueshme përgjithmonë shtëpinë tënde dhe mbretërinë tënde dhe froni yt do të mbetet në amshim”». 17Natani ia tregoi Davidit të gjitha këto fjalë dhe të gjithë këtë vegim.
Lutja e Davidit
18Atëherë Davidi hyri brenda, u ul para Zotit dhe tha: «Kush jam unë, o Zot, Zoti im, dhe çfarë është shtëpia ime që më solle deri këtu? 19E kjo ishte veç një gjë e vogël në sytë e tu, o Zot, Zoti im. Ti fole për shtëpinë e shërbëtorit tënd për të ardhmen e largët. Vallë kështu sillesh me njerëzit e tjerë, o Zot, Zoti im? 20Çfarë mund të thotë më shumë për ty Davidi? O Zot, Zoti im, ti e njeh mirë shërbëtorin tënd. 21Ti i bëre të gjitha këto vepra të mëdha dhe ia shfaqe shërbëtorit tënd për hir të fjalës sate dhe sipas zemrës sate. 22Ti je i madh, o Zot, Zoti im. Nuk ka si ti dhe nuk ka Perëndi përveç teje, me sa na kanë dëgjuar veshët. 23Kush është si populli yt, Izraeli, kombi i vetëm në tokë, që Perëndia shkoi për ta shpenguar për vete si popull? Ti bëre emër për vete, vepra të mëdha e të mahnitshme për tokën tënde para popullit tënd që e shpengove nga Egjipti, nga kombet dhe idhujt e tyre. 24E caktove popullin tënd, Izraelin, të jetë përherë populli yt dhe ti, o Zot, u bëre Perëndia i tyre. 25Tani, o Zot Perëndi, fjala që fole për shërbëtorin tënd e për shtëpinë e tij qëndroftë përgjithmonë dhe vepro siç fole. 26Emri yt u madhëroftë përgjithmonë kështu: “Zoti i ushtrive është Perëndia i Izraelit” dhe shtëpia e Davidit, shërbëtorit tënd, do të jetë e qëndrueshme para teje, 27sepse ti, o Zot i ushtrive, Perëndia i Izraelit, i dëftove shërbëtorit tënd se do t'i ndërtosh një shtëpi, prandaj shërbëtori yt mori zemër të bënte këtë lutje para teje. 28Tani, o Zot, Zoti im, ti je Perëndi dhe fjalët e tua janë të vërteta. Ti ia premtove këtë të mirë shërbëtorit tënd. 29Tani, denjo ta bekosh shtëpinë e shërbëtorit tënd, që të qëndrojë e përhershme para teje, sepse ti o Zot, Zoti im, ke folur. Qoftë përherë e bekuar me bekimet e tua shtëpia e shërbëtorit tënd!».

Aktualisht i përzgjedhur:

2 Samuelit 7: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë